Katër Fatkeqësitë e Buxhetit të Kosovës

12/11/2013 Shkruan Agron Demi

Mbi logjikën e prapët të hartimit të buxhetit dhe shfrytëzimit të tij në funksion të fushatës zgjedhore, e jo në funksion të zhvillimit ekonomik.

Publikuar në gazetën "Tribuna", 12 nëntor 2013.
Fatkeqësisht, buxheti është një nga instrumentet kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Them fatkeqësisht ngase në mungesë të një politike monetare, në mungesë të investimeve të huaja, në mungesë të zhvillimit të sektorit privat, po i mbetet shtetit që përmes Buxhetit shtetëror, të vendos kahet e zhvillimit ekonomik. Përmes buxhetit të Kosovës, Qeveria vendos se cilat kompani do të shpërblehen me kontrata publike e cilat do të falimentojnë, anëtarët e cilave familjeve dhe partive politike do të punësohen në sektorin publik e cilat do të mbesin jashtë, cilat biznese do të tatimohen e cilat do të falen, cila komunë do të shpërblehet me investime e cila do të dënohet për shkak se nuk ka votuar për “mbajtësin e kuletës” së qytetarëve.

Fatkeqësisht, ndarjet buxhetore për vitin 2014, në formën si janë aprovuar në Qeveri, janë vazhdimësi e politikave që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Që nga 2008, në krye të Ministrisë së Financave kanë qenë tre ministra të ndryshëm. Por, logjika buxhetore ka mbetur e njëjtë. Ligji i Buxhetit i aprovuar nën udhëheqjen e Ahmet Shalës, është i njëjtë me ligjet e aprovuara në kohën kur MF udhëhiqej nga Bedri Hamza dhe tash nga Besim Beqaj. Edhe nëse të hyrat buxhetore do të rriteshin me miliarda euro, Qeveria këto të hyra shtesë buxhetore do ti shpenzonte me logjikën e njëjtë: më shumë asfalt, më shumë të punësuar në sektorin publik, më shumë paga. Të gjithë ministrat kanë luajtur lojën e kontabilistit të Kryeministrit. 

Fatkeqësisht, Qeveria asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të programeve të saj, për të parë nëse shpenzimet në kategori të caktuara kanë arritur efektin e dëshiruar. Në mungesë të një vlerësimi të tillë, vazhdohet edhe më tutje që investimet të orientohen në asfalt. Ndërtimi i rrugëve është një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Mirëpo, shembujt e gjertanishëm kanë treguar se investimi në rrugë, duke lënë anash sektorët tjerë zhvillimor, nuk është treguar i efektshëm. Më e keqja, duke kontraktuar kompanitë e huaja për ndërtimin e autostradave, një pjesë të madhe të buxhetit shtetëror Qeveria po e dërgon jashtë vendit. Paradoksalisht, buxheti i Kosovës dhënë Bechtel&Enka llogaritet si investim i huaj direkt! 

Fatkeqësisht, procedura e aprovimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës mund të sjellë krizë institucionle dhe zgjedhje të jashtëzakonshme. Koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për të kaluar buxhetin. Partitë opozitare, në formën se si ka shkuar buxheti në Kuvend, nuk mund dhe nuk do të duhej ta aprovonin. Si munden partitë opozitare që të mbështesin një buxhet i cili është dizajnuar për interesat elektorale të partisë në pushtet? Rritja e shpenzimeve për “mallra dhe shërbime”, rezerva buxhetore për paga, etj., janë kalkulime të partisë në pushtet për të fituar vota në nivel lokal dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Historikisht, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të bëj ndërhyrje të mëdha ne ndarjet buxhetore. Një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as këtë vit. Sipas të gjitha gjasave, diskutimet rreth buxhetit do të vazhdojnë deri në mars të 2014, atëherë kur sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike është edhe afati i fundit për të aprovuar buxhetin.
Këto fatkeqësi nuk do të ekzistonin nëse Qeveria e Kosovës do të aplikonte konsultimet publike në hartimin e buxhetit, do të merrte parasysh analizat dhe vlerësimet për efektivitetin e ndarjeve buxhetore, nëse do të orientonte buxhetin në funksion të zhvillimit ekonomik e jo në funksion të fitimit të votave.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi