Çmimi që do e paguajmë për “Mega Qeverinë e Re”

16/12/2014 Shkruan Agron Demi

Sa do të na kushtojnë pagat, mëditjet, drekat, thirrjet telefonike, karburantet, shpenzimet e zyrës, udhëtimet jashtë vendit dhe përdorimet e automjeteve zyrtare të Qeverisë së re?

Publikuar në http://gazetajnk.com/?cid=1,1048,9497, 11 dhjetore 2014

Në korrik të këtij viti, kisha shkruar një opinion po në këtë gazetë ku kërkoja që të mos kemi më “qeveri kineze”. Për këtë, kisha përmendur një batutë të ish kryebashkiakut të Zagrebit. Më 2012, kryebashkiaku i Zagrebit Milan Bandiç kishte pritur në zyrën e tij një delegacion të Qeverisë së Kosovës. I habitur me numrin e madh të pjesëtarëve të delegacionit, në konferencë për media, Bandic kishte lëshuar një batutë duke thënë se “kur i pashë kaq shumë në numër, mendova se po prisja një delegacion të qeverisë kineze”.

Përkundër asaj se gjatë fushatës zgjedhore, LDK kishte premtuar qeveri me më pak poste ministrore dhe përkundër asaj se për vite të tëra anëtarët e kësaj partie kanë kritikuar PDK-në për krijimin e një qeverie më të madhe në rajon, qeveria e re do të ketë shumë më shumë poste ministrore se sa qeveria e kaluar.

Por, sa do të paguajnë qytetarët e Kosovës për këtë qeveri?

Edhe më tutje mungon një ligj për pagat e zyrtarëve të lartë publik. Duke u ndjerë më rehat pa të se sa me të, qeveria nuk e ka pa të arsyeshme që të procedojë në Kuvend një ligj të tillë. E në anën tjetër, Kuvendi nuk e ka parë të nevojshme që të fillojë vetë draftimin e tij apo t’i kërkoja më me ngulm Qeverisë të procedojë këtë ligj.

Në mungesë të një ligji të tillë, pagat e zyrtarëve të lartë publik vendosen me vendime të ndryshme, të cilat nuk bëhen asnjëherë publike. E vetmja mënyrë për të kuptuar pagat e zyrtarëve ministrorë, është duke lexuar formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Paga e Kryeministrit të Kosovës është rreth 17.300 euro në vit. Por, përveç pagës, kryeministri e ka të drejtën që të shfrytëzoj telefon mobil pa asnjë kufizim, telefon fiks pa asnjë kufizim, dreka zyrtare pa asnjë kufizim, mëditje, karburante për vetura, akomodim, bileta për udhëtime jashtë vendit, etj. Në vitin 2012, Kryeministri i Kosovës na ka kushtuar 146.081 euro gjithsej, ku përveç pagës prej 17.300 euro, ai ka përfituar edhe 10.304 euro në mëditje, ka shpenzuar 52.946 euro në bileta udhëtimi, 18.191 euro në akomodim, 47.340 euro në dreka e darka zyrtare, etj.

Nga gjashtë zëvendëskryeministra që kishte qeveria e kaluar, tre prej tyre ishin ministra dhe nuk merrnin benefitet e zëvendëskryeministrave. Kurse tre të tjerë paguheshin vetëm si zëvendëskryeministra. Shpenzimet totale të këtyre tre zëvendësministrave, që nuk mbanin poste të ministrave, brenda një viti silleshin rreth 161 mijë euro. Edhe Qeveria e re do të ketë tre zëvendëskryeministra, dy prej të cilëve mbajnë poste ministrore dhe vetëm njëri nga ta mund t’i shfrytëzojë privilegjet e postit të zëvendëskryeministrit.

Qeveria e re do të ketë 20 ministra: 19 ministra të rregullt dhe një pa portofol. Çdo ministër merr pagë vjetore prej 15-17 mijë eurosh, mëditje prej 8 deri 10 mijë euro në vit dhe mundësi për të shpenzuar deri në 6 mijë euro në vit për dreka zyrtare, deri 3.000 euro në vit për telefoni mobile, etj.

Qeveria e re do të ketë së paku 50 zëvendësministra. Paga e një zëvendësministri sillet nga 12 deri 13 mijë euro në vit. Çdo zëvendësministër ka të drejtë të shpenzojë deri në 3000 euro në vit për dreka zyrtare, 1.800 euro për telefona mobil, karburant për vetura, mëditje, etj.

Në bazë të rregulloreve, Kryeministri ka të drejtë të angazhojë deri 12 këshilltarë politik, zëvendëskryeministrat deri në 6 këshilltarë politik dhe çdo ministër deri në 6 këshilltarë politik. Në mandatin e kaluar, në bazë të këtyre rregulloreve, ishin të angazhuar 162 këshilltarë politik. Paga e një këshilltari politik sillet mesatarisht 8.000 euro në vit. Qeveria e re pritet të ketë së paku 170 këshilltarë politik.

Mbi 90% e këtyre këshilltarëve politik nuk kryejnë asnjë punë, apo siç e tregoi para disa javësh një shembull një profesor universitar: “Përkundër angazhimit si këshilltar i kryeministrit më 2008, për shtatë muaj nuk e kishte takuar asnjë herë Kryeministrin. Pas shtatë muajsh ishte takuar rastësisht me të në një restorant dhe Kryeministri i kishte premtuar se ditëve në vijim do e thërras për kafe dhe do konsultohet me të, për të mos e bërë këtë kurrë, deri në dorëheqjen e këshilltarit politik.” E të paktë janë ata që largohen nga pozita e këshilltarit politik për shkak se ndihen të padobishëm në atë post.

Çdo kabinet ministror ka nevojë për nëpunës të kabinetit dhe vozitës. Në mandatin e kaluar ishin 184 nëpunës në kabinete, me një pagë vjetore prej 4.140 euro. Gjithashtu,  ishin 59 vozitës me një pagë vjetore individuale prej 2.040 eurosh.

Më 2013, kabinetet e 14 ministrive (5 prej tyre nuk kishin pranuar të bëjnë publike shpenzimet) kishin shpenzuar 128 mijë euro telefoni mobile. Po në të njëjtin vit, këto ministri kishin shpenzuar 265 mijë euro në dreka zyrtare. Këtu hyjnë vetëm postet politike të kabineteve ministrore, pa llogaritur buxhetin institucional për dreka zyrtare. Po më 2013, u shpenzuan mbi 290 mijë euro për karburant për vetura, të ministrave, zëvendësministrave dhe anëtarëve tjerë të kabinetit.

Atëherë sa pritet të na kushtojë “mega-qeveria e re” brenda një mandati katër vjeçar?

Për katër vite, Kryeministri Isa Mustafa pritet të shpenzojë 585 mijë euro nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Një zëvendëskryeministër do t’i kushtojë qytetarëve të Kosovës rreth 215 mijë euro, duke llogaritur se dy zëvendëskryeministrat e tjerë do të përcaktohen për pagën dhe beneficionet në postet e tyre ministrore.

Pagat e 20 ministrave do na kushtojnë mbi 1.2 milion euro, kurse pagat e rreth 50 zëvendësministrave do na kushtojnë mbi 2.5 milion euro. Pagat e rreth 170 këshilltarëve politik do të krijojnë rreth 5.4 milion euro shpenzime për katër vite; pagat e 190 nëpunësve të kabineteve do na kushtojnë 3.1 milion euro; e pagat e 60 vozitësve, mbi 489 mijë euro.

Vetëm duke e llogaritur se kabinetet ministrore do të shpenzojnë përafërsisht njëjtë sikur në vitin 2013, shpenzimet katër vjeçare pritet të jenë gjithsej 3.9 milion euro për telefoni fikse dhe mobile, dreka zyrtare dhe karburant për vetura.

Në total, me tërë këto shpenzime, Qeveria e re e Kosovës do të na kushtojë rreth 17.6 milion euro për një periudhë 4 vjeçare. Por kjo nuk është e tëra. Çdo ministër e zëvendësministër e ka të drejtën e posedimit të një telefoni mobil, të financuar nga buxheti i shtetit. Në mandatin e kaluar, kabinetet qeveritare kishin në përdorim 218 telefona mobil. Të gjithë të prodhimeve më të reja.

Po ashtu, çdo ministër e zëvendësministër e ka të drejtën e një automjeti zyrtar, të cilin e përdor edhe në fundjavë, në dasma, për të blerë mallra në supermarkete apo edhe për të shëtitur kafshët shtëpiake.

Çdo ministër e zëvendësministër e ka të drejtën e posedimit të një kredit kartele, me të cilën mund të bëjë pagesa jashtë vendit deri në 10.000 euro. Përkundër kërkesave të shumta nga mediat dhe organizatat e shoqërisë civile për të pasur qasje në pasqyrat e përdorimit të këtyre kredit kartelave, një informacion i tillë nuk bëhet asnjëherë publik. E ka dyshime se këto kredit kartela përdoren edhe për blerje mallrash në dyqane të ndryshme edhe brenda vendit.

Siç na mësojnë edhe rastet e kaluara, ministrat e rijnë nuk ulen në kolltukët ku janë ulur paraardhësit, andaj duhet ndërruar komplet orenditë e zyrës dhe shpenzime shtesë do të krijohen edhe për këtë kategori luksi.

Në një sistem qeverisës demokratik, Qeveria nuk duhet të marrë veprime të dëmshme vetëm pse mundet dhe vetëm pse për këtë e ka shumicën. Por duhet respektuar disa parime bazë. E me krijimin e qeverisë së re u thye parimi i eficiencës në qeverisje.

Korrupsion nuk është vetëm vjedhja e parave publike përmes tenderëve. Korrupsion është edhe shpenzimi i parasë publike pa kriter e arsye. E asgjë nuk e arsyeton këtë Mega-Qeveri. 
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi