20 milionë euro janë shpenzuar vetëm për këshilltarë për projektin Kosova e Re

16/05/2019

A e dini se janë shpenzuar mbi 20 milionë euro vetëm për këshilltarë të projektit TC Kosova e Re që nga viti 2006?

Në vitin 2006, Banka Botërore për herë të parë ka angazhuar këshilltarë të transaksionit, ku deri më 2011 u shpenzuan 16,4 milionë dollarë (12 milionë euro), prej të cilave 5,5 milionë dollarë (4 milionë euro) janë mbuluar nga Buxheti i Kosovës.

Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës mori përsipër që të angazhojë kompani konsullente ku u shpenzuan edhe 3.9 milionë euro. Nga viti 2012 deri 2015, përmes disa kontratave për shërbime, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka angazhuar tre menaxherë të ndryshëm të projektit së bashku me staf mbështetës për një vlerë të përafërt prej 200 mijë euro.

Për më tepër, individë të cilët janë angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të menaxhuar projektin TC Kosova e Re, tani shërbejnë si punonjës të investitorit privat (ContourGlobal) të përzgjedhur për të investuar në këtë projekt.

Këtë muaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka shpallur tender me vlerë referenciale prej 4 milionë euro për blerjen e shërbimeve të konsulencës për projektin TC Kosova e Re. Me këtë tender, shpenzimet për këshilltarë të projektit “Kosova e Re” do të arrijnë mbi 20 milionë euro.