Shpenzimet e Qeverisë për përdorim të telefonave (fiks dhe mobil) për 2017

29/10/2018

Në mënyrë që të përcaktohen rregulla dhe procedura për përdorim të rregullt dhe efikas të telefonave fiks dhe mobil,  Qeveria e Kosovës ka hartuar një udhëzimi administrativ i cili nuk është ndryshuar që nga viti 2008. Sipas këtij udhëzimi: kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i përhershëm i zyrës së kryeministrit dhe shefi i kabinetit të kryeministrit kanë të drejtë për telefon roming (ang. post paid). Qasje në telefon fiks kanë të gjithë zyrtarët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës ndërsa gjithsej janë 14 pozita që kanë të drejtë për mbushje të telefonit mobil.  

Sipas nenit 5 të udhëzimit, shpenzimet e telefonit për kryeministrin janë të pakufizuara. Për zëvendëskryeministrat dhe ministrat deri në 250 euro në muaj. Ndërsa shpenzimet për zëvendësministrat, sekretarin e përhershëm dhe shefin e kabinetit të kryeministrit deri në 150 euro në muaj, e kështu me radhë. Këto shpenzime lejohet të behën vetëm me qëllim të përfundimit të punëve dhe detyrave në kuadër të përgjegjësive.     

Sipas Raportit financiar 2017 të Ministrisë së Financave gjithsej janë shpenzuar 2.5 milion euro për telefona mobil. Krahasuar me vitin e kaluar,  këtë vit janë shpenzuar 54 mijë euro më pak apo (-2%). Kjo ulje e shpenzimeve do të duhej të ishte më e madhe duke pasur parasysh rritjen e numrit të përdorusve të shërbimeve brezëgjëra. Duke pasur parasysh këtë, Qeveria e Kosovës do të duhej të ulte edhe më shumë shumën e lejuar për shpenzimet e telefonisë mobile.

Figura 1: Shpenzimet e telefonisë mobile

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e përpunuara nga Raporti financiar 2017 i Minstrisë së Financave

 

Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve për telefoni për vitin 2017 nga ministritë dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM). Kësaj kërkese refuzuan t’i përgjigjen: Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Ndërsa Ministria e Drejtësisë vazhdimisht publikon shpenzimet javore në ueb faqen zyrtare, ku janë të përfshira edhe ato të telefonisë, mirëpo për shkak të qasjes jo të lehtë nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë për qëllim të hulumtimit tonë. Pra, Ligji për Qasje në Dokumente Publike vazhdon edhe më tutje të mos respektohet.

Kërkesës sonë kanë pranuar t’i përgjigjen Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe 11 ministri. Nga të cilat Ministria e Infrastrukturës ka ofruar të dhëna për shpenzimet mujore të ministrisë. Ndërsa, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ofruar të dhëna të përgjithshme. Ndërsa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ofruar të dhëna të vitit 2016.

Zyra e Kryeministrit së bashku me 11 ministri kanë shpenzuar gjithsej 88,287 euro për përdorim të telefonave fiks dhe mobil. E para që listohet është ZKM me 15,964 euro, ndërsa pas saj radhitet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me rreth 4 mijë euro me pak, e kështu me radhë.

Figura 2: Shpenzimet për telefona (fiks dhe mobil)

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Sipas nenit 5 të udhëzimit, një ministri i lejohet të shpenzojë 250 euro në muaj për telefon roming apo 3,000 euro gjatë tërë vitit. Në radhën e ministrave për vitin 2017 nuk kemi ndonjë tejkalim të shpenzimeve për telefon mobil.

Figura 3: Shpenzimet e ministrave 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Bazuar në nenin 5 të udhëzimit, një zëvendësministri i lejohet të shpenzojë 150 euro në muaj ose 1,800 euro gjatë tërë vitit. Në radhën e zëvendësministrave për vitin 2017 tejkalim të shpenzimeve ka nga:

Rita Hajzeraj, zëvendësministre e Integrimeve Evropiane, në muajin maj tejkaloi shpenzimet për 350 euro, ndërsa në muajin korrik për 124 euro. Anila Statovci– Demaj,  zëvendësministre e Integrimeve Evropiane, në muajin janar tejkaloi shpenzimet për 31 euro. Ndërsa Gjergj Dedaj nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në muajin gusht tejkaloi shpenzimet për 12 euro.

Figura 4: Shpenzimet e zëvendësministrave 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Sipas nenit 5 të udhëzimit, shefat e kabinetit të kryeministrit mund të shpenzojnë deri 150 euro në muaj ose 1,800 euro gjatë tërë vitit. Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, për vitin 2017 ka tejkaluar shpenzimet në secilin muaj, në muajin mars tejkaloi shpenzimet për 500 euro, ndërsa në muajin korrik për 1,407 euro. Shpenzimet e të cilit për muajin korrik, ZKM i deklaroi Valës si rast me mundësi gabimi. Sokol Havolli gjithsej ka shpenzuar rreth 4 mijë euro për përdorim të telefonit (Janar – Shtator). Tejkalim të shpenzimeve ka bërë dhe shefja e kabinetit të Kryeministrit Isa Mustafa, Vlora Dumoshi.

Figura 5: Shpenzimet e shefave te kabinetit 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse

 

Figura 6: Zyrtarët të cilët i kanë tejkaluar shpenzimet e lejuara 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Bazuar në totalin e shpenzimeve për përdorim të telefonave fiks dhe mobil për 2017,  pozita me shpenzimet më të larta në këtë kategori është e këshilltarëve politik, të cilët kanë shpenzuar rreth 22.3 mijë euro. Pas saj radhiten, zëvendësministrat, shefat e kabinetit e kështu me radhë.

 

Figura 7: Shpenzimet në bazë të pozitave

 

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Në këtë link, janë paraqitur në formë infografike shpenzimet e telefonave fiks dhe mobil për Zyrën e Kryeministrit dhe 11 ministri gjatë vitit 2017 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.