Mashtrimi me Diploma

04/07/2013 Shkruan Agron Demi

Sistemi arsimor në Kosovë nuk përgatit kuadro për punë, por përgatit të papunë me diploma

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 3 korrik 2013.

Në Kosovë, nga Agjencioni për Akreditim i Kosovës, janë akreditur tri universitete publike dhe 19 bartës privat të arsimit të lartë (“universitete” private). Në këto institucione të arsimit të lartë, publike dhe private, vijojnë studimet mbi 62.000 studentë. Apo, 11.1% e kosovarëve në mes të moshës 19-40 vjeç janë njëkohësisht edhe studentë. Nga numri i përgjithshëm i studentëve, 30% prej tyre studiojnë ekonominë (62.4% nëse i llogarisim vetëm studentët në institucionet private), 15% juridikun, pastaj vinë shkencat politike, administrata publike, etj. Vetëm 3.4% e studentëve studiojnë në shkencat teknike, kryesisht në universitetin publik të Prishtinës.

 

Në anën tjetër, sipas strategjive qeveritare për zhvillim ekonomik, fushat si energjia, ndërmarrësia, bujqësia, teknologjia informatike, etj., janë fusha prej të cilave Kosova pret zhvillim ekonomik. Në të gjitha këto fusha, nevojiten kuadro të përgatitura universitare. Mirëpo, sistemi arsimor nuk përgatit kuadro profesionale për këto fusha të zhvillimit ekonomik. Sistemi arsimor në Kosovë është duke përgatitur kuadro për të punuar në administratën shtetërore. Madje, kualiteti i arsimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë është duke e ndikuar negativisht edhe punën e administratës shtetërore.

 

Përkundër asaj se Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë, bizneset ankohen se nuk mund të sigurojnë forcë të kualifikuar punëtore. Bankat komerciale në vazhdimësi ankohen se janë të detyruara të shpenzojnë me mijëra euro në programe shtesë trajnimi. Sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Bizneseve, vendet e lira të punës të ofruara në “Berzën e Punësimit 2011” nuk u plotësuan në masë të madhe ngase nuk kishte kandidat të kualifikuar. Edhe pse ishin reklamuar më shumë pozita pune, vetëm 969 kandidatë u punësuan nga gjithsej 6,836 aplikant.

 

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është ngushtë i lidhur me kualitetin e arsimit. Në çdo strategji zhvillimore ekonomike duhet të përfshihet edhe çështja e përgatitjes së kuadrove profesionale. Askund në këshillet aktuale qeveritare për zhvillim ekonomik, nuk është anëtare edhe Ministria e Arsimit.

 

Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë, themelimi i universiteteve publike dhe rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, është më shumë proces politik se sa që ka të bëjë me kriteret e arsimit profesional. Sipas metodologjisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, studentët nuk klasifikohen si të papunë, ani pse mbi 50% e studentëve do të ndërprisnin studimet nëse u ofrohet një mundësi punësimi. Duke krijuar sa më shumë hapësirë për studime, Qeveria e Kosovës mban ulur zyrtarisht statistikat e papunësisë, njëkohësisht i shtyn problemet sociale për faza të mëvonshme.

 

Për këtë arsye, shumë studentë, pas diplomimit, në pamundësi për të gjetur punë, vijojnë studimet master. Në kohën kur i përfundojnë studimet master, ata kanë hyrë në moshën 30 vjeçare, pa pasur asnjë ditë përvojë pune. Në moshën rreth 30 vjeçare dhe me diplomë të masterit në xhep, këto kuadro kërkojnë pozita të larta të punës. Por, në mungesë të përvojës bazike të punës, organizatat punëdhënëse nuk u ofrojnë mundësi punësimi. Në këtë formë, të diplomuarit shndërrohen në punëkërkues afatgjatë dhe frustrimi i tyre me sistemin rrit rrezikun e trazirave sociale. Andaj, nevojitet një reformim i thellë i sistemit të arsimit të lartë privat dhe publik dhe sidomos nevojitet ndërlidhja e arsimit të lartë me nevojat e zhvillimit ekonomik.

 

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi