Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nis procedurën për zgjidhjen e mosmarrëveshjës lidhur me projektin "Kosova e Re"

24/12/2019

Më 20 dhjetor 2019, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (SKE) ka nisur një letër të hapur drejt institucioneve të Kosovës lidhur me projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si pjesë e procedurës për zgjidhjen e mosmarrëveshjës kundër Kosovës. Në këtë letër SKE ngritë shqetësimet lidhur me prezencën e ndihmës shtetërore të paligjshme në projektin në fjalë, ku thkesohen si ndihmë shtetërore hyrja në marrëveshje e institucioneve të Kosovës për blerje të energjisë elektrike për 20 vite, shitja dhe transferimi i pronës shtetërore nën çmimin e tregut, lirimi nga TVSH, dhe marrja përsipër nga Kosova e ngarkesave dhe shpenzimeve tjera. SKE ka kaluar në këtë fazë ku në rast që projekti nuk përshtatet me rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, lënda mund të sillet për shqyrtim para Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave mund të rezultoj me pezullimin e të drejtave të Kosovës në votim dhe me përjashtimin e saj nga ky këshill. 

Në një raport të publikuar në shkurt të 2019, Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) ka analizuar projektin "Kosova e Re" nga aspekti i ndihmës shtetërore ku janë ngritur shqetësime të ngjashme me ato të SKE, ku edhe kemi theksuar mundësinë që SKE të hapë procedurën për zgjidhjen e mosmarrëveshjës kundër Kosovës. Po ashtu, në raport është vlerësuar se institucionet e Kosovës është dashur ta njoftojnë autoritetin e ndihmës shtetërore në Kosovë në mënyrë që i njëjti ta shqyrtojë njoftimin dhe të vlerësojë nëse masat janë në pajtim me ligjin nacional të ndihmës shtetërore. Për shkak të neglizhencës dhe mosgadishmërisë së institucioneve të Kosovës për të trajtuar çështjet më lartë, Instituti GAP bashkë me BGF, GLPS, INDEP, Bankwatch Network dhe Germanwatch në maj të 2019 ka drejtuar një ankesë tek Sekretariati i Komunitetit të Energjisë lidhur me këtë projekt.     

Pjesë nga raporti:

"Nëse projekti miratohet, Kosova rrezikon t’i pezullohet e drejta e votës në Këshillin e Ministrave të Sekretariatit të TKE, ta dëmtojë veten në procesin e bashkimit në BE, duke qenë se nuk po e zbaton marrëveshjen e MSA, si dhe të përballet me padi në gjykatat nacionale për shkelje të ligjeve nacionale për Ndihmën Shtetërore."

 

Shih linkun për raportin e plotë: https://bit.ly/2MkaCZK     

Linku i lajmit të Komunitetit të Energjisë: https://bit.ly/2MkzYGU