Hambari i Kryeministrit

24/07/2013 Shkruan Agron Demi

Në total, brenda një viti Kosova importon mallra në vlerë prej 43.5 milion eurove për miell dhe produkte të tjera të grurit (apo 1.7% e totalit të produkteve të importuara).

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 24 korrik 2013.
Më 20 korrik 2013, në tetë vjetorin e vdekjes së karikaturistit Agim Qena, më ra në sy një nga karikaturat e tij në formë të stripit me “Tafë Kusurin” e publikuar më 6 shtator 2000. Është e vështirë të përshkruhet përmbajtja e karikaturave të të madhit Agim Qena, por nëse më duhet të përshkruaj përmbajtjen e stripit i cili më tërhoqi vëmendjen, fabula ishte kjo: Bashkëbiseduesi i Tafë Kusurit, po konstaton se “Prishtina nuk po prodhuaka asgjë”. “Prodhon bile shumë” – përgjigjet Tafa. “Çka?” – pyet bashkëbiseduesi i tij. “Bërllog” – është përgjigja e Tafës.

Ky bashkëbisedim në karikaturën e Agim Qenës është po aq aktual edhe 13 vite pas publikimit të tij. Në fundjavë, kur dëgjova Kryeministrin e Kosovës të deklaroj në arat e korrura se “Kosova është bërë hambar për Ballkanin”, gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte karikatura e Tafë Kusurit. Kosova mund të jetë shndërruar në hambar të importeve dhe hambar të bërllogut, por asesi hambar i të mirave të prodhuara në këtë vend. Të dhënat zyrtare të tregtisë dhe konsumit e demantojnë Kryeministrin.

Sipas të dhënave të tregtisë, deficiti tregtar në Kosovë është duke shënuar rritje rekorde që nga pas lufta, duke arritur në shifrën e 2.2 miliard eurove në fund të 2012. Sipas të dhënave të muajit maj 2013, deficiti tregtar vetëm është duke u rritur. Në bazë të të dhënave të Doganave të Kosovës për vitin 2012, shihet se Kosova importon mbi 22.838 ton grurë dhe farë të grurit. Në total, brenda një viti Kosova importon mallra në vlerë prej 43.5 milion eurove për miell dhe produkte të tjera të grurit (apo 1.7% e totalit të produkteve të importuara). Vetëm nga Serbia më 2012 është importuar miell në vlerë prej 12.1 milion eurosh, një rritje prej 4.2 milion eurosh nga viti 2011. Edhe pse Kosova eksporton miell në Shqipëri dhe Maqedoni, shpenzon shumë më shumë në produkte të grurit dhe brumërave të importuara nga këto dy vende.

Është për t’u lavdëruar puna e Ministrisë së Bujqësisë në vitet e fundit. Por me një buxhet vjetor prej 29.8 milion eurosh (apo 1.8% e buxhetit të përgjithshëm të 2013), ku vetëm 11.1 milion prej të cilave shkojnë si subvencione direkte në bujqësi, ende jemi larg së shndërruari në hambar për rajonin. Prodhuesit bujqësor janë prodhuesit më të diskriminuar edhe me qasjen në financa, ku kreditë bujqësore sillen mesatarisht prej 19%.

Kosova është në prag të nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme për tregti të lirë me vendet e BE dhe Turqinë. Në rast se institucionet vendore nuk arrijnë që të identifikojnë produktet bazë të cilat duhet të mbrohen përmes masave tregtare, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshje për Tregtinë e Lirë me Turqinë mund të ndikoj në rritjen e dukshme të deficitetit tregtar dhe demotivimin e prodhuesve vendorë. Ende nuk është bërë publik asnjë studim i fizibilitetit për ndikimin që mund të kenë marrëveshjet e tregtisë së lirë me BE dhe Turqinë. Marrëveshja pa kushte për tregtinë e lirë në vendet e Ballkanit Perëndimor – CEFTA, i ka shkaktuar humbje të mëdha prodhuesve vendorë.

Nëse Kryeministri dëshiron të shoh Kosovën si hambar të Ballkanit, nevojitet një mori masash zhvillimore, duke filluar me masat mbrojtëse për prodhuesit vendor dhe produktet sensitive.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi