Shpenzimet e institucioneve publike për qira

07/02/2017

Një pjesë e institucioneve publike vazhdojnë punën në objekte private dhe shoqërore. Në vitin 2015, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi shtatë milionë euro për shpenzime të qirasë. Përveç shpenzimeve, objektet private në të cilat janë të vendosura institucionet publike nuk i plotësojnë kushtet për punë. Në disa raste, siç është shembulli me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, objektet e marra me qira janë pa leje ndërtimore.

Në mbledhjen e 18 shkurtit 2008, Qeveria e Kosovës aprovoi Planin Strategjik 2008 – 2015 për Akomodimin Rezidencial për Qeverinë e Kosovës, i cili identifikonte institucionet të cilat ishin vendosur në objekte private dhe shoqërore, shumat e pagesës së qirasë dhe pronarëve të cilëve u bëhej kjo pagesë. Sipas këtij dokumenti strategjik, brenda një viti, institucionet publike shpenzonin mbi 3.1 milionë euro.

Me qëllim të kalimit nga objektet private dhe shoqërore në objekte në pronësi shtetërore që menaxhohen nga Ministria e Administratës Publike (MAP), plani strategjik propozonte ndërmarrjen e veprimeve afatshkurtëra dhe afatmesme për sistemimin e institucioneve publike.

Në planin afatshkurtër propozohej që disa nga objektet shtetërore, të cilat janë në përdorim nga ndërmarrjet publike apo nuk janë duke u shfrytëzuar, të renovohen dhe në to të vendosen disa ministri.  Për shembull, objekti i “Toskanës” në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës, i cili në vitin 2008 përdorej nga Korporata Energjetike e Kosovës, propozohej që t"i kalohej në shfytëzim Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (më vonë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik). Disa nga propozimet tjera afatshkurtëra nuk u realizuan në tërësi, për shembull kalimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në objektin e “Menzës së Studentëve” ; kalimi i përkohshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në objektin e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës; vendosja e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit në objektin qendror të PTK, etj.

Plani strategjik parashihte edhe lirimin e objekteve shtetërore nga administrata e UNMIK-ut dhe vendosjen e institucioneve publike në to, çfarë edhe ndodhi gradualisht përgjatë këtyre viteve.

Në anën tjetër, me këtë plan parashihej që në periudhën 2008-2015 të investoheshin 87 milionë euro në objekte të reja shtetërore.

Në përgjithësi, kalimi i tërë administratës shtetërore në institucione shtetërore do të kushtonte rreth 112 milionë euro.

Sipas një përgjgije të marrë nga Ministria e Administratës Publike, del se në periudhën 2008-2015 janë shpenzuar afër 86 milionë euro në renovimin, ndërtimin dhe elaboratet për objektet qeveritare. Tabela më poshtë liston disa nga objektet më të kushtueshme.

Por, përkundër asaj se përgjatë këtyre viteve janë liruar të gjitha objektet të cilat mbaheshin në shfrytëzim nga administrata e UNMIK, është renovuar Rilindja, është ndërtuar Pallati i Drejtësisë ku u vendosen pothuajse të gjitha institucionet gjyqësore, prapë se prapë shpenzimet e qirasë janë rritur. Më 2015 është shpenzuar buxhet 143% më shumë se sa më 2007.

Një nga arsyet përse ka ndodhur kjo është se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë shtuar një numër i madh i institucioneve (ministri, agjencione ekzekutive, agjencione të pavarura).

Sipas Ministrisë së Administratës Publike, aktualisht nuk ka asnjë institucion qeveritar në objekte private, por ka edhe më tej agjencione të pavarura, për të cilat MAP nuk mban shënime.

Qeveria e Kosovës duhet të aprovojë një plan të ri afatmesëm, ashtu sikurse Plani Strategjik 2008 – 2015 për Akomodimin Rezidencial për Qeverinë e Kosovës, i cili do të ofronte një pasqyrë konkrete për institucionet të cilat ndodhen në objekte private, shumat të cilat paguhen, pronarët e objekteve, si dhe të ofrojë një plan konkret për invetsimet e reja në objekte shtetërore.