Kur shteti të ka borxh

20/11/2013 Shkruan Agron Demi

Gjithnjë e më shumë shteti i Kosovës po hyn në borxh ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Publikuar në gazetën "Tribuna", 20 nëntor 2013.
Ditë më parë, sindikalistët e shërbimit civil dhe atij të arsimit, i kujtuan kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, se shteti ua ka borxh dy rroga të dy muajve të parë të 2011. Gjatë fushatës zgjedhore të 2010, Kryeministri nën presion të fushatës dhe duke e konsideruar Buxhetin e shtetit si kuletë të veten personale, kishte premtuar rritje të pagave për punonjësit e sektorit publik, duke filluar nga janari 2011. Mirëpo, për shkak zvarritjes së aprovimit të buxhetit, pagat me rritje dolën vetëm nga marsi 2011, me premtimin se në mënyrë retroaktive punonjësit publik ato mjete do ti marrin edhe për dy muajt tjerë. 

Po në kohë zgjedhjesh parlamentare të 2010, Gjykata Kushtetuese mori vendim me anë të së cilit obligohej Qeveria që të paguaj 30 milion euro dëmshpërblim për punonjësit e Fabrikës së Tubave në Ferizaj. Qeveria nuk e përmendi asnjëherë këtë obligim ligjore, deri në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale, ku në Ferizaj Kryeministri ju premtoi ish-punonjësve të kësaj fabrike se Qeveria do të shlyej çdo obligim ndaj tyre. Nuk mjaftuan mbi 100 protesta, siç u shpreh sindikata e kësaj fabrike për të bindur Qeverinë që të respektoj këtë vendim gjyqësor. Mjaftoi vetëm një fushatë zgjedhore.

Komunat gjithnjë e më shumë po hyjnë në obligime kontraktuale me kompanitë private për kryerjen e punëve publike. Por, në shumicën e rasteve komunat u mbesin borxh kompanive. Në bazë të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, vitin 2012 Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur me mbi 3.2 milion euro borxh ndaj kompanive dhe individëve, ajo e Skenderajt me 1.5 milion euro, Mitrovicës 1.3 milion euro, Komuna e Shtërpcës me mbi 1 milion euro, etj. Bizneset të cilave nuk u është paguar puna me kohë, kanë hasur në vështirësi në pagesën e punëtorëve të tyre, shlyerjen e obligimeve bankare, etj.

Tani, në kohë fushate, u premtua rritje pagash për 100% për punonjësit arsimor, nga 25% në vit. U premtua po ashtu pagesa për punonjësit arsimor në vite e ’90-ta. U premtua rritje pagash për shërbyesit civil dhe ata të shëndetësisë. Por projektbuxheti i 2014, i cili do të shqyrtohet nesër në Kuvend, nuk arrin që të akomodoj të gjitha këto premtime për paga. Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2014-2016, për paga dhe mëditje në arsim për vitin 2013 u ndanë mbi 124.4 milion euro. Po i njëjti dokument parasheh rritje pagash prej 7% në vitin 2014. Nëse Qeveria mban premtimin për rritje pagash në arsim prej 25%, atëherë më 2014 buxheti për paga për arsimin fillor dhe të mesëm do të duhej të ishte 155.3 milion euro, apo një rritje prej 31 milion eurosh. Në projektbuxhetin për 2014, Qeveria ka paraparë një kontingjent pagash prej 45 milion eurosh. Nëse 31 milion prej tyre destinohen për paga për arsimtarë, mbeten vetëm 14 milion euro për rritje pagash për punonjësit tjerë publik. Rrjedhimisht, është e pamundur që Buxheti 2014 të akomodoj të gjitha premtimet e Kryeministrit. Kryeministri dhe Qeveria po hyjnë sërish borxh tek qytetarët.

Personalisht nuk do doja që këto premtime të realizoheshin, ngase kjo rritje e pagave dhe shpenzimet në kategori tjera nuk po bëhet për shkak të rritjes së zhvillimit ekonomik, por është rritje artificiale e cila do të mbulohet pastaj me rritje të taksave dhe tatimeve. Por, Kryeministri dhe Ministri i Financave, kanë harruar se si është të pritet rroga në fund të muajit me shpresë se paga e muajit të ardhshëm do të rritet për 25%. Për këtë arsye, nuk kanë fare përgjegjësi për fjalët që thonë dhe shpresat e rrejshme që ngritin tek qytetarët.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi