Zhvillimi si Liri

10/07/2013 Shkruan Agron Demi

Një qytetar i Kosovës është më i bindur se do të gjej një punë dhe do të mbijetoj në një vend gjuhën e të cilit nuk e njeh dhe nuk e ka të sigurt se do të siguroj strehë për të fjetur, se sa që do të arrij ndonjëherë të siguroj një vend pune në vendin në të cilin është lindur dhe ka krijuar shoqëri!

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 10 korrik 2013.
Pyetja më e shpeshtë që më bëhet nga shoqëria dhe të afërmit është: “A pe din kur po liberalizohen vizat?” Pas përgjigjes se liberalizimi i vizave nuk pritet të ndodh para pjesës së dytë të 2014 (në skenarin më të mirë), vërehet një zhgënjim në fytyrat e atyre, të cilët, mbase duke i besuar verbërisht deklaratave të Kryeministrit dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane, kanë shpresuar se liberalizimi do të ndodh së shpejti. Ajo çfarë është më shqetësuese është se një pjesë e madhe e popullsisë bën plane dhe është në pritje që të largohet nga ky vend. 

Autobusët e mbushur plot, në destinacion kufirin më të afërt me Bashkimin Evropian, na kujtuan edhe një herë largimet masive nga Kosova në vitet ’90. Në vitet e ’90, arsye primare e largimit të shqiptarëve nga Kosova ishte represioni dhe dhuna e regjimit serb mbi popullatën. Por, edhe kushtet e rënda ekonomike, të krijuara pas largimit masiv të shqiptarëve nga vendet e tyre të punës, ishin shkak për largim. Tani, 14 vite pas mbarimit të luftës, arsyeja e parë e largimit të qytetarëve nga Kosova nuk qëndron. Por, arsyeja e dytë (që tani është arsye primare) apo gjendja e rëndë ekonomiko-sociale, po i shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët që të largohen.

Mirëpo, emigrimi pas vitit 2000, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, mbart pasoja më të rënda sociale. Kjo për faktin se të larguarit nga Kosova pas kësaj periudhe po largohen me një bindje se “ky vend nuk bëhet”. Prej këtij vendi, nuk është e mundur të sigurohet mbijetesa. Përderisa emigrantët e viteve të ’90 largoheshin duke mbajtur kokën mbrapa se një ditë do të kthehen, emigrantët e Kosovës së pavarur po largohen pa e kthyer kokën mbrapa, por vetëm me shpresën se do të kenë sukses në rrugëtimin e tyre “ilegal”. Do të duhej të ishte tmerrues për Qeverinë fakti se si: një qytetar i Kosovës është më i bindur se do të gjej një punë dhe do të mbijetoj në një vend gjuhën e të cilit nuk e njeh dhe nuk e ka të sigurt se do të siguroj strehë për të fjetur, se sa që do të arrij ndonjëherë të siguroj një vend pune në vendin në të cilin është lindur dhe ka krijuar shoqëri!

Atëherë, shtrohet pyetja se sa jemi të lirë?! “Zhvillimi si Liri” është një nga librat më të njohur të ekonomistit indian Amartya Sen. Sipas Amartya Sen, njeriu nuk është plotësisht i lirë nëse liria politike nuk shoqërohet edhe me lirinë ekonomike. Liria politike, apo liria për të zgjedhur, liria për tu mos persekutuar për bindjet politiket, liria për të shprehur lirshëm mendimin, nuk është liri nëse nuk shoqërohet edhe me liritë ekonomike apo mundësinë për të gëzuar një vend pune, mundësinë për tu ushqyer shëndetshëm, mundësinë për të ruajtur higjienën personale, mundësinë për të ndjekur shkollimin, mundësinë për tu shoqëruar. 

Nëse, sipas të dhënave të Bankës Botërore, në Kosovë jetojnë 80% e popullsisë me më pak se 2 euro në ditë, atëherë përpjekjet për liri nuk kanë përfunduar më 1999 apo 2008. Kosovarët janë ende në kërkim të lirisë – lirisë ekonomike. Fakt i hidhur është se qeverisja në vend as nuk ka filluar të mendoj për zhvillimin ekonomik, ngase Kosova ende është në proces të pafund të definimit të lirive politike.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi