Instituti GAP dhe GLPS organizuan konferencën ndërkombëtare "Sfida e Integrimit Evropian të Kosovës: Bashkëpunimi Rajonal dhe Marrëdhëniet Fqinjësore”

24/05/2017

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në bashkëpunim me  Qendrën Austro-Franceze për Rivendosjen e Marrëdhënieve Miqësore në Evropë (CFA), nga Instituti Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IFRI) sot organizuan konferencën ndërkombëtare me temën: "Sfida e Integrimit Evropian të Kosovës: Bashkëpunimi Rajonal dhe Marrëdhëniet Fqinjësore."

Më 1 prill 2016 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt konvergjencës politike dhe ekonomike të Kosovës si dhe statusit të vendit kandidat. Kjo marrëveshje është lidhja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, megjithëse ende e lë të pazgjidhur çështjen e mosnjohjes së shtetit nga pesë shtete anëtare. Përveç reformave të domosdoshme politike dhe ekonomike, në administratën publike, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve si dhe tregtinë e lirë, integrimi evropian i Kosovës nënkupton theks të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Në këtë konferencë u diskutua rreth forcave shtytëse dhe vështirësive të Kosovës gjatë procesit të integrimit evropian, progresin që Qeveria e Kosovës e ka bërë deri më tani në këtë drejtim si dhe bashkëpunimet rajonale dhe marrëdhëniet fqinjësore të Kosovës me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Me një fjalë hyrëse u paraqitën Z. Michael Linhart nga Ministria për Evropë, Integrime dhe Punë të Jashtme e Austrisë, Znj. Nataliya Apostolova - Shefe e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Znj. Anila Statovci-Demaj nga Ministria e Integrimit Evropian, dhe Z. Piero Cristoforo Sardi - Ambasador i Italisë në Kosovë.

Në panelin e parë u diskutua rreth progresit dhe vështirësive në integrimin evropian të Kosovës. Paneli u drejtua nga Z. Florent Marciacq nga Qendra Austro-Franceze për Rivendosjen e Marrëdhënieve Miqësore në Evropë. Z. Jeton Mehmeti nga Instituti GAP foli mbi sfidat e Kosovës në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian. Znj. Albana Merja nga GLPS foli mbi përfitimet dhe detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Ndërkaq Z. Jean-Arnault Derens, kryeredaktor nga Le Courrier des Balkans foli mbi bllokimin e integrimeve evropiane.

Në panelin e dytë u diskutua mbi bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet ndër-fqinjësore. Z. Adrian Hackaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim foli mbi bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri nga akteret jo-qeveritar. Znj. Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane e Serbisë foli mbi bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Ndërkaq Znj. Lura Pollozhani nga Qendra për Studime të Evropës Jug-Lindore foli mbi marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni. Paneli u drejtua nga Z. Tobias Flessenkemper nga Qendra Ndërkombëtare për Trajnime Evropiane (CIFE). Në diskutim kontribuuan edhe ambasadorë të huaj në Kosovë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.  

Konferenca u mbështet nga Ambasada e Austrisë dhe Ambasada e Francës në Kosovë.