Premtimi i Parajsës në Komuna

05/09/2013 Shkruan Agron Demi

Reflektim mbi premtimet e katër viteve më parë për investime dhe vende të reja të punës nëpër komuna

Publikuar në gazetën "Tribuna", 4 shtator 2013.
“Investime 2009-2013”
Në katër vitet në vazhdim, në Ferizaj do të investohen 120 milion euro. Investime në vlerë prej 100 milion eurosh për Gjilanin e PDK-së. Investime në vlerë prej 50 milion eurosh për Klinën në mandatin qeverisës katër vjeçar. Investime në vlerë prej 52 milion eurosh në Malishevë (13 milion euro për secilin vit). Në Kamenicë do të investohen 50 milion euro për katër vite. Për Mitrovicën 120 milion euro. Për Prizrenin 170 milion euro investime për periudhën 2010-2013. Për Rahovecin e PDK-së, 50 milion euro. Në Prishtinë, do të investohen 700 milion euro për katër vite. Në Shtime do të investohen 45 milion euro.

“Vende të reja të punës 2009-2013”
Do të hapen 5.000 vende të reja të punës në Komunën e Lipjanit. Angazhimin e 500 punëtorëve sezonal në mbrojtjen e pyjeve në Deçan. Hapjen e 500 vendeve të reja të punës në Dragash. Punësimin e 600 punëtorëve të rijnë në Parkun e Biznesit në Drenas. Krijimin e 7.000 – 8.000 vendeve të reja të punës në Gjakovë. Punësimi i 4.000 punëtorëve të rijnë në Gjilan (nga 1.000 për çdo vit). Hapjen e vendeve të reja të punës në Obiliq, pasi të ndërtohet “Kosova e Re”. Punësimin e 3.500 qytetarëve në Komunën e Pejës. Krijimin e 500 vendeve të reja të punës në qendrën e skijimit në Shtërpcë. Punësimin e 400-500 punëtorëve të rijnë në Parkun Teknologjik të Skenderajt. Hapjen e parkut të biznesit në Vushtrri dhe punësimin e 2.000 punëtorëve të rijnë.

Realiteti 2013
Shifrat e mësipërme për miliona euro invetsime dhe mijëra vende të reja të punës, nuk janë shifra të shpikura, por janë premtime të dala nga goja e liderëve politik në zgjedhjet lokale të 2009. Saktësisht: premtimet e përshkruara në paragrafin e parë janë premtimet e dhëna nga Kryeministri i Kosovë për komunat të cilat do të përzgjedhnin kandidatin e PDK; premtimi për investime në vlerë prej 700 milion eurosh për katër vite është premtim i Kryetarit të Prishtinës z.Isa Mustafa, kurse premtimet në paragrafin e dytë të këtij shkrimi janë premtime të kryetarëve të komunave.

Tani, pas katër viteve, të dëgjosh këto premtime duken më shumë se qesharake. Shuma totale e investime të premtuara në dhjetë komuna të përmendura në paragrafin e parë të këtij shkrimi kap vlerën e më shumë se 1.4 miliard eurove. Kurse në realitet, për katër vite prej buxhetit të përgjithshëm të Kosovës janë shpenzuar 2.1 miliard euro në projekte kapitale në krejt Kosovën (800 milion prej të cilave në autostradë). Premtimeve të Kryeministrit për milionat e investimeve u’a kanë parë sherrin edhe vetë kryetarët e komunave.

Kurse nëse grumbullohen vetëm shifrat e premtuara për hapjen e vendeve të reja të punës del se në Kosovë do të duhej tani të ekzistonin rreth 23.000-24.100 vende të reja të punës. E në fakt, shifrat e punësimit më 2013 mbesin të njëjta me ato të fundit të 2009.

Gjithkund në vendet demokratike, ku pushteti synohet të fitohet përmes garës zgjedhore, kandidatët për postet publike dalin me ofertën qeverisëse. Por, në vendet e zhvilluara demokratike, ata mbahen përgjegjës nga zgjedhësit e tyre. Sipas teoricientit të demokracisë Giovanni Sartori, në ekonomi mashtrimi apo tendenca për të “shitur dushk për gogla” është e dënueshme para ligjit, kurse në politikë, nëse zgjedhësit nuk janë të vëmendshëm, politikanët edhe mund të “shesin dushk për gogla” dhe të shpëtojnë pa u ndëshkuar.

Mos realizueshmëria e premtimeve nuk duhet të merret si shkak për mos daljen në zgjedhje të 2013. Por zgjedhjet e dy muajve më vonë duhet të shfrytëzohen si akt për të dënuar me votë ata që më 2009 kanë “shitur dushk për gogla”. 
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi