Obsiesionimi pas rrugëve

14/08/2013 Shkruan Agron Demi

Cilat janë katër projekte infrastrukturore të cilat janë më me urgjencë për investime se sa ndërtimi i autostradave dhe rrugëve?

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 14 gusht 2013.

 

Eugene Black, president i Bankës Botërore në vitet 1949-1963, citohet të ketë thënë se vendet në zhvillim janë të obsesinuara në tri gjëra: ndërtim autostradash, ndërtim të fabrikave të çelikut dhe ngritja e monumenteve për liderët shtetëror. Qeveria e Kosovës është qeveri e obsesionuar pas rrugëve dhe autostradave.


Kosova ka infrastrukturë publike të pazhvilluar. Infrastruktura në gjendje jo të mirë vështirëson edhe zhvillimin e bizneseve dhe jetës shoqërore në përgjithësi. Mirëpo, qeveritë duhet të vendosin prioritete. Për Qeverinë e Kosovës padyshim ndërtimi i rrugëve është prioritet kryesor. Një nga arsyet se përse vendet në zhvillim përqendrohen në ndërtim të infrastrukturës rrugore është edhe fakti se rrugët ndërtohen relativisht shpejt dhe krijojnë mundësi për promovim politik.


Që nga viti 2001 e deri më tani, investimet kapitale si përqindje e buxhetit të përgjithshëm kanë shkuar duke u rritur në vazhdimësi. Në vitin 2001 investimet kapitale përbënin vetëm 2.1% të buxhetit. Në vitin 2003 kjo përqindje u rrit në 17.5, për tu rritur në 39.1% më 2013. Në vitin 2013, 57.5% e investimeve kapitale janë të orientuara në rrugë, kurse 42.5% në fushat tjera, si arsim, shëndetësi, bujqësi, ujësjellës, kanalizime, trotuare, etj.


Deri më tani, investimi në rrugë dhe autostradë nuk ka ndikuar në rritjen ekonomike, punësim dhe ulje të varfërisë. Andaj, nevojitet ri-orientim i investimeve kapitale. Ekzistojnë së paku katër fusha të cilat kërkojnë investime më urgjente se sa rrugët:


Furnizimi i qëndrueshëm më ujë të pijes. Kosova është një ndër vendet më të rrezikuara në Evropë nga mungesa e burimeve të mjaftueshme të ujit të pijes. Përveç Prishtinës, edhe qytete tjera të Kosovës, sidomos Mitrovica, Gjilani, Vushtrria, Dragashi, kanë probleme të mëdha me furnizim me ujë të pijes. Investimet në burimet e ujit të pijes duhet të përqendrohen në gjetjen e burimeve të reja të ujit, shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe sanimin e rrjetit aktual.


Shëndetësia. Përderisa Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna janë në gjendje të mirë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet regjionale janë në gjendje të mjerueshme. QKUK ka nevojë për investime të mëdha dhe ndihet nevojë urgjente në ndërtimin e Spitalit Regjional të Prishtinës.


Trajtimi i ujërave të zeza. Në Kosovë nuk funksionon asnjë kolektor i ujërave të zeza. Një kolektor i tillë i ndërtuar në Komunën e Skenderajt nuk është funksionalizuar asnjëherë. Në të gjitha komunat e Kosovës ekzistojnë zona të cilat rrezikohen nga sëmundje që mund të shkaktohen nga derdhja në sipërfaqe e ujërave të zeza. Qyteti i Gjilanit edhe pas 14 viteve që nga pas lufta nuk ka arritur të evitoj problemin e ujërave të zeza. 


Ngrohtoret. Në Kosovë ekzistojnë vetëm tri qytete në të cilat ekziston (por në shumicën e rasteve nuk funksionon) ngrohtorja e qytetit: Prishtina, Mitrovica dhe Gjakova. Përkundër rinisjes së punimeve për projektin e ko-gjenerimit, prapë se prapë “Termokos” nuk do të arrij që të zgjidh problemin e ngrohjes në tërë qytetin. Investimi në ngrohtore do të ulte dukshëm kërkesën për energji elektrike.


Këto katër probleme zgjidhen vetëm me investime dhe koordinim të përbashkët të nivelit qendror dhe lokal dhe bashkërendim të donatorëve. Me 1 miliard euro të investuara në autostradën për Shqipëri do të zgjidheshin në masë të madhe këto katër probleme, nëse Qeveria do të vendoste prioritetet në këto katër fusha. Andaj, projekti i autostradës për Shkup, duhet të ngrihet dhe ti jepet prioritet fushave tjera të cilat janë më jetike.

 

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi