GAP në vitin e 8

08/01/2016

Raport i punës së Institutit GAP për vitin 2015.

Viti 2015 ishte viti i tetë i funksionimit të Institutit GAP. Edhe në vitin e tetë, Instituti GAP ka vazhduar punën në përmbushjen e misionit të tij, si një organizatë jo qeveritare, me vizion për të kontribuuar në ndërtimin e një shteti demokratik, i cila garanton liritë individuale, politike dhe ekonomike të secilit anëtar të shoqërisë.

Në frymën e vizionit tonë, në vitin 2015, përmes analizave, raporteve, konferencave e debateve, paraqitjeve mediatike e pjesëmarrjes në grupe punuese qeveritare, Instituti GAP është përpjekur të mbushë hendekun në mes të qeverisjes dhe qytetarëve si dhe në mes të problemeve dhe zgjidhjeve.

Gjatë vitit 2015, Instituti GAP ka publikuar 15 analiza dhe raporte rreth politikave publike, duke prekur temat më relevante rreth zhvillimit ekonomik, qeverisjes së mirë dhe mirëqenies së qytetarëve. Një seri e analizave gjatë këtij viti ka qenë e fokusuar në politikat fiskale dhe llogaridhënien buxhetore, si dy kritere të rëndësishme që ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Klima e investimeve në Kosovë, gjendja e prodhuesve vendor, dhe fondet qeveritare për garanci kreditore, po ashtu janë analizuar gjatë këtij viti. Edhe tema të tjera si, efiçienca e energjisë, reformimi dhe profesionalizimi i administratës publike, qeverisja e mirë në nivelin lokal, kanë qenë në fokus të analizave të Institutit GAP.        

Gjatë këtij viti, Instituti GAP ka organizuar 12 konferenca dhe debate për të diskutuar idetë, zgjidhjet dhe rekomandimet e ndryshme me vendimmarrësit kosovar dhe përfaqësuesit e institucioneve të huaja në Kosovë. Instituti GAP mbetet një ndër organizatat me pjesëmarrjen më të lartë në diskutimet zyrtare të politikave, me dhjetëra paraqitje e pjesëmarrje në dëgjime publike dhe grupe punuese.

Instituti GAP ka arritur të dallohet edhe si organizata më e cituar nga mediat vendore dhe ndërkombëtare, me mbi 700 paraqitje mediatike në vit, si dhe me numrin më të madh të vizitorëve në platformat elektronike dhe mediat sociale.

Kontributi profesional i Institutit GAP është vlerësuar nga zyrtarë të lartë qeveritarë, deputetë të parlamentit, kryetarë të komunave, si dhe nga përfaqësues të institucioneve të huaja. Gjatë fjalimit të tij në Kosovë, John Kerry, Sekretari Amerikan i Shtetit, e ka vlerësuar Institutin GAP si "një nga think tank-ët më me ndikim në Kosovë".

 

Për organizatën tonë, e gjithë kjo e bën vitin 2015 si një vit mjaft të suksesshëm dhe produktiv. Një sukses i tillë do të ishte i pa mundur pa një staf profesional dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve dhe donatorëve tonë.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU