Kostoja e mëditjeve të udhëtimeve zyrtare gjatë vitit 2017

27/12/2018

Miliona euro të buxhetit të Kosovës janë shpenzuar për mëditje brenda dhe jashtë vendit gjatë vitit 2017. Nga viti 2004 deri në korrik 2018, shuma e mëditjeve është llogaritur sipas rregullores së UNMIK-ut. Sipas kësaj rregullore, kompensimet për mëditje ndryshojnë varësisht nga shteti dhe mbulesave që i bëhen zyrtarëve nga pala pritëse. Nëse shpenzimet për akomodim, ushqim dhe shpenzimet tjera të vogla mbulohen tërësisht nga pala pritëse, atëherë zyrtarët nuk përfitojnë para të gatshme nga buxheti i shtetit. Por, nëse shpenzimet e akomodimit ose ushqimit pjesërisht janë të mbuluara nga pala pritëse, atëherë zyrtarët përfitojnë nga buxheti i shtetit 20% të shpenzimeve ditore, si dhe shpenzimet e akomodimit apo të ushqimit të cilat nuk paguhen nga pala pritëse. Në rastin kur zyrtarëve u janë mbuluar pjesërisht shpenzimet e ushqimit nga pala pritëse llogaritja ndryshon si në vijim:

- Nëse pala pritëse mbulon vetëm ushqimin e mëngjesit, atëherë pjesa tjetër e ushqimit (dreka dhe darka) apo 85 % e shpenzimit mbulohet nga organizata buxhetore.

- Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe drekës, organizatës buxhetore i mbetet të mbulojë vetëm darkën apo 55% të shpenzimit të ushqimit.

- Nëse pala pritëse mbulon ushqimin e mëngjesit dhe darkës, ushqimi i drekës apo 40%  e  shpenzimit të ushqimit mbulohet nga  organizata buxhetore.

- Nëse pala pritëse mbulon tërësisht ushqimin, organizata buxhetore mbulon 20% të shpenzimeve ditore.

Shpenzimet e akomodimit duhet të arsyetohen me fatura përkatëse dhe në rastet kur këto shpenzime janë më të ulëta se tarifa e përcaktuar për akomodim, diferenca e mjeteve duhet të kthehet. Gjithsesi, për mbyllje të avansit zyrtarët duhet të sjellin faturat.

Bazuar në Raportin Vjetor Financiar 2017 të Ministrisë së Financave, shpenzimet për mëditje të udhëtimit zyrtar brenda vendit ishin për 16% (10 mijë euro) më të ulëta krahasuar me vitin 2016. Ndërsa, mëditjet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit për 2017 krahasuar me vitin 2016 janë ulur për 3% (85 mijë euro).

Figura 1: Mëditjet e udhëtimit zyrtar brenda dhe jashtë vendit

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat nga Raporti financiar 2017 i Minstrisë së Financave

 

 Instituti GAP, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar të dhënat e shpenzimeve për mëditje të vitit 2017 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë i janë përgjigjur ZKM dhe vetëm dhjetë ministri. Ministria e Punëve të Brendshme  dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ofruar të dhëna të përgjithshme dhe jo në bazë të shpenzimeve individuale të zyrtarëve. Ndërsa, shpenzimet e mëditjeve për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit 2017 refuzuan t’i ofrojnë: Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit publikon shpenzimet javore në ueb faqen zyrtare, mirëpo jo edhe shpenzimet për mëditje. Ndërsa, të dhënat e ofruara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë qenë të pa shfrytëzueshme për ne sepse përfshijnë së bashku shpenzimet e fjetjes, ushqimit dhe mëditjeve duke i bërë të pakrahasueshme me të dhënat e ministrive tjera. Pra, Ligji për Qasje në Dokumente Publike vazhdon edhe më tutje të mos respektohet.

Shuma e shpenzuar për mëditje brenda dhe jashtë vendit nga ZKM dhe dhjetë ministri është gjithsej 128 mijë euro. ZKM është e para që listohet me 36 mijë euro shpenzime për mëditje, ndërsa pas saj radhitet Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike me 12 mijë euro më pak, e kështu me radhë.

Figura 2: Shpenzimet për mëditje 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Sipas të dhënave të pranuara, del se Valon Murati, si Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike kishte marrë mbi tre mijë euro mëditje, ndërsa Ferat Shala, si Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor radhitet i dyti me 325 euro më pak.

Figura 3: Shpenzimet e ministrave  2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.
 

 Figura 4: Shpenzimet e ministrave të mëvonshëm (shtator-dhjetor) 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Sa i përket shumës së mëditjeve të zëvendësministrave, Anila Statovci – Demaj, Zëvendësministre e Integrimeve Evropiane kishte marrë më së shumti mëditje, mbi pesë mijë euro. Pas saj radhitet Sladan Nikolevic, Zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me një mijë euro më pak.

Figura 5:  Shpenzimet e zëvendësministrave 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Figura 6:  Shpenzimet e zëvendësministrave të mëvonshëm nëntor-dhjetor 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Duke u bazuar në postet drejtuese, zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë kanë shpenzuar rreth 25 mijë euro për mëditje brenda dhe jashtë vendit, pas tyre radhiten ministrat me 22 mijë euro, zëvendëskryeministrat me dhjetë mijë euro dhe Kryeministri Isa Mustafa dhe Kryeministri Ramush Haradinaj me rreth tre mijë euro. 

Figura 7: Shpenzimet në bazë të pozitave 2017

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Në këtë link, janë paraqitur në formë infografike shpenzimet e mëditjeve për Zyrën e Kryeministrit dhe dhjetë ministrive gjatë vitit 2017 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.