Ndikimi Ekonomik i DokuFest

21/08/2013 Shkruan Agron Demi

Përveç ndikimit kulturor dhe social, DokuFest ka ndikim mjaft të rëndësishëm edhe në ekonominë e Prizrenit

Kolumne e publikuar në gazetën `Tribuna`, 21 gusht 2013.

 

DokuFest është ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë. I iniciuar afro 12 vite më parë, festivali i filmave të shkurtër dhe dokumentar tani më rangohet si një ndër festivalet më të mira dhe më interesante në botë. Por, ajo për çfarë njihet shumë pak DokuFest, është edhe ndikimi ekonomik që ky festival i sjell Kosovës në përgjithësi dhe qytetit të Prizrenit, në veçanti.


Veçori e DokuFest nga shumë festivale tjera të këtij lloji është se aktiviteti kryesor i festivalit zhvillohet në ambiente të hapura, duke përfshirë në festival tërë qytetin. Rrjedhimisht, impakti ekonomik i DokuFest për qytetin e Prizrenit është më i madh, por edhe më i vështirë për tu matur me saktësi.


Zhvendosja e festivalit nga hapësira e mbyllura në hapësira publike, i sjell përfitime materiale bizneseve lokale, shitësve ambulant dhe institucioneve publike. Në vitin 2012, ishin mbi 10.000 bileta të shitura për të shikuar filmat e shfaqur në festival. Mirëpo, pjesa më e madhe e vizitorëve të DokuFest, nuk zgjedhin të shikojnë ndonjë film, por vetëm të marrin pjesë në aktivitetet e ndryshme të cilat organizohen në kuadër të festivalit. Për këtë qëllim, numri i përgjithshëm i vizitorëve është vështirë të matet. Në edicionin jubilar të 2010, vizitorët e DokuFest vinin nga mbi 55 vende të ndryshme të botës. Përfituesit më të mëdhenj nga aktivitetet e festivalit janë bizneset lokale, hotelet, shtëpitë private të cilat lëshojnë dhoma me qira, pronarët e parkingjeve, shitësit ambulant, e deri edhe tek kompanitë e telefonisë mobile, taksitë, kompanitë turistike. Sipas një studimi të Institutit GAP, në vitin 2011 DokuFest kishte një ndikim direkt ekonomik prej 3.1 milion euro, kurse nëse në përllogaritje hyjnë edhe shpenzimet e konsumit, atëherë ndikimi vjetor është 3.8 milion euro. Ndikimi ekonomik i DokuFest për një periudhë katërvjeçare pritet të jetë 17.5 milion euro.


Përkundër ndikimit ekonomik për qytetin e Prizrenit, institucionet vendore të nivelit lokal dhe qendror nuk kanë bërë mjaft që të përkrahin këtë festival të rëndësishëm. Komuna e Prizrenit në 2013 i ka ndarë 15.000 euro DokuFest, kurse për festivalin “9/11” i cili mbahet në Prishtinë ka ndarë 10.000 euro. Shumë të njëjtë me Komunën e Prizrenit për Dokufest ka ndarë edhe Ministria e Kulturës, kurse financiarisht kanë kontribuar edhe Ministria e Integrimeve Evropiane dhe ajo e Punëve të Jashtme. Institucionet publike vazhdojnë të trajtojnë DokuFest në nivel të barabartë me të gjitha organizimet tjera, edhe pse festivali i DokuFest është dukshëm festivali më i suksesshëm dhe më me ndikim.


Por, nëse institucionet publike nuk kanë mundësi të mbështesin financiarisht organizimin e DokuFest, së paku të kryejnë obligimet e tyre institucionale, duke mundësuar që gjatë ditëve të festivalit qyteti i Prizrenit të ketë mjaftueshëm ujë të pijes, të pastrohen rrugët nga mbeturinat dhe punët publike në infrastrukturën rrugore të mos fillohen në kohën e festivalit. Nëse nuk mundeni me bë mirë, së paku sherr mos shkaktoni.

 

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi