Pasqyra e Shtetit

07/08/2013 Shkruan Agron Demi

Pse nuk duhet të mbyllen deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik?

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 7 gusht 2013.
Prej 79.867 të punësuarve në sektorin publik, 3.961 apo 5% prej tyre janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK). Ky 5% i të punësuarve në sektorin publik janë persona të cilët janë të zgjedhur për të mbajtur pozita publike ose janë të emëruar në pozita kyçe në administratën shtetërore. Një muaj më parë, Kryeministri Thaçi, pas një takimi me kreun e AKK, u shpreh se “deklarimi i pasurisë është më i miri në rajon”. Mirëpo, në të njëjtën kohë, Qeveria e udhëhequr nga ai, me mbështetjen e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka filluar përgatitjet për ndryshimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, sipas së cilit parashihet që zyrtarët e lartë publik të mos deklarojnë pasurinë e tyre. Një veprim i tillë i institucioneve publike do të ishte i dëmshëm për shumë arsye:

1. Studime të shumta të psikologëve social kanë dëshmuar në shumë raste se personat nën vëzhgim sillen shumë më ndryshe se sa po të ishin vetëm ose larg syve të publikut. Sipas një studimi të udhëhequr nga social-psikologu Artur Beamen, vetëm vendosja e pasqyrave në hapësirat e punës krijon ndjenjën e vëzhgimit dhe rrit sjelljen e ndërgjegjshme të punonjësve. Largimi i deklaratave të pasurisë nga uebfaqja e AKK do të rris mundësitë e keqpërdorimeve me pasurinë publike dhe qytetarët do të kenë shumë më pak njohuri për zyrtarët e lartë publik.

2. Deklarimi i pasurisë ka shërbyer edhe për marrjen e shumë informatave tjera, përveç pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Indirekt, deklaratat e pasurisë në AKK ka shërbyer edhe si databazë për emrat e të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar të lartë publik. Në vitin 2011, kur në kuadër të Institutit GAP merreshim me shkrimin e analizës për Ligjin për Qeverinë, në asnjë ministri nuk mund të gjenim informatat më bazike për numrin e zëvendësministrave dhe emrat e tyre. Mundësia e vetme për të arritur deri tek kjo informatë ishte duke kontrolluar të gjitha deklaratat e pasurisë të publikuara në uebfaqen e AKK.

3. Qytetarët, mediat dhe shoqëria civile, në pamundësi për të pasur qasje në dokumentet publike lidhur me nivelin e pagave të zyrtarëve publik, mundësinë e vetme për të arritur deri te kjo informatë e kanë përmes kontrollimit të formularëve të deklarimit të pasurisë. Asnjë institucion publik nuk publikon vendimet për nivelin e pagave të zyrtarëve të zgjedhur publik, si deputetët, ministrat, deputetët komunal, kryetarët e komunave, etj. Madje, edhe përmes formularëve të AKK është tepër e vështirë të nxirret kjo informatë ngase zyrtarët publik të cilët mbajnë pozita të njëjta, nuk e deklarojnë njësoj pagën e tyre, dikush e deklaron pagën vjetore bruto, dikush tjetër pagën mujore bruto, pagën vjetore neto, pagën mujore neto, etj.

4. Vetëm nga formularët e deklarimit të pasurisë ne mund ti shohim lidhjet e zyrtarëve të zgjedhur publik me bizneset dhe lidhjet familjare në kuadër të administratës shtetërore. Kjo është shumë e rëndësishme në parandalimin e konfliktit të interesit në punën e zyrtarëve shtetëror.

Në përmbajtjen e formularëve të deklarimit të pasurisë ka shumë hapësirë për përmirësime. Por, AKK deri më tani ka qenë “databaza” më e rëndësishme e informatave për zyrtarët publik. Thirrja për të mbyllur të dhënat e deklaruara në AKK është sulm ndaj transparencës dhe llogaridhënies. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që nga krijimi i saj më shumë është marrë me mbrojtjen e të dhënave të zyrtarëve publik se sa mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve të zakonshëm.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi