Shteti Joefiçient

28/08/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si po qohen dëm burimet e energjisë dhe ujit si pasojë e keqmenaxhimit në ndërmarrjet publike?

Kosova është një vend që prodhon pak. Por, njëkohësisht, Kosova është vend i cili atë që e prodhon e prodhon me humbje të mëdha. Në bazë të Strategjisë së Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2012-2016, bizneset në Kosovë përballen me dy probleme madhore: mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me ujë dhe mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me energji elektrike.

Zakonisht, strategjitë e Qeverisë dhe ndërmarrjeve publike kanë qenë të atilla që të rritet prodhimi i energjisë dhe gjetja e burimeve të reja të ujit. Por, qasja më urgjente do të duhej të ishte eliminimi i humbjeve teknike dhe komerciale në këta dy sektorë. 

Humbjet e ujit. Në bazë të Planit të Biznesit 2013-2015 të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, humbjet teknike dhe komerciale janë 52%. Çfarë do të thotë se më shumë ujë humbet, se sa që arrin të faturohet! Ujësjellësi rajonal “Prishtina” as nuk e ka të qartë se sa prej këtyre humbjeve janë teknike e sa komerciale. Nëse do të arrihej të eliminoheshin humbjet e ujit deri në shkallën 10%, Prishtina dhe qytetet përreth do të furnizoheshin me ujë 24 orë pa ndonjë problem. Për shumë vite, thirrja e KUR “Prishtina” drejtuar konsumatorëve ishte: Kurseni ujin!; e në fakt ata që do të duhej përnjëmend të kursejnë ujin janë vetë kompania e ujësjellësit. Për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, institucionet publike janë duke shikuar mundësinë e gjetjes së burimeve të reja të ujit. Por, krahas burimeve të reja, gjithsesi do të duhej që fokusi të përqendrohej më shumë në zvogëlimin e humbjeve. Situatë e njëjtë është në ujësjellësit e rajoneve tjera: Në Gjilan humbjet e ujit janë 55%, në Prizren 37.4%, në Gjakovë 67%, etj.

Humbjet e energjisë. Qeveria e Kosovës shitjen e Rrjetit të Energjisë (KEDS) e ka argumentuar me atë se përmes kapitalit privat synohet që të eliminohen humbjet teknike dhe komerciale dhe të eliminohen rastet e ndërprerjes së rrymës. Pas shitjes së KEDS (maj 2013), reduktimet e energjisë elektrike janë shtuar, kurse plani për eliminimin e humbjeve teknike është pothuajse i njëjtë me dinamikën e eliminimit të humbjeve të adaptuar nga KEK deri më tani. Rreth 37% e energjisë së prodhuar humbet për shkak të vjedhjeve komerciale dhe humbjeve teknike. Kjo shifër është e barasvlefshme me prodhimin aktual të energjisë nga termocentrali “Kosova A”. Ashtu sikurse edhe me jo efiçiencën e ujësjellësve, edhe në fushën e energjisë fokusi primar i Qeverisë deri më tani ka qenë ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë nga qymyri.

Gjendje pothuajse e njëjtë ekziston edhe me rrjetin e ngrohtores së Prishtinës, ku për shkak të gypave të vjetruar, një pjesë e madhe e nxehtësisë humbet .

Sipas Strategjisë së Energjisë së Kosovës 2009-2018, humbjet e energjisë i kushtojnë Kosovës (konsumatorëve) rreth 70 milion euro në vit. Humbjet financiare në kompanitë rajonale të ujësjellësit janë enorme. Si shembull, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” humb ujë në vlerë prej 6.3 milion eurosh në vit, kurse KUR “Prishtina” humb rreth 14 milion euro në vit.

Përkundër këtij keqmenaxhimi të kompanive publike, përkundër humbjeve alarmante të energjisë dhe sidomos ujit, përkundër raporteve negative të performancës, përkundër shkeljeve të shumta të financave të identifikuara në raportet e auditimit, Qeveria e Kosovës i ka vazhduar mandatin të gjithë anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi