Instituti GAP mbajti konferencën për media me temë "Efektet e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar"

17/11/2016

Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencën për media me titull “Efektet e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” 

Nora Latifi - Jashari, Menaxhere e Programit në Institutin GAP, prezantoi analizën mbi efektet e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), një vit pas hyrjes në tij në fuqi.  Në mars te vitit 2015, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndryshimin e Ligjit për TVSH, ku përmes kësaj politike fiskale, qeveria do të arrinte të kishte ndikim në të hyrat buxhetore dhe aktivitetin biznesor. Ky ligj hyri në fuqi me 1 shtator 2015 ku Qeveria e Kosovës ngriti shkallën e TVSH-së nga 16% në 18 % në shumicën e produkteve, ndërsa uli atë nga 16 % në 8 %  kryesisht në produkte ushqimore. Ajo gjithashtu theksoi se në kuadër të ndryshimeve fiskale, qeveria aprovoi edhe Projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale, ndryshimet e shkallës së akcizës në vetura, cigare, pije alkoolike, vajra, etj

Berat Thaqi, Analist Politikash në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat kryesore të analizës “Efektet e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. GAP ka bërë matjet lidhur me efektet që reduktimi i TVSH-së ka pasur në të hyrat buxhetore dhe çmimet e konsumit. Nëse krahasohen të hyrat doganore për periudhën janar-gusht 2015 dhe janar–gusht 2016, shihet se të hyrat nga këto produkte kanë mbetur pothuajse të njëjta. Kjo vjen si pasojë e rritjes së importit në këto produkte dhe aplikimit të TVSH-së në barna. Në rast se Qeveria e Kosovës do të aplikonte normë standarde të TVSH-së prej 18% në këto produkte, atëherë dogana do të mblidhte rreth 10.6 milionë euro më shumë për këtë periudhë. Reduktimi i TVSH-së ka pasur ndikim më të madh në të hyrat e ATK-së apo rreth 11.6 milionë euro rënie për periudhën janar-qershor 2016. Të dhënat sugjerojnë se nuk ka pasur zbritje të çmimeve në të gjitha produktet me TVSH të reduktuar.

Ndërsa sa i përket efektit të rritjes së TVSH-së nga 16% në 18%, ai theksoi se Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 68 milionë euro (27%) më shumë në periudhën janar-gusht 2016 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Më këtë nivel të importit, gjatë vitit 2016, Dogana mund të grumbullojë rreth 54 milionë euro më shumë të hyra vetëm nga rritja e TVSH-së nga 16% në 18%. Natyrisht që këto të hyra do të mblidhen nga xhepat e konsumatorëve kosovarë.

Sa i përket bizneseve, ai tregoi se ato e kanë mirëpritur largimin e TVSH-së në lëndën e parë, makineri prodhuese dhe pajisje te teknologjisë informative. Kjo politikë potencialisht ka rritur likuiditetin e bizneseve kosovare dhe gjithashtu mund të ketë efekte në rritje të efiçiencës. Deri në shtator 2016, Dogana e Kosovës ka liruar importe me vlerë të TVSH-së rreth 15 milionë euro.

Në fund, ai prezantoi edhe rekomandimet e dala nga kjo analize ku GAP rekomandon se krahas uljes së TVSH-së për disa produkte dhe shërbime, Ministria e Financave duhet të paraqesë lehtësime direkte tatimore për qytetarët si masa më efektive për rishpërndarjen e të hyrave; Ministria e Financave të fillojë lirimin gradual nga taksa doganore të lëndës së parë si dhe të  ndajë buxhet për rritje të numrit të inspektorëve dhe trajnimeve për ATK-në si masë për uljen e informalitetit.

Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU