Falsifikimi i notave, i diplomave, regjistrimi me para, përfundimi i studimeve duke dhënë para, marrja e titujve duke u bazuar në botime pseudo-shkencore, janë vetëm disa nga gjerat e shpërfaqura se fundmi në Universitetin e Prishtinës. Realisht, por fatkeqësisht, nuk me tingëllojë rastësi fakti se pikërisht personat falsifikues të diplomave dhe notave rezultuan të kenë qenë pretendues për pozita politike në zgjedhjet e fundit, madje se paku njeri nga ta tani me ka fituar ulësen në Kuvendin komunal të Prishtinës.
Ukshin Hoti në shkrimet e tij të përmbledhura në librin “Filozofia Politike Shqiptare” thotë se në disa raste shqiptarët kanë humbur duke u përpjekur të adaptohen brenda të keqes, në vend që të konsolidohen ta kundërshtojnë atë. Përpjekja për t’u adaptuar brenda të keqes që e ka kapluar Universitetin e Prishtinës vazhdon, përpjekja për ta ndryshuar, përmirësuar imazhin dhe cilësinë me shume është individuale se sa institucionale.
Menjëherë pas arrestimit të dymbëdhjetë personave në Universitet, njeri nga personat që bënë pjesë në hallkën e menaxhmentit të Universitetit, shfrytëzoi hapësirën televizive, në një emision me premisa humoristike që të tregojë ‘seriozitetin’ e punës. Ai fillimisht ia bëri të ditur audiencës se për të folur për sukseset e UP duhet orë, javë e muaj.
Për aq sa foli tregoi se kanë qenë studentët e këtij Universiteti që janë ngritur kundër Serbisë, që jo vetëm kanë qenë nismëtarë, por edhe vendimtarë në proceset historike të Kosovës. Audienca duartrokiste, moderatori u zgërdhiej, të gjithë dukeshin të kënaqur. Pra pesëmbëdhjetë vite pas lufte, Universitetit ende justifikikohet me demonstratat e ‘81, ‘89, ‘97. Këto padyshim kanë qenë të rëndësishme, por në pikëpamje patriotike.
Tani duhet vlerësuar e referuar në pikëpamje akademike. Për të (mysafirin), e rëndësishme ishte që të diplomuarit në nivele të ndryshme në UP-së janë në Qeveri, në Kuvend, në diplomaci e në akademi. I njëjti për disa vite paska dhënë mësim në degën e gazetarisë po në këtë Universitet. I pyetur se si e vlerëson gazetarinë e tanishme kosovare, ai përgjigjet. “Pjesa dërrmuese e gazetarëve janë ish studentë në degën ku kam ligjëruar. Por çfarë t’u them, sot po e shoh një gazetari sipërfaqësore, jo profesionale e çorientuar”.
Rezultati pas provimit ishte kështu: ai që nuk dinte anglisht kishte arritur notën 10, ndërsa njohësi i gjuhës notën 6. Kjo është vetëm një nga rastet e shumta që tregon për sistemin, gjendjen dhe kualitetin e arsimit kosovar. Universiteti ynë mund të japë notën 10, por kjo nuk do të bëjë ty të flasësh anglishten. Me të dy protagonistet e notave edhe sot takohemi kohe pas kohe për kafe, i pari vazhdon të punojë e ta materializojë gjuhën angleze, ndërsa i dyti vazhdon të investojë para në kurse private për të mësuar se paku nivelin fillestar të komunikimit.