Paralizimi i shtetit në kohë zgjedhjesh

07/11/2013 Shkruan Agron Demi

Sa humbet sektori publik nga angazhimi i shërbyesve publik në zgjedhje?

Kur në fund të tetorit, tri ditë para zgjedhjeve lokale, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri lavdëroi anëtarët e Qeverisë së tij për angazhimin e vazhdueshëm në detyrën shtetërore, duke mos u penguar nga fushata, mediat e klasifikuan këtë deklarim si hajgare të Kryeministrit. Gjatë tërë fushatës, i tërë kabineti qeveritar ishte i angazhuar në forma të ndryshme në zgjedhje, qoftë direkt, duke u kandiduar, ose indirekt, duke mbështetur kandidatët e partisë së tyre.

Dy ditë para zgjedhjeve lokale, Instituti GAP publikoi një seri të dhënash mbi numrin e saktë të shërbyesve publik të angazhuar në zgjedhje. Sipas këtyre të dhënave, del se në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013, në listat zgjedhore ishin gjithsejtë 1.904 shërbyes publik, apo 24% e listës së kandidatëve për zgjedhje. Tani, kur merret numri total i të punësuarve në sektorin publik, numri prej 1.904 shërbyesve publik të angazhuar në zgjedhje nuk duket një shifër edhe aq e madhe. Por, nëse shikohet nga aspekti i listës së kandidatëve, pjesëmarrja prej 24% e shërbyesve publik në zgjedhje është një shifër mjaftë e lartë. Kjo mund të shpjegohet nga dy aspekte: 1. partitë politike kanë ndikuar në punësimet në shërbimin publik dhe në kohë zgjedhjesh kërkojnë nga këta individë që të kandidohen; dhe 2. Pagat në sektorin publik janë të ulëta dhe shërbyesit publik tentojnë që të marrin një pagë shtesë publike duke u zgjidhur anëtar të kuvendit komunal.

Nuk ekziston bazë e qartë ligjore sa i përket angazhimit të shërbyesve publik në zgjedhje. Për shembull, në bazë të Ligjit për shërbimin civil, shërbyesit civil kërkohet që të marrin një muaj pa pagesë në rast se kandidojnë për zgjedhje. Në këto zgjedhje lokale ishin të angazhuar 191 shërbyes civil.

Në anën tjetër, mësimdhënësve dhe punonjësve shëndetësor, u kërkohet që të marrin dy muaj pa pagesë, në rast të kandidimit në zgjedhje. Në këto zgjedhje lokale u aktivizuan 598 punonjës nga arsimi para universitar dhe 46 nga Universiteti i Prishtinës. Nga sektori i shëndetësisë, 108 punonjës shëndetësor nga mjekësia primare ishin të angazhuar në zgjedhje, 48 nga mjekësia sekondare dhe 27 nga Qendra Klinike Universitare. Kurse, për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Kuvendit të Kosovës, nuk ekziston asnjë kufizim në pagesë dhe në mënyrën e angazhimit në zgjedhje. Këta persona nuk obligohen që të marrin pushim pa pagesë, në rastet kur kandidojnë në zgjedhje lokale. Ironia është se një deputet i Kuvendit të Kosovës merr pagën e tij nëse kandidohet në zgjedhje, kurse një mësues duhet të heq dorë nga paga e tij për dy muaj!

Tani, dikush mund të argumentoj se nga angazhimi i këtyre shërbyesve publik, buxheti i Kosovës mund të kursej në paga. Por, dëmet janë shumë më të mëdha. Mësimdhënësi i cili duhet të zëvendësohet në mësimdhënie për dy muaj, dëmton nxënësit e tij në procesin mësimor. Shërbyesi civil i cili do të mungoj nga vendi i tij i punës, do e dëmtoj mbarëvajtjen e punëve në institucionin ku ai punon. Më e keqja: tërë resurset publike, të cilat gjenden në dispozicion të institucioneve, siç janë automjetet zyrtare, e drejta e qasjes në telefona zyrtar, karburante e reprezentacion, shpenzohet në fushatë zgjedhore.

Andaj, nevojitet ndryshimi i bazës ligjore, e cila vendos më shumë rregull sa i përket kritereve në angazhimin e shërbyesve publik në zgjedhje dhe parasheh dënime të ashpra për ata të cilët shfrytëzojnë resurset publike në fushata personale.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi