Tryezë Diskutimi: "Ndikimi i Veturave në Shëndet dhe Siguri Rrugore"

13/04/2016

Sot, më 13 prill,Instituti GAP në bashkëpunim me Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizoi tryezë diskutimi të titulluar “Ndikimi i Veturave në Shëndet dhe Siguri Rrugore”.

Tryeza kishte për qëllim diskutimin mbi ndikimin në mjedis, shëndet dhe në siguri rrugore nga vendimi për heqjen e kufizimeve për importin e veturave të vjetra. Në këtë tryezë u prezantua edhe analiza e Institutit GAP “Ekonomia e veturave në Kosovë - analizimi i politikave qeveritare për importin, regjistrimin dhe kontrollimin e veturave”.

Sipas kësaj analize, pas vendimit të qeverisë për largim të limitit të vjetërsisë së veturave të importuara, ka pasuar një rritje të numrit të veturave të vjetra në Kosovë. Në pesë vitet e fundit në Kosovë janë importuar mbi 100 mijë vetura të vjetra dhe vetëm 6,000 të reja. Kjo ka ndikuar në rritjen e mesatares së vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë. Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP tha se “aktualisht mesatarja e vjetërsisë së veturave në Kosovë është 18 vjet, e që është për rreth dhjetë vjet më e lartë se në Bashkimin Evropian, ku mesatarja është 8.6 vjet”. Shqetësues mbetet fakti që ky vendim i qeverisë nuk është përcjellë me rritjen e standardeve të kontrollit teknik. Përkundrazi, kontrolli i lirimit të gazrave në ajër në Kosovë nuk zbatohet fare. Ky vendim dhe mungesa e kontrollit është në kundërshtim me Strategjinë për Cilësinë e Ajrit të miratuar në vitin 2011 nga vet qeveria.

Lutfi Zharku, Ministër i Infrastrukturës, tha se “qendrat e kontrollimit teknik posedojnë teknologjinë e nevojshme për kontrollin e gazrave të liruara, mirëpo lirimi i gazrave ndikohet jo vetëm nga teknologjia e veturave por edhe nga cilësia e karburantit që ato përdorin”. Ai gjithashtu shtoi se në projektligjin që është në procedurë parashihen procedura strikte për veturat e vjetra dhe për veturat që kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa për sa i përket sigurisë në rrugë do të forcohen kontrollet teknike dhe masat për marrjen e patentë shoferëve”.

Përfaqësuesja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Dr. Tahire Gjergji, tha se “ndotësit kryesor të ajrit në Kosovë janë industria dhe komunikacioni”. Trafiku është bërë problem serioz sidomos pas vendimit të qeverisë. Ajo tha se sëmundjet respiratore prijnë në listën e sëmundjeve jo ngjitëse, ndërsa ato kardiovaskulare prijnë listën e sëmundjeve që shkaktojnë vdekjen. Këto sëmundje shkaktohen nga ndotja e ambientit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tregoi që tashmë në kryeqytet janë vendosur matës në gjashtë pika matëse që tregojnë në kohë reale se sa është ndotja e ajrit në ato pika. Prej këtyre të dhënave, është parë që niveli i peroksidit të sulfurit është mjaft brengosës i cili gjendet në karburante.

Përderisa, përfaqësuesi nga Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, Tafë Veselaj tha “që legjislatura për mbrojtje të mjedisit në Kosovë është e kompletuar në mënyrë solide, ndërsa legjislatura për mbrojte të ajrit dhe ujit ka ende ngecje”. Sidoqoftë, ai shtoi se me Planin Kombëtar për zbatim të MSA-së përfshihet transporti ku thuhet se duhet të ndalet urgjent përkeqësimi i gjendjes mjedisore konform standardeve të BE-së.

Tryeza u përcoll me diskutim nga të pranishmit dhe nxori një sërë rekomandimesh për përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe sigurisë në rrugë nga veturat prezentë në komunikacion. U rekomandua zbatimi i EURO standardeve për importin e veturave të përdorura, ngjashëm si në Maqedoni të cilët nuk lejojnë importin e veturave që janë nën standardin Euro 4. Gjithashtu u rekomandua që të zbatohet Udhëzimi Administrativ për sa i përket lirimit të gazrave nga qendrat e kontrollit teknik. Të zbatohen projekte atraktive për promovimin e transportit publik dhe minimizimin e prezencës së veturave në kryeqytet; të zbatohen kontrolla rigoroze për cilësinë e naftës dhe procedura strikte për lëshimin e patentë shoferëve.

Analizën  “Ekonomia e veturave në Kosovë - analizimi i politikave qeveritare për importin, regjistrimin dhe kontrollimin e veturave” mund ta lexoni KËTU