Parandalimi dhe luftimi i konfiktit të interesit në Kosovë - Java Kundër Korrupsionit

10/12/2018

Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO) dhe Instituti Columbus, të martën, kanë mbajtur tryezën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”, si aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”.

Në këtë tryezë, u publikua raporti i përbashkët i Koalicionit të OJQ-ve me titull “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në Kosovë”, lidhur me të gjitha aspektet e qëllimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe zbatimin e këtij ligji nga pushteti ekzekutiv. Instituti GAP, GLPS, INPO dhe Instituti Columbus kanë prezantuar gjetjet e hulumtimit në lidhje me zyrtarët e lartë të Zyrës së Kryeministrit, 13 ministrive dhe 38 komunave të Kosovës.

Njëri ndër problemet që vazhdon të ngritët vazhdimisht në raportet vjetore të Komisionit Evropian për Kosovën është mungesa e një sistemi efikas për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pronës së zyrtarëve të lartë publik dhe të dhuratave për të gjithë zyrtarët publikë.

Nga afërsisht 2000 zyrtarë të lartë publikë në institucionet e diskutuara në tryezë, 238 prej tyre mbajnë më shume se një pozitë, 80 prej tyre marrin shtesa, mëditje ose kompensime, dhe më shumë se 49 prej tyre pos pozitës zyrtare në institucionin gjegjës marrin edhe pension nga buxheti i Kosovës.  

Përveç shqyrtimit të deklarimit të pasurive nga AKK-ja, organizatat kanë dërguar edhe kërkesa për qasje në dokumente publike në institucionet përkatëse rreth listës së pagave, mëditjeve, kompensimeve dhe shtesave si dhe çdo tjetër shpërblim që ipet nga buxheti i Kosovës. Prej nivelit qendror, 13 institucione nuk janë përgjigjur, 15 institucione kanë ofruar informata të mangëta dhe vetëm tri janë përgjigjur me të dhëna të plota. Edhe në pushtetin lokal, 16 nga 38 komuna kanë ofruar përgjigje të plota, 12 përgjigje të pjesshme, ndërsa 10 nuk kanë ofruar përgjigje fare.  

Panelistë në këtë tryezë ishin përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane, Alison Storsve, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, si dhe përfaqësuesi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Safet Berisha.

Të gjithë penalistët dhe pjesëmarrësit u dakorduan që duhet të krijohen mekanizma të brendshëm institucionalë të cilët do t’i identifikojnë të gjithë zyrtarët që mbajnë më shumë se një pozitë në institucione publike dhe marrin më shumë se një pagë në këto institucione dhe më gjerë. Njëkohësisht u diskutua nevoja e harmonizimit të ligjeve dhe ngritja e vetëdijes lidhur me mekanizmat ligjorë për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar Këtu.

 

##

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” përbëhet nga: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata Çohu, Instituti GAP, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti KIPRED, Instituti Columbus dhe ACDC. Java Kundër Korrupsionit 2018 mbështetet nga Ambasada Amerikane në Kosovë.