Jo më “Qeveri kineze”

07/07/2014 Shkruan Agron Demi

Me qëllim të rritjes së efikasitetit në qeverisje dhe uljes së shpenzimeve publike, mandatari i Qeverisë së ardhshme do të duhej të udhëheq dukshëm një Qeveri më të vogël. Një Qeveri në të cilën i njeh të gjithë me emër dhe gjithsecili ka një detyrë specifike për të përmbushur.

Publikuar në Gazeta "Jeta në Kosovë", 4 korrik 2014.
Më 20 korrik 2011, në mbledhjen e 24 të Qeverisë, Kryeministri i cili po e drejtonte mbledhjen, kaloi në pikën e pestë të rendit të ditës. Para se ta ftonte përfaqësuesin e ministrisë që të prezantoj propozimin e ministrisë së tij, Kryeministri ngrit kokën nga letrat që ka para vehtes dhe shikon në drejtim të përfaqësuesit të ministrisë. Mundohet disa sekonda që të ja kujtoj emrin, por e ka të pamundur. Në fund dorëzohet dhe i drejtohet vetëm me “urdhëroni zoti zëvendësministër”.

Kryeministri nuk i njeh të gjithë zëvendësministrat me emër! Në një debat në televizionin publik më 2011, Kryeministri pyetet disa herë se sa zëvendësministra ka Qeveria e tij, por nuk pranon të jap përgjigje. Kryeministri nuk e di me saktësi sa zëvendësministra ka Qeveria e tij!

Më 2011, kur në kuadër të Institutit GAP po përgatisnim një raport për Projektligjin për Qeverinë, u përballëm me sfidën e parë: sa zëvendësministra ka Qeveria e Kosovës? Ky informacion nuk gjendej në uebfaqe të ministrive, andaj u detyruam të thërrisnim në telefon në çdo ministri për ti pyetur se sa zëvendësministra ka në ministrinë e juaj? Në shumicën e rasteve na thuhej së për këtë duhet të bëjmë kërkesë me shkrim! E në disa raste tjera nuk morëm përgjigje. 

Atë kohë dhe tani, e vetmja mënyrë si të kuptosh numrin e zëvendësministrave është përmes leximit të deklaratave të pasurisë të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsion. Nga deklaratat e pasurisë në AKK, mund të nxirret një numër prej 39 zëvendësministrash, 5 zëvendëskryeministrash, 19 ministra dhe një ministër pa portofol. Qeveria e Kosovës ka së paku 64 poste ministrore. Më shumë se gjysma e përbërjes së Kuvendit prej 120 anëtarëve.

Si erdhëm deri tek ky numër i posteve ministrore? Thjeshtë, duke u munduar të sistemohen pa asnjë kriter të gjithë humbësit e zgjedhjeve në nivel lokal, apo kandidatët për deputetë, apo sistemimi i partnerëve të koalicionit. 

Përbërja e Qeverisë pasqyron një kaos kompetencash e përgjegjësish, keqpërdorim të parasë publike dhe shërben si ombrellë për zyrtarët e partive të akuzuar nga gjykatat për shkelje të ndryshme ligjore. Përveç që shpenzohen mijëra euro paga dhe mëditje për bartësit e pozicioneve ministrore, këta zyrtarë publik shpenzojnë pa kontrollë mjetet buxhetore për dreka zyrtare, karburant për vetura, telefona mobil, udhëtime jashtë vendit, etj.

Nëse shikoni shpenzimet e zyrtarëve ministror për dreka zyrtare, të dhëna të prezantuara në platformën e GAP “Si i shpenzon shteti paret tona?” vëreni kurdisje të mëdha të faturave sa i përket shpenzimeve për dreka zyrtare. Në bazë të rregulloreve në fuqi, një ministër ka të drejtë të shpenzoj deri 500 euro në muaj në dreka zyrtare, zëvendësministri deri 200 euro, këshilltarët politik deri në 100 euro në muaj. Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për tetë muaj të 2011 kishte shpenzuar 499 euro. Kurse këshilltarët e tij politik kishin shpenzuar 99.90 euro për muaj. Si mundet i njëjti person, te shpenzoj shumen e njëjtë, ne dreka të njëjta, për 12 muaj rresht? Ministria ka bërë kurdisje të faturave: nëse njëri anëtar i kabinetit ka shpenzuar më pak se anëtari tjetër, ministria nuk i ka kërkuar atij që ka shpenzuar më shumë që të paguaj nga gjepi i tij për shpenzimin, por ia ka marrur atij i cili ka shpenzuar më pak. Në këtë mënyrë barazohet ai që ka kursyer me atë që ka shpenzuar pa kontrollë.

E mora këtë shembull për të treguar se si kabinetet e shumta ministrore, përveç që nuk janë treguar më efikas në qeverisje, ato nuk janë treguar as të kujdesshme ndaj parasë publike.

Këtë javë, Instituti GAP publikoi një analizë të detajuar, e cila propozon uljen e numrit të ministrive nga 19 në 13. Uljen e numrit të zëvendësministrave nga 39 në 13 apo më së shumti 20. Uljen e numrit të zëvendëskryeministrave nga gjashtë sa ishin në mandatin e kaluar në vetëm një zëvendëskryeministër. 

Nëse do të merrej një vendim i tillë, vetëm për paga dhe mëditje dhe shpenzimet tjera të kabinetit qeveritar, brenda një mandati do të kurseheshin së paku 3.6 milion euro. Andaj, kushdo që merr bekimin e Kuvendit për të formuar Qeverinë e re, duhet të filloj me një përbërje qeveritare më ndryshe. Dhe që në muajt e parë të qeverisjes, duhet të dërgoj në Kuvend Projektligjin për Qeverinë, i cili kufizon numrin e posteve ministrore dhe ia kalon të drejtën Kuvendit të vendos për numrin e ministrave dhe zëvendësministrave.

Përveç mos koordinimit dhe shpenzimeve të mëdha, Qeveria e Kosovës ka qenë edhe objekt batutash nga qeveritë tjera të rajonit. Më 2012, kryetari i Zagrebit, Milan Bandic, ishte tallur me delegacionin kosovarë të cilit i printe ish-ministri Dardan Gashi vetë i nënti. Bandic u kishte thënë se “po dukeshin si Qeveri kineze”.

Taksapaguesit kosovarë nuk duhet të paguajnë paga dhe shpenzime tjera përcjellëse për një Qeveri e cila nuk e argumenton aspak madhësinë e saj. Andaj, me qëllim të rritjes së efikasitetit në qeverisje dhe uljes së shpenzimeve publike, mandatari i Qeverisë së ardhshme do të duhej të udhëheq një Qeveri dukshëm më të vogël. Një Qeveri në të cilën i njeh të gjithë me emër dhe gjithsecili ka një detyrë specifike për të përmbushur. 
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi