Nuk do duhej të ishte befasi

05/12/2013 Shkruan Agron Demi

Qytetarët me votën e tyre dhanë dënimin politik për keqqeverisjen në nivel lokal. Tani është në dorë të prokurorisë dhe gjykatave që të japin verdiktin e tyre për keqmenaxhim me fondet publike.

Publikuar në gazetën "Tribuna", 4 dhjetor 2013.
E pranoj se këto zgjedhje lokale më befasuan. Rezultati në disa komuna të Kosovës më befasoi për mirë, kurse në disa të tjera për keq. Mitrovica më befasoi edhe për mirë edhe për keq. Në shumicën e komunave më befasoi inteligjenca e votuesve kosovar, të cilët me votë ndëshkuan keqqeverisjen. Por, në një sistem demokratik dhe në një vend normal, befasi nuk do të duhej të ishte se si humbën kryetarët e komunave të përfolur për lloj-lloj keqpërdorimesh. Përkundrazi, do të ishte befasuese dhe goditje për sistemin demokratik të qeverisjes nëse një komunë do të “fitohej me duar në gjepa” dhe pa respektuar fare kushtin themelor të demokracisë – debatin. Do të ishte befasi nëse në Pejë do fitonte koalicioni PDK-AAK, anëtarët e të cilave deri dje akuzonin njëra-tjetrën si tagrambledhës të SHIK apo ndërtues ilegal në pronë publike e me prona personale në Dubai (me që ra fjala, nuk po më kujtohet që AAK apo PDK të kenë paditur njëra tjetër për “shpifje”, ashtu siç u kërcënua Gazmend Muhaxheri?). 

Por, nëse na befason për mirë vota e qytetarëve në disa komuna, do të duhej të befasoheshim për keq për mënyrën e votimit në disa të tjera. Kryetari më i votuar i një komune është kryetari i Skenderajt i cili muajt e fundit i ka kaluar në burg. Në qytetin e dytë më të madh në Kosovë, garën për kryetar të komunës e fitoi kandidati i cili moshën e pleqërisë po e kalon në bankën e të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. 

Paradoksi i këtyre zgjedhjeve është Mitrovica: atje u dënua keqqeverisja e Avni Kastratit, por qeverisja iu besua Agim Bahtirit - një kandidati i cili gjatë fushatës zgjedhore ka dëshmuar se njeh në përpikëri llojet e kërpudhave, por nuk ka fare ide se si funksionon një komunë. E tërë fushata e tij u soll rreth asaj se si bizneset e tij nuk po arrijnë të pajisen me numër fiskal. Me siguri ai do befasohet kur ta kuptoj se as si kryetar komuna nuk do mundet ato biznese me i pajis me numër fiskal, ngase nuk është kompetencë e tij.

Por, në disa komuna, përkundër ndërrimit të pushtetit, nuk ka arsye për eufori. Qytetarët e Kamenicës, Suharekës, Lipjanit e Gjilanit, do të qeverisen nga ish kryetarët, largimi i të cilëve u festua më 2007 dhe 2009. Thjesht, në këto komuna u zgjodh e keqja më e vogël.

Por, vota nuk do duhej të ishte ndëshkimi i vetëm për kryetarët e larguar. Të gjeturat e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm për menaxhimin e parasë publike do të duhej të adresoheshin nga ana e prokurorisë dhe gjykatave. Shumica e komunave të Kosovës kanë mbajtur në fshehtësi të plotë shpenzimin e parasë publike. Andaj, një nga detyrat e para të kryetarëve të rinjtë është që të publikojnë të dhënat e detajuara për shpenzimin e parasë publike për vitet e kaluara dhe mandatin e tyre ta fillojnë me transparencë të plotë buxhetore. 

Në komunat ku numri i familjeve me asistencë sociale arrin deri në 2.636 (Mitrovica me numrin më të madh të familjeve me asistencë sociale), të vozitësh me veturë të tipi më të ri dhe të shpenzosh buxhet në telefonat më të ri mobil, dreka zyrtare e të favorizohen bizneset familjare, është keqpërdorim i madh i parasë publike, për çka dikush do të duhej të jap llogari.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi