Kostoja e Premtimeve te Paarsyeshme

02/08/2013 Shkruan Agron Demi

Në Kosovë, për shumë premtime që jepen nga kandidatët për pozita publike, më shumë duhet me u lut për mos realizimin se sa në suksesin e tyre

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 31 korrik 2013.
Ekzistojnë disa premtime të cilat jepen në fushata parazgjedhore, e mira e të cilave do të ishte mos realizimi i tyre. I tillë është premtimi për krijimin e komunave të reja. Si duket, fushat kryesore elektorale e partisë më të madhe politike në Kosovë këtë vit do të sillet rreth premtimit për krijimin e komunave të reja. Katër vite më parë, Kryeministri i Kosovës premtonte themelimin e universiteteve publike në të gjitha qytetet e mëdha, si Gjilan, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë. 

Pas katër viteve, universitetet publike të krijuara në Prizren dhe Pejë, e kanë vështirësi të kalojnë pragun e akreditimit dhe në disa raste kanë shërbyer edhe si skema mashtrimi për shumë studentë. Këto premtime të pamatura po bartin një kosto të madhe buxhetore.

Njëjtë qëndron puna edhe me premtimet për komunat e reja. Nëse krijohen komuna të reja pa ndonjë kriter, pa kryer studime të detajuara të fizibilitetit, rrezikojmë të krijojmë komuna të cilat nuk do të jenë të qëndrueshme financiarisht dhe administrativisht.

Në bazë të ligjeve në fuqi, 10% e të hyrave totale të buxhetit të Kosovës, duke përjashtuar të hyrat e njëhershme, ndahen si grant i përgjithshëm për komuna, kurse grantet për arsim dhe shëndetësi ndahen në bazë të numrit të nxënësve, shkollave, shërbimeve shëndetësore, etj. Si rrjedhojë, me shtimin e komunave të reja nuk pritet të ketë shpenzime shtesë, si përqindje totale e buxhetit të Kosovës, ngase të njëjtat fonde do të ndahen si për 37 komuna ashtu edhe për 50 komuna. Por, problemi është se me shtimin e numrit të komunave, buxheti ka tendencë të shpenzohet në drejtime të gabuara.

Një javë më parë, Instituti GAP publikoi një analizë për qëndrueshmërinë financiare dhe administrative të komunave të reja. Në bazë të të gjeturave të GAP, del se nëse Qeveria aprovon të gjitha 11 kërkesat për krijim të komunave të reja, rreth 2.9 milion euro do të nevojitet vetëm për pagesën e stafit administrativ në këto komuna. Duke marr parasysh se granti për komuna nuk do të rritet, këto 2.9 milion euro do të merren prej kategorive tjera buxhetore, sidomos nga kategoria e investimeve kapitale. Si rrjedhojë, komunat e reja do të dëmtojnë investimet kapitale për 2.9 milion euro.

Përveç kësaj, komunat e reja do të kenë shumë të vështirë që të ndërtojnë njësi profesionale të menaxhimit të financave lokale, prokurimit publik dhe auditimin e brendshëm. Nëse bazohemi në raportet e Zyrës së Auditorit Gjeneral, keqmenaxhimi me paranë publike është më i madh në komunat e reja se sa në komunat e krijuara para vitit 2009. Po ashtu, nëse sërish bazohemi në shembujt e funksionimit të komunave të reja të parapara me Pakon e Ahtisaarit, shpenzimet për mallra dhe shërbime janë shumë më të mëdha se sa të hyrat vetanake. Për shembull, në vitin 2011, shpenzimet e Komunës së Ranillugut për dreka zyrtare tejkalonin të hyrat vetanake të komunës.

Kosova ka nevojë për rishikim të funksioneve dhe rregullimit territorial të qeverisjes në nivel komunal. Mirëpo, një proces i tillë duhet të jetë i kujdesshëm, gjithëpërfshirës, analitik, dhe jo i motivuar nga vota dhe interesat partiake.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi