Instituti GAP publikoi analizën “Përgatitja profesionale për tregun e punës: Analizë e sektorit privat të shërbimeve"

18/05/2017

Sot, më 18 maj 2017, Instituti GAP organizoi debat lidhur me aftësimin profesional për tregun e punës, ku u prezantua edhe hulumtimi  “Përgatitja profesionale për tregun e punës: analizë e sektorit privat të shërbimeve”.

Berat Thaqi, Analist i Politikave në Institutin GAP, theksoi se në Kosovë kërkesa për një vend pune është mjaft e lartë, mirëpo bizneset kanë vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.  Për dallim nga tregtia me mallra, sektori i shërbimeve është sektori i vetëm në të cilin Kosova ka suficit tregtar dhe përgatitja e kuadrove për këtë sektorë duhet të konsiderohet strategjike për ekonominë e vendit. Marrë parasysh rëndësinë e këtij sektori  Insituti GAP ka realizuar një hulumtim lidhur me tregun e punës në sektorin e shërbimeve, më saktësisht lidhur me plotësimin e nevojave të bizneseve në këtë sektorë sa i përket gjetjes së personave të kualifikuar në tregun e punës. Hulumtimi ka përfshirë një anketë të realizuar me 28 biznese në industrinë e shërbimeve.

Nora Jusufi, Hulumtuese në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e analizës ku potencoi se shkalla e papunësisë së të rinjve në Kosovë për vitin 2016 është 52.4%, që paraqet një statistikë mjaft alarmuese. Megjithëkëtë, nga 92.6% të kompanive të anketuara të cilat kanë punësuar punëtorë të rinj gjatë tri viteteve të fundit, 82.1% kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar. Mospërputhja e aftësive me kërkesat e bizneseve ka bërë që kompanitë të punësojnë punëtorë më pak të kualifikuar, të pengohet zhvillimi i shërbimeve të reja dhe të ulet produktiviteti.  Znj. Jusufi shtoi se sa i përket qendrave të kompetencës në Kosovë, investimet kryesore kanë qenë në infrastrukturë dhe si rrjedhojë të diplomuarit e shkollave janë të punësuar në masë të vogël, edhe atë jashtë profesionit.

Mendohije Krelani, Bashkëpunëtore  për  çështje pedagogjike në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, deklaroi se kjo agjenci punon mjaft shumë për realizimin e objektivave dhe se është investuar mjaft në qendrat e kompetencës, por se bashkëpunimi në mes të kompanive dhe qeverisë është i ulët dhe duhet që të bëhet më shumë në këtë drejtim. Problem tjetër kyç është formula e financimit të qendrave të kompetencës e cila nuk merr parasysh specifikat e fushave të trajnimeve që ofrohen nga qendrat dhe njëkohësisht mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për mirëmbajtjen e investimeve të realizuara në këto shkolla.  Znj. Krelani ftoi bizneset për bashkëpunim dhe që të marrin iniciativa për dhënien e inputeve rreth programeve që qendrat e kompetencës ofrojnë.

Fikrete Asllani, Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë Baruti GmbH, foli rreth përvojës së “Barutit” në rekrutim, ku potencoi se rreth 60% të aplikantëve në “Baruti” nuk janë punësuar për shkak të mungesës së aftësive bazike të shkrimit të letrës motivuese, rezymeve dhe emailave, si hap i parë në procesin e rekrutimit. Znj. Asllani shtoi se “Baruti” ofron trajnime të shumta për punëtorët e tyre duke  bashkëpunuar me institucione arsimore private për ofrimin e moduleve të veçanta për punonjësit e “Barutit”. Por një bashkëpunim i tillë ende nuk ka ndodhur me institucione publike edhe pse ka pasur përpjekje për bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Gjermane.

Në diskutim morrën pjesë përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile si dhe institucioneve publike. Bizneset shprehën pakënaqësitë e tyre me kuadrot e diplomuara në Kosovë dhe me pozitat e hapura të cilat nuk po mund t’i mbushin për shkak të kualifikimeve të dobëta. Gjithashtu, përfaqësues të bizneseve konsideruan pengesë të madhe mungesën e bashkëpunimit në mes të sektorit privat dhe institucioneve relevante publike.  Edhe qendrat e kompetencës janë ankuar për mos gatishmërinë e bizneseve për të bashkëpunuar me këto qendra, veçanërisht në angazhimin e praktikantëve në ndërmarrje.  Si përfundim, problem kyçe u cilësua mungesa e bashkëpunimit në mes të akterëve relevant, shpërputhja e kurrikulave me nevojat e tregut dhe mungesa e investimeve të bazuar në  analiza të mirëfillta të nevojave të tregut të punës.

Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.