Buxheti dhe prioritetet strategjike

13/12/2013 Shkruan Berat Thaqi

Tetë aspekte negative dhe dy pozitive në Buxhetin e Kosovës 2014

Publikuar në gazetën "Tribuna", 11 dhjetor 2013
Përgjatë këtyre viteve, Qeveria e Kosovës ka adaptuar një mori strategjish dhe planesh të veprimit, ka vendosur prioritete të shumta, ka marrë zotime për integrime evropiane. Të gjitha këto kërkojnë buxhet. E në anën tjetër, gjatë hartimit të buxhetit, harrohen të gjitha këto prioritete dhe zotime, e më shumë i kushtohet rëndësi akomodimit të kërkesave për pensione, rritje pagash e investim në rrugë.

Më poshtë, po rendisim dhjetë fakte të cilat deputetët e Kuvendit duhet ti kenë parasysh me rastin e aprovimit të Buxhetit 2014. Tetë aspektet negative të buxhetit 2014 janë:


1. Përderisa rritja reale e Bruto Produktit Vendorit për kokë banori është projektuar të jetë 2.5%, buxheti për paga dhe mëditje është planifikuar të ketë rritje reale rreth 9%. Qeveria ka vendosur t’i rrisë pagat për motive politike pasi që as vet ata nuk besojnë se do të ketë rritje aq të madhe të produktivitetit në ekonomi. Në prezencë të një rritje të pakontrolluar të shpenzimeve, Qeveria detyrohet pastaj: 1) të rrisë taksat; ose/dhe 2) të rrisë borxhin. Të kujtojmë se Qeveria e Kosovës pasi që kishte rritur pagat në vitin 2011, kishte marrë një mori vendimesh që kishin të bënin me rritjen e taksave e tatimeve. Sa i përket borxhit, shihet se në bazë të projeksioneve të Ministrisë së Financave vazhdimisht do të kemi rritje të borxhit si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm. Financimi i buxhetit me anë të kredive do të sjellë kosto shtesë pasi që ne do të duhet të paguajmë interes dhe ky interes rritet aq më shumë që të rritet edhe borxhi shtetëror. Qeveria e Kosovës me rritjen e pagave nuk është se ka sjellë ndonjë vlerë shtesë në jetën e qytetarëve. 

2. Buxheti për Ministri të Arsimit dhe Universitet të Prishtinës së bashku përbën vetëm 7% të buxhetit qendror, ndërsa buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës i vetëm përben 17% të këtij buxhetit.


3. Buxheti për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si një nga bartësit kryesor të reformimit të politikave për zhvillim të sektorit privat, është zvogëluar për 16%.


4. Derisa 55% e popullsisë është nën moshën 29 vjeçare dhe papunësia tek rinia është në të njëjtat shifra, programi për rini në Ministrin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve ka marrë vetëm 7% të buxhetit të kësaj Ministrie. Nëse e krahasojmë këtë buxhet me totalin e buxhetit qendror del se përbën më pak se 1% të buxhetit.


5. Pas Serbisë, Kosova ka përqindjen më të lartë në rajon të tokës së lërueshme. Qeveria e Kosovës i ka ndarë vetëm 2% të buxhetit qendror për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.


6. Reformimi i administratës publike është konsideruar njëra nga proceset kyçe në rrugën e integrimeve Evropiane. Ministria e Administratës Publike si bartëse e procesit të reformimit ka ulje në buxhet prej 25%.


7. Përderisa Raporti i Progresit vazhdimisht ka kërkuar rritjen e cilësisë se statistikave zyrtare, buxheti për Agjensionin e Statistikave të Kosovës nuk është rritur për asnjë cent.


8. Qeveria e Kosovës ka kaluar rrjetin e shpërndarjes në duart e një kompanie private. Në anën tjetër, buxheti për komuna ka rreth 270 mijë euro investime kapitale në rrjetin elektrik.


Kurse dy aspektet pozitive janë:


1. Për arsye të rolit të rëndësishëm që luan kadastri në zhvillim ekonomik, e sidomos në përmirësimin e qasjes në financa, e shohim si hap pozitiv rritjen e buxhetit prej 142% për Agjensionin e Kadastrit të Kosovës;


2. Derisa çdo raport vendor dhe ndërkombëtar tregon për një evazion të madh fiskal, e konsiderojmë pozitive rritjen e buxhetit prej 15% për Administratën Tatimore të Kosovës;


Buxheti vjetor dhe planifikimet afatmesme buxhetore nuk do duhej të shikoheshin si të ndara nga politikat strategjike të Qeverisë. Është e kotë që të kemi strategji dhe prioritete, për të cilat nuk ndahet buxhet. Po ashtu, është e dëmshme që të kemi një buxhet i cili akomodon kërkesat ad hoc politike.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu