Çfarë të hetohet?

24/10/2013 Shkruan Agron Demi

Disa nga pikat te cilat duhet të jenë objekt hetimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Procesin e Privatizimit të PTK

Publikuar në gazetën "Tribuna", 23 tetor 2013.
Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të konkretizoj nismën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar procesin e privatizimit të PTK. Themelimi i një komisioni të tillë hetimor është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të kuptojnë më thellësisht dhe në mënyrë objektive se si u menaxhua ky proces dhe kush e mban përgjegjësinë politike. 

Që nga komisioni i parë hetimor i themeluar më 2007 për të hetuar keqmenaxhimet në Kuvendin e Kosovës gjatë kohës sa ky institucion udhëhiqej nga Nexhat Daci, e deri tek komisioni i fundit parlamentar për të hetuar faturat e energjisë elektrike, komisionet hetimore nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh. Komisionet hetimore kanë vetëm një rol: adresimin e përgjegjësisë politike. Në shtetet demokratike, kjo nuk është pak. Raporti i komisionit hetimor nuk zëvendëson punën e gjykatave, por mund të ndihmoj ato në rast se niset një proces gjyqësor.

Duke shpresuar se Kuvendi i Kosovës do të arrij të themeloj Komisionin hetimor për PTK, më poshtë po rendis disa pika të cilat duhet të jenë objekt i hetimit të këtij procesi të filluar më 23 tetor 2008 me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

1. Parashikimi i çmimit të PTK. Që nga fillimi, Qeveria e Kosovës ka paragjykuar çmimin e PTK. Fillimisht në KASH 2010-2012 ishte përfshirë çmimi prej 500 milion euro. Ky paragjykim i çmimit u kundërshtua nga deputetët në seancën e 11 qershorit 2009. Më vonë, në Ligjin për Buxhetin e 2011, Qeveria uli çmimin e PTK në 300 milion euro. Në fund oferta më e lartë e AXOS nuk doli të jetë as afër 300 milionëshit të kërkuar. Se si e ka ndikuar çmimin e ofertës ky paragjykim i Qeverisë, kjo duhet të jetë objekt hetimi i komisionit hetimor.

2. Miliona euro të shpenzuara për këshilltarët e transakcionit. Nga shtatori 2009 e deri më tani, Qeveria e Kosovës ka angazhuar dy kompani këshilluese dhe së paku 5 ekspertë për të mbështetur Njësinë për Implementimin e Projektit. Në total, rreth 3.8 milion euro u shpenzuan vetëm për shërbime këshillimi, këshilla të cilat sollën një proces të dështuar. Komisioni hetimor duhet të identifikoj përgjegjësit për shpenzimin e këtyre mjeteve.

3. Anashkalimi i Kuvendit. Përkundër asaj se këshilltarët e transaksionit kishin përgatitur strategjinë për shitjen e aksioneve të PTK, ky dokument nuk u aprovua kurrë në Kuvend. Përkundër asaj se neni 9 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike kërkon që Kuvendi të vendos për shitjen e aksioneve të ndërmarrjeve publike, para se Qeveria të procedoj me teknikalitetet e shitjes, në praktika ka ndodh e kundërta: Qeveria ka ndjekur të gjitha procedurat deri në gjetjen e blerësit potencial dhe tek tani po kërkon legjitimimin nga Kuvendi. 

4. Aksionarët e AXOS. Tani, pasi që vetëm dihet ofertuesi final, komisioni hetimor duhet të gërmoj edhe në gjetjen e më shumë informatave për historikun dhe aksionarët e AXOS.

5. Menaxhimi i brendshëm i PTK. Përveç hetimit të përgjegjësisë politike në kuadër të Qeverisë, komisioni hetimor duhet të hetoj edhe menaxhimin e PTK. Dy çështje kyçe që mund të fillohet të hetohen janë: investimet në PTK, pas vendimit të Qeverisë për ngrirjen e investimeve, dhe punësimet e reja, po ashtu pas vendimit të Qeverisë për mos punësime në PTK.

Përgjatë këtyre viteve, PTK ka qenë një “kuti e zezë” sa i përket transparencës dhe llogaridhënies. Andaj, komisioni hetimor duhet të vë në pah punën që është bërë përgjatë këtyre viteve në ndërmarrjen më profitabile në Kosovë.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi