Dilemat rreth emërimeve në pozita të nivelit të lartë drejtues në shërbimin civil

16/03/2017

Në mbledhjen 131 të datës 15 shkurt 2017, Qeveria e Kosovës ka marr vendimin 08/131 për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MPB.  Një emërim i tillë është komentuar si shkelje e legjislacionit për shërbimin civil pasi nuk ishte shpallur konkurs publik për këtë pozitë dhe rrjedhimisht emërimi ishte bërë pa konkurs. Qëllimi i këtij shkrimi është që të qartësojë procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese dhe nëse një emërim i tillë është shkelje e Ligjit për shërbimin civil dhe legjislacioni sekondar për pozitat e nivelit të lartë drejtues.

Parimisht emërimi në pozita të nivelit të lartë drejtues sipas Ligjit për shërbimin civil dhe rregulloreve përkatëse bëhet me konkurs, por rregulloret përkatëse kanë lënë një mundësi të ricaktimit të një personi nga një institucion në tjetër kur pozita është e barabartë dhe kur plotësohen disa kushte të përshkruara në legjislacion. Në rastin e emërimit të drejtorit të përgjithshëm të ARC-së në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në MPB kemi të bëjmë me një ricaktim në pozitë të barabartë sepse pozita e drejtorit të përgjithshëm të ARC dhe pozita e sekretarit të përgjithshëm në MPB janë të barasvlershme dhe të nivelit të njejtë. Një lëvizje e tillë apo ricaktim në pozitë është definuar me Rregulloren 06/2012 për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil, përkatëisht neni 14. Në këtë nen është bazuar edhe vendimi i Qeverisë për emërimin përkatësisht ricaktimin e drejtorit të përgjithshëm të ARC-së në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të MPB-së. Sipas pikës 1 të këtij neni “zyrtari i lartë drejtues mund të ricaktohet në një pozitë tjetër të nivelit të njejtë me pajtimin e tij dhe titullarit të institucionit në të cilin punon aktualisht si dhe titullarit të institucionit në të cilin do të transferohet”. Në rastin konkret bëhet fjalë për ricaktim brenda institucionit të MPB-së dhe titullari i institucionit është Ministri i Punëve të Brendshme ai i cili e ka dhënë pajtimin për ricaktim (lëvizje) pasi të dy pozitat e nivelit të njejtë janë në kuadër të MPB-së.

Megjithatë, rasti i ricaktimit e ka edhe një kufizim se kur mund të përdoret. Pika 2 e nenit 14 të Rregullorës 06/2012 përcakton që “ricaktimi i zyrtarit të lartë drejtues duhet të bëhet me vendim të Qeverisë pas rekomandimit nga Kryeministri. Rrethanat në të cilat Kryeministri mund të bëjë një rekomandim të tillë janë për plotësimin e kërkesave funksionale të Qeverisë dhe nevojave për zgjidhjen e vështirësive ose kontestit në mes të Ministrit dhe zyrtarit përkatës të lartë drejtues”. Emërimi/ricaktimi i drejtorit të përgjithshëm të ARC-së në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në MPB është bërë me vendim të Qeverisë por është vështirë të përfundohet nëse një emërim/ricaktim i tillë është bërë për plotësimin e kërkesave funksionale të Qeverisë apo për nevoja të zgjidhjes së vështirësive dhe kontestit në mes të Ministrit dhe zyrtarit përkatës, gjë që do të legjitimonte mënyrën e emërimit pa konkurs të sekretarit të përgjithshëm të MPB-së. Pozita e sekretarit të përgjithshëm në MPB ka mbetur e lirë pasi sekretari i përgjithshëm është emëruar nga Presidenti në pozitën e Drejtorit të AKI-së. Mirëpo, vetëm fakti që pozita ka mbetë e lirë nuk e legjitimon vendimin e Qeverisë që mos të shpallet konkurs dhe në këtë pozitë të ketë ricaktim. Por, nëse nuk është shpallur konkurs për plotësimin e pozitës së sekretarit të përgjithshëm të MPB-së, Qeveria, përkatësisht MAP duhet të shpallë konkurs për plotësimin e pozitës së drejtorit të përgjithshëm të ARC-së. Ricaktimi është i bazuar në legjislacionin e shërbimit civil por duhet të konsiderohet për zbatim nga Qeveria vetëm në rastet siç është përcaktuar më lartë dhe në raste vërtetë specifike. Në rast të mos përmbushjes së kërkesave sipas ligjit për ricaktim, është e padrejtë që të vihet në zbatim ricaktimi dhe me këtë të mohohet e drejta e aplikimit të kandidatëve përmes konkursit publik. Ricaktimi duhet të konsiderohet përjashtim nga rregulli për shpallje të konkursit të jashtëm dhe pranimit nga jashtë në pozitën përkatëse.

Emërimi në pozita të larta drejtuese bëhet përmes konkursit të jashtëm dhe të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë brenda dhe jashtë institucionit sipa kushteve të përcaktuara me legjislacion. Sipas Ligjit për shërbimin civil, neni 12, pika 2, MAP formon komisionin për vlerësimin e kritereve i cili përbëhet nga tre sekretar të përgjithshëm, një profesor fakulteti nga lëmia përkatëse dhe një anëtar nga shoqëria civile, derisa titullari i institucionit ku është vendi i lirë i cakton edhe dy anëtarë tjerë të komisionit. Pas procedurave të komisionit, ky i fundit i propozon MAP-it tre kandidaturat më të mira nëse vendi i lirë është brenda institucioneve të ekzekutivit. Në rast se vendi i lirë është brenda institucioneve të ekzekutivit, MAP i propozon Qeverisë për miratim kandidatin e preferuar nga titullari i institucionit i cili miratohet për një mandat tre vjeçar, derisa në rast së vendi i lirë është jashtë institucioneve të ekzekutivit, Komisioni përzgjedhës i propozon titullarit të institucionit të përzgjedh një kandidat nga të tri kandidaturat e propozuara nga komisioni.