Mësimi në distancë në kohë pandemie: rast studimi në komunën e Prizrenit, Obiliqit dhe Hanit të Elezit

12/02/2021

Ky hulumtim është kryer nga Vesa Ferizi në kuadër të projektit të mentorimit që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Hyrje

Si përgjigje ndaj rrezikut të përhapjes se pandemisë COVID-19, institucionet e Kosovës ndërprenë mësimin në të gjitha nivelet e shkollimit nga mesi i muajit mars 2020.Hapësirat shkollore u vlerësuan potencialisht si vatër e përhapjes së pandemisë COVID-19. Andaj, mësimi u ndërprenjë ditë para paraqitjes se rasteve të para me të infektuar. Duke marrë parasysh paralajmërimet e ekspertëve se pandemia mund të zgjasë një kohë të gjatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) filloi përgaditjet për krijimin e kushteve për zhvillimin e mësimit në distancë.Kjo formë e mësimit nuk ishte praktikuar më herët në Kosovë në asnjë rast dhe për më tepër as që ishte parashikuar ose planifikuar diçka e kësaj natyre. Bazuar në këtë, hyrjanë procesin e mësimit në distancë kishte vështirësi dhe paqartësi. 

Mësimi në distancë është zhvilluar në disa forma. Në periudhën e hershme pas shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovëështë aplikuar forma e mësimit në distancë nëpërmjet transmetimit të leksioneve në televizionin publik (RTK 4) për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Për klasën e parë deri në të katërtën, mësimi është ofruar për lëndëtGjuhëAmëtare, Matematikë dhe Njeriu dhe natyra. Ndërsa për klasët nga niveli i pestë deri në klasen e nëntë, janë ofruar mësime për lëndet Gjuhë amëtare, Matematikë, Njeriu dhe natyra, Edukatë qytetare, Biologji, Fizikë, Gjuhë Angleze, Histori, Gjeografi dhe lënda Teknologji e informimit dhe komunikimit. Faza e dytë ka nisur pas javës së tretë të prillit, ku mësimi në distancë ishtë shpërndarë te të gjithë mësimdhënësite Kosovës të ciklit të mesëm të ulët duke u angazhuar të gjithë sipas klasave. Nxënësit ishin të thirrur të shfrytëzojnë internetin dhe të ndjekin orët e mësimit online. Faza e tretë ka nisur nga 14 shtatori e tutje duke u zhvilluar mësimi në shkolla, por me orar të kufizuar dhe me mundësi të kthimit në disa raste në mësim në distancë, varësisht nga gjendja epidemiologjike.

Pavarësisht dobësive dhe paqartësive,mësimi në distancë ka ofruar një alternativë për vazhdimin e mësimit në kushte pandemie. Nga rastet studimore të përfshira në këtë raport, del se ky proces ka qenë përgjithësisht mirë i koordinuar mes autoriteteve të Ministrisë së Arsimit, komunave të Kosovës, drejtorive të shkollave dhe këshillave të prindërve. Një kontribut të madh kanë ofruar edhe organizatat jo qeveritare të cilat e kanë ndihmuar teknikisht procesin e mbarëvajtjes së mësimit në distancë.

Pavarësisht përpjekjeve, mësimi në distancë nuk arriti të jetë gjithëpërfshirës.Sipas të dhënave të MASH-it, 9,070 nxënës nuk kanë ndjekur këtë formë të mësimit. Arsyet kryesore kanë qenë mungesa e internetit në disa zona, mungesa e pajisjeve nga ana e nxënësve, aftësitë e kufizuara për përdorim të teknologjisë dhe vështirësia e qasjes për fëmijët me nevoja të veçanta.

Aspekti ligjor dhe teknik i zhvillimit të mësimit në distancë

Ligji për arsimin parauniversitar dhe Plani strategjik i arsimit në Kosovë 2017-2021, në terme të përgjithshme dhe për situata të tjera (jo pandemie) e kanë paraparë edhe mundësinë e zhvillimit të një forme të mësimit në distancë. Në planinstrategjik thuhet se shkollat, në bashkëpunim me komunat, duhet të hartojnë plane veprimi për parandalimin e braktisjes së mësimit nga nxënësit, duke shqyrtuar mundësinë e organizimit të mësimit alternativ (p.sh. të mësuarit në distancë) për nxënësit që, për arsye të ndryshme specifike, nuk mund të vijojnë mësimin e rregullt. Kjo formë e mësimit, ndonëse e rekomanduar në strategjinë e arsimit, në praktikë nuk është zbatuar ndonjëherë para pandemisë. Ndërkaq,sipas nenit 9 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar“ministria mund të nxjerrë akte nënligjore për shmangien e situatave të jashtëzakonshme në lidhje me kërkesat për arsim të detyruar.”

Dhjetë ditë pas paraqitjes së rasteve të para me të infektuar në Kosovë nga COVID-19, MASH ka hartuar dhe shpërndarë një udhëzues për mënyrën e zhvillimit të mësimit në distancë. Në këtë udhëzues ishin përcaktuar dhe ndarë përgjegjësitë ndërmjet nivelit nacional dhe atij lokal në fillimin dhe menaxhimin e procesit të mësimit në distancë. Udhëzuesi kishte paraparë që Ministria e Arsimit të krijojë një platformë për komunikim virtual (Kolegjiumi Virtual Arsimor) me të gjithë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit në Kosovë. Komunat do të koordinonin dhe menaxhonin personelin arsimor në nivel të komunave me fokus në realizimin e mësimit online. Për realizimin e këtij qëllimi, komunat do të vendosin format e vendimmarrjes, raportimit dhe vlerësimit të performancës së personelit nëpërmjet komunikimit të kufizuar fizik dhe komunikimit nëpërmjet të telefonit, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike. Sipas këtij udhëzuesi, komunat duhet të raportojnë te Ministria e Arsimit dhe Shkencësmbi baza ditore lidhur me mbarëvajtjen e mësimit në distancë.

Udhëzues të tillë, Ministria e Arsimit ka nxjerrë edhe për shkollat e mesme, për shkollat profesionale, për nxënës me nevoja të veçanta si dhe ka informuar mbi baza javore lidhur me oraret e transmetimit në televizionin publik të leksioneve mësimore nga lëndët e ndryshme.

Fillimi i vitit të ri shkollor 2020/2021 ka nisur me një kombinim të mësimit në distancë dhe mësimit me prezencë fizike në shkollë. Ky planifikim është përfshirë në master planin e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie.

Njëra nga problemet më të shfaqura të mësimit në distancë ka qenë dimensioni teknik i këtij procesi. Një pjesë të nxënësëve u kanë munguar kompjuterët apo paisje të ngjashme elektronike, kurse në disa zona nuk ka pasur rrjet të shtrirë të internetit.

Si përgaditje e parë për zhvillimin e mësimit në distancë, MASH ka arritur pajtim me televizionin publik të Kosovës që kanali i katërt i këtij televizioni (RTK 4),të mbetet në dispozicion për të ofruar mësimin në distancë. Po ashtu, kjo ministri ka hartuar dhe shpërndarë në të gjitha komunat e Kosovës udhëzuesin teknik për mënyren e përdorimit dhe shfrytëzimit të platformes elektronike Zoom

Gradualisht procesi teknik i mësimit në distancë ka ardhur duke u përmirësuar. Kësisoj është shmangur përdorimi i platformave zoom apoviberdhe është ndërtuar një platformë unike për përdorim nga të gjitha shkollat dhe nga të gjitha komunat. Kjo platformë e quajtur eshkollori mund të përdoret (shikohet) në të njejtën kohë nga drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit apo edhe nga të interesuar të tjerë të cilët duhet të kenë një llogari të hapur në këtë platformë.

Zhvillimi i mësimit në distancë në komunën e Prizrenit, Obiliqit dhe Hanit të Elezit

Organizimi i mësimit në distancë ka nisur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila ka udhëzuarDrejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), këtë të fundit i kanë udhëzuar drejtorët e shkollave, pastaj nga drejtorët e shkollave udhëzimet janë bartur të mësimdhënësit, ndërsa këta të fundit kanë kontaktuar  nxënësit dhe prindërit e tyre lidhur me mësimin në distancë.

Hyrja në procesin e mësimit nga distanca për komuna kishte ardhur në mënyrë të papritur (për shkak të pandemisë) dhe dimensioni teknik i kësaj nisme nuk ishte krejtësisht i përgaditur. Komunat në të cilat është bërë ky hulumtim, si ajo e Prizrenit, Obiliqit dhe Hanit të Elezit, në fazën e parë nuk kishin të dhëna për infrastrukturën teknike që mund të posedonin nxënësit dhe mësimdhënësit. Në përgjithësi, komunat kanë ndërmarrë nisma në shpërndarjen e kompjuterëve dhe tabletave elektronik për nxënësit që ishin deklaruar që ju mungojnë këto paisje. Rol në këtë drejtim në këto komuna kanë dhënë edhe organizatat jo qeveritare, vullnetarë të ndryshëm si dhe bizneset lokale.

Përveç anës teknike, sfidë fillestare e mësimit në distancë ishte edhe ana e përgaditjes së mësimdhënëseve për të ofruar mësim nga distanca, pasi se mungonte përvoja në këtë drejtim si dhe nuk ishte zhvilluar më herët ndonjë trajnim se si një mësimdhënës/eduhet të menaxhonte procesin e mësimit nga distanca. Përvojat e komunave janë të ndryshme në tejkalimin e kësaj sfide.

Mbarëvajtja e mësimit në Komunën e Hanit të Elezit – Në  komunën e Hanit të Elezit, ku më 2019 ishin të regjistruar 1,666 nxënës dhe 130 mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme, procesi i zhvillimit të mësimit nga distanca ka filluar më ndryshe se në komunat e tjera. Një element që e lehtësoi këtë proces në këtë komunë ishte posedimi i laptopëve nga mësimdhënësit (Intervistë me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, Mehduh Vlashi). Komuna kishte siguruar laptopë për të gjithë mësimdhënësit disa vite para shfaqjes së nevojës për përdorimin e domosdoshëm të teknologjisë në mars të 2020-ës, veprim ky i cili sugjerohet edhe me “Planin strategjik për arsim në Kosovë 2017-2021”.

Gjendja e mirë me pajisje teknologjike nga ana e mësimdhënësve ia mundësoi kësaj komune zhvillimin e mësimit nga distanca edhe para se të dilnin rekomandimet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kur mësimi klasor u ndërpre në të gjithë vendin, nuk shkoi shumë gjatë para se komuna e Hanit të Elezit organizoi mësimdhënësit për të filluar mësimin nga distanca me nxënësit e tyre sipas orarit të rregullt përmes thirrjeve në rrjete sociale. Kjo alternativë e zhvillimit të mësimit konsiderohet të ketë qenë më e përshtatshme për nxënësit e mësimdhënësit se sa mënyra e zgjedhur dhe rekomanduarnga Ministria.

Pas publikimit të udhëzimeve nga Ministria e Arsimit, komuna e Hanit të Elezit u detyrua ta ndërprejë zhvillimin e mësimit në mënyrën që e kishin improvizuar, për tiu përmbajtur udhëzimeve të Ministrisë. Transmetimet e njësive mësimore në RTK dhe organizimi i thirrjeve në zoom vetëm 1-2 herë në javë janë konsideruar si të pamjaftueshme për nxënësit nga komuna e Hanit të Elezit me sqarimin se mënyra që ata kishin zgjedhurishte më e frytshme. Në dy javët e para pas ndërprerjes së mësimit të rregullt, nxënësit në këtë komunë janë takuar virtualisht me mësimdhënësit e tyre në baza ditore sipas orarit  që ishte i planifikuar për mësimin klasor. Në këtë mënyrë ata kanë arritur të qëndrojnë në kontakt më të drejtpërdrejtë me mësimdhënësit e tyre, kanë kaluar më shumë kohë të kycur në mësim dhe e kanë mbuluar të gjithë përmbajtjen e njësive mësimore sikur në klasë.

E vetmja sfidë për zhvillimin e mësimit në këtë mënyrë ishte që nxënësit të cilët nuk kishin asnjë pajise elektronike që tua mundësonte kycjen në aplikacionin zoom, do ta humbnin mësimin në tërësi. Për këtë arsye, pas dy javësh, edhe komuna e Hanit të Elezit vazhdoi zhvillimin e mësimit sipas rekomandimeve të ministrisë. Sipas raportit të UNDP, në regjionin e Ferizajt, ku përfshihet edhe komuna e Hanit të Elezit, 96.05 përqind e nxënësve ishin të përfshirë në mësimin nga distanca, ndërsa pjesa tjetër nuk janë përfshirë kryesisht për shkak të mungesës së pajisjeve dhe qasjes në internet.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve, komuna e Hanit të Elezit është organizuar për shpërndarjen e pajisjeve teknologjike nga inventarët e shkollave nëpër familjet e nxënësve që u kanë munguar ato. Në pajisjet e shpërndara nga komuna bëjnë pjesë edhe laptopët e parë që komuna i kishte siguruar për mësimdhënësit e që pak kohë para marsit 2020 ishin zëvendësuar me të rinj. Si ndihmë për sigurimin e pajisjeve për nxënësit komuna ka pranuar vetëm një donacion prej 2-3 tabletësh nga një biznes vendor, ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka pranuar ndonjë donacion (intervistë me Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, Menduh Vlashi).

Pajisjet që janë shpërndarë te nxënësit nuk kanë qenë të kualitetit më të lartë, ngaqë kanë qenë të përdorura për një kohë të gjatë, mirëpo në komunën e Hanit të Elezit digjitalizimi lidhet më shumë me zhvillimin e platformave elektronike për lehtësimin e procesit të mësimit se sa me sigurimin e pajisjeve të reja. Megjithëse zhvillimi i platformave të tilla është në kompetencë të komunave, ajo e Hanit të Elezit vlerëson se ministria do të duhej ti krijonte ato për të gjithë vendin që të shërbenin si rregullatorë themelorë për zhvillimin e mësimit dhe në këtë mënyrë të mos ketë shumë dallime mes komunave. Ministria e adresoi këtë problem në fazat e mëvonshme të zhvillimit të mësimit nga distanca duke e zhvilluar platformën E-shkollori.

Gjatë zhvillimit të mësimit nga distanca në periudhën mars-qershor 2020, Drejtoria Komunale e Arsimit në Han të Elezit ka pasur qasje në të gjitha takimet e nxënësve me mësimdhënës përmes aplikacionit Zoom. Këtë qasje komuna e ka përdorur si formë të monitorimit të mbarëvajtjes së procesit, krahas me përcjelljen e gjendjes përmes formave të raportimit të mësimdhënësve sipas kërkesave të MASH. Megjithatë, njësoj si në komunën e Obiliqit, edhe në Han të Elezit nuk është nxjerrë një vlerësim i tërësishëm i zhvillimit të mësimit nga distanca.

Mbarëvajtja e mësimit në Obiliq – Në Komunën e Obiliqit, më 2019 kishte 3,814 nxënës të regjistruar në shkollat fillore dhe të mesme dhe numri i atyre që nuk patën qasje në mësim nga distanca gjatë periudhës mars-qershor 2020 është i vogël. Sipas raportit të UNDP, në rajonin e Prishtinës ku bën pjesë edhe komuna e Obiliqit, 4.37 për qind e nxënësve nuk kanë pasur qasje në mësim nga distanca dhe kjo për arsye të ndryshme. Për këta nxënës, komuna e Obiliqit nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë për mësim plotësues meqë shumica e materialeve mësimore për shkollat fillore mbeten të qasshme në platformën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, E-mësimi.

Zhvillimi i mësimit në distancë theksoi nevojën e përdorimit të pajisjeve dhe platformave elektronike nga nxënëisit dhe mësimdhënësit, dhe kjo zbuloi një anë tjetër të përkufizimit të fjalës “digjitalizim”, të cilës më herët nuk i ishte dhënë rëndësi në komunën e Obiliqit. Në mungesë të një përkufizimi të përbashkët për të gjitha komunat, digjitalizimi në komunën e Obiliqit nënkupton më shumë pajisjen e shkollave me pajisje teknologjike si kompjuterë, laptopë dhe mjete të tjera për lëndët shkencore sesa zhvillimin e platformave elektronike. E ardhmja e digjitalizimit në komunën e Obiliqit duket të jetë vec në formë të furnizimit të shkollave me më shumë kabinete të informatikës (5 të tilla) dhe të shkencave (2 të tilla për lëndët: “fizikë”, “kimi”, “biologji”). Procedurat e këtij furnizimi vecse janë në proces të prokurimit. Megjithatë, sfidë për përmbushjen e këtyre priorieteve mbetet siguria brenda objekteve shkollore. Ndërsa për sa i përket zhvillimit të platformave digjitale për mësim në distancë, Ministira e Arsimit dhe Shkencës ua ka propozuar komunave këtë mundësi (Bisedë me Zëdhënësen e MinistrisësëArsimit, DiellzaKukaj), mirëpo Drejtoria Komunale e Arsimit ka zgjedhur që shkollat në Obiliq ta zhvillojnë aktivitetin e tyre përmes E-Mësimit dhe platformave të tjera të propozuara (Zoom, Google Meet, Google Classroom duke i shtuar edhe platformat Viber dhe Messenger).

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e mësimit në distancë, pajisjet teknologjike të kabineteve të shkollave janë shpërndarë te nxënësit që kanë pasur mungesë të tyre. Për të mbuluar nevojat në komunën e Obiliqit kanë ndihmuar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organizata GIZ përmes donacioneve të vogla të laptopëve dhe tabletëve respektivisht (Intervistë me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Rexhep Zeka).

Me gjithë risinë që mësimi nga distanca solli, ky proces mund të shfrytëzohej si një nismë për reforma në sistemin e arsimit, mirëpo në komunën e Obiliqit konsiderohet si një improvizim për të mos ndërprerë mësimin e nxënësve. Në vitin e ri shkollor 2020/2021, procesi i mësimit u rikthye në klasë duke mos implementuar metoda të reja të mësimdhënies dhe nxënies apo të vlerësimit. Shkaktar kryesor i mungesës së ndryshimeve në mësimdhënie del të jetë mungesa e përgatitjeve paraprake për mësim në distancë. I gjithë procesi ishte i panjohur për sistemin e arsimit ndaj dhe periudha mars–qershor 2020 shërbeu si provë për përshtatshmërinë mes zhvillimit të mësimit në distancë dhe kushteve e rrethanave në komunën e Obiliqit, për tu përmirësuar zhvillimi i këtij procesi në fazat e mëvonshme.

Monitorimi i këtij procesi gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë i nivelit më të lartë. Ai është bërë përmes raportimit të mësimdhënësve te drejtorët e shkollave të cilët më pas kanë raportuar te Drejtoria Komunale e Arsimit sipas udhëzimeve të Ministrisë. Nga këto raporte nuk është nxjerrë ende ndonjë vlerësim i tërësishëm i procesit të zhvillimit të mësimit nga distanca në komunën e Obiliqit. Mungesa e këtij vlerësimi mund të rezultojë në mungesën e hartimit të reformave në përmirësim të zhvillimit të mësimit, qoftë klasor apo nga distanca. Një nga arsyet përse vlerësimet nuk janë nxjerrë deri tash është përsëri mungesa e parapërgatitjeve për këtë proces. Drejtoria Komunale e Arsimit argumenton se vlerësime të tilla duhet të bëhen vetëm kur institucionet angazhohen në përmbushjen e kushteve optimale për zhvillimin e këtij procesi.

Mbarëvajtja e mësimit në Prizren – Për dallim nga komuna e Hanit të Elezit dhe Obiliqit, komuna e Prizrenit është një nga komunat më të mëdha në Kosovë dhe si e tillë gjatë periudhës mars-qershor 2020 ishte e ngarkuar me përgjegjësinë e pjesës teknike të përgatitjes së materialeve mësimorepër transmetim në RTK dhe platformën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në YouTube. Meqë në Prizren numri i personave nga komunitetet joshumicë është më i madh, komuna në bashkëpunim me ministrinë është angazhuar për organizimin e mësimdhënësve të cilët do të bënin përgatitjen e materialeve mësimore në gjuhën turke dhe boshnjake për nxënësit e këtyre komuniteteve në të gjithë vendin, në mënyrë që tu ofrohej qasje e barabartë në mësim nga distanca. Rrjedhimisht, të gjitha materialet mësimore janë xhiruar në shkollën “Emin Duraku” në Prizren. Dy nga sfidat më të theksuara në të cilat kanë hasur mësimdhënësit e përfshirë në xhirimin e materialeve ishin kufizimet në lëvizje për shkak të orës policore dhe presioni i kohës meqë materialet nevojitej të përdoreshin sa më shpejt.

Për më tepër, në komunën e Prizrenit mësimdhënësit janë vetë-organizuar për ta ndihmuar procesin e mësimit në distancë. Përdorimi i teknologjisë dhe platformave Zoom apo ato të Google ishte krejtësisht i ri për shumë mësimdhënës, ndaj njëra nga nismat që disa nga mësimdhënësit kanë ndërmarrë ishte përkthimi i udhëzimeve të përdorimit të këtyre platformave nga anglishtja në shqip në mënyrë që të gjithë mësimdhënësit tua ofronin nxënësve të tyre më të mirën prej këtyre platformave (Intervistë me Drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrent, Xhemile Vezgishi).

Përfshirja e nxënësve në mësim nga distanca konsiderohet të ketë qenë e lartë në Komunën e Prizrenit ku më 2019 kishte 21,044 nxënës të regjistruar në shkollat fillore. Nga ky numër, sipas raportit të UNDP vetëm 1.44 për qind nuk kanë marrë pjesë në mësim nga distanca, dhe arsyeja dominuese është përdorimi i së njejtës pajisje teknologjike nga më shumë se një fëmijë brenda familjes. Për shkak të numrit më të lartë të nxënësve, në komunën e Prizrenit edhe numri i donacioneve të pajisjeve teknologjike ka qenë më i madh. Komuna ka pranuar gjashtë laptopë nga MASH dhe 50 tabletë nga organizata Ecology International, të cilat janë shpërndarë nëpër familjet e nxënësve sipas kritereve të caktuara nga ministria.

Njësoj si në dy komunat e tjera, në Prizren janë dhuruar nëpër familjet e nxënësve edhe pajisjet e kabineteve teknologjike të shkollve në mënyrë që të bëhej zgjidhje për problemin e theksuar në raporitin e lartëpërmendur të UNDP-së. Përvec kësaj, komuna është munduar ta rregullojë orarin mësimor në atë mënyrë që do ti zvogëlonte përplasjet në orar të nxënësve të së njejtës familje që kanë përdorur të njejtën pajisje për tu kycur në takimet klasore në Zoom.

Si një mënyrë alternative për zgjidhjen e problemit të mospjesëmarrjes në mësim, komuna e Prizrenit fillimisht kishte bërë planifikimet e duhura për organizim të mësimit shtesë në shtator të 2020-ës, mirëpo ky organizim nuk zgjati aq sa ishte menduar për shkak të gjendjes së shëndetit publik. Për këtë arsye është marrë iniciativa për të zhvilluar një platformë digjitale për nxënësit e komunës së Prizrenit, ku do të përfshiheshin 25 për qind e planprogramit të mësimit që fillimisht ishte reduktuar për tiu përshtatur mësimit nga distanca. Pra, ndryshe nga dy komunat e tjera, në Prizren digjitalizimi përvec se përfshin rritjen e numrit të pajisjeve teknologjike nëpër shkolla, përfshin gjithashtu zhvillimin e platformave digjitale për arsim të cilat do të përdoreshin edhe pas rikthimit të mësimit tërësisht në klasë.

Gjatë zhvillimit të mësimit nga distanca në periudhën mars-qershor 2020, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë, monitorimi i procesit të mësimit është bërë përmes raporteve javore të drejtorëve të shkollave në DKA. Njësoj si në komunat e tjera, as në Prizren nga këto raporte nuk është nxjerrë ndonjë vlerësim i tërësishëm i këtij procesi për shkak të mungesës së stafit në Drejtorinë e Arsimit. Punësimi i stafit të ri për të bërë këtë punë do të merrte rreth dy muaj kohë, ndaj edhe është vendosur që një gjë e tillë të mos ndërmerret, dhe rrjedhimisht mungojnë vlerësimet e nxjerra për mësimin nga distanca.

Përfundime

Mësimi në distancë mbetet përvojë e re për komunat e Kosovës. Hyrja në këtë proces ka qenë alternativa e vetme, ndonëse vështirësitë dhe paqartësitë që ka pasur pushteti lokal kundruall këtij procesi kanë qenë evidente. Vlerësimi i këtij procesi (mësimit në distancë) në tri komuna (Prizren, Obiliq dhe Hani i Elezit) shpërfaq përvoja të njëjta të menaxhimit, koordinimit dhe raportimit. Disa nga problemet e paraqitura janë të njëjta në secilen komunë dhe këto kryesisht janë lidhur me mungesën e kohës që komunat ti trajnojnë mësimdhënësit për mësim në distancë dhe mungesa e paisjeve të teknologjisë të disa nxënës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 9,070 nxënës nuk kane ndjekur mësimin nga distanca, për të dy ciklet (i mesëm i ulët dhe i mesëmi lartë).  Kosova në këto dy cikle në fillim të vitit 2020 ka pasur gjithsej 329,589 nxënës, që do të thotë që 3.5% e nxënëseve nuk e kanë ndjekur shkollimin nga distanca. Arsyet kryesore për mos ndjekjen e mësimit nga distanca sipas raporteve zyrtare të Ministrisë së Arsimit kanë qenë mungesa e internetit në disa zona, mungesa e pajisjeve nga ana e nxënësve, aftësitë e kufizuara për përdorim të teknologjisë, dhe vështirësia e qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuar.

E gjithë politika e Ministrisë së Arsimit dhe e komunave të Kosovës gjatë përgatitjes dhe ofrimit të mësimit në distancë ka konsistuar në tri parime kryesore, ruajtja e shëndetit të popullatës, përkatësisht e nxënëseve dhe mësimdhënëseve, vazhdimin e mësimit dhe mos ndërprejen e procesit mësimor për periudhë të gjatë, dhe objektet shkollore të jenë të sigurta dhe të pajisura me mjete për të pamundësuar ose zvogëluar rrezikun e infektimit nga pandemia COVID-19.

Edhe për kundër masave të ndërmarra, numri i nxënësëve dhe mësimdhënëseve të infektuar me COVID-19 gjatë periudhes nga 14 shtatori deri në javën e dytë të dhjetorit ka qenë relativisht i lartë. Nga raporti tremujor i Inspektoratit të Arsimit për mësimdhënësit, personelin tjetër dhe nxënësit e testuar, të infektuar dhe të shëruar gjatë periudhës kohore tremujore  (14.09.2020 – 11.12.2020) ka rezultuar se 15,795 mësimdhënës janë testuar për COVID-19 ku  2,301 mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv , kurse nga 6,090 nxënës që janë testuar për COVID-19, 1,470 nxënës kanë rezultuar pozitiv, ndërsa edhe 284 persona nga personeli ndihmës i shkollave janë prekur nga koronavirusi gjatë kësaj periudhe.

Ky raport është publikuar në kuadër të ciklit të parë të Programit të Mentorimit Profesional i cili synon të rrisë aftësitë hulumtuese dhe të shkruarit për hulumtues dhe gazetarë të rinj, përmes mentorimit nga hulumtuesit e Institutit GAP dhe gazetarët e Kosovo 2.0.

Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Institutit GAP dhe Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.Projekti “Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar” i financuar nga BE, implementohet nga: Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Raporti është i disponueshëm edhe në gjuhën serbe, ju lutem na shkruani në info@institutigap.org

Vesa Ferizi ndjek studimet për gjuhë dhe letërsi angleze në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Fjalët janë pasioni i saj më i madh, andaj përveç që kalon shumë kohë me libra, edhe shkruan rregullisht në blogun e saj DewBlog. Gjatë adoleshencës ka qenë aktive në komunitet përmes vullnetarizmit të formave të ndryshme, e tash do ta sfidojë veten përmes programit të mentorimit profesional.