OpEd: Mbi gjysma e ujit të prodhuar nga ujësjellësit rajonalë humb në rrjet. Ku qëndron problemi?

27/05/2024

Rrjetet e ujësjellësve në Kosovë kanë nevojë për investime të mëdha. Niveli i humbjeve të ujit në secilin rajon të Kosovës është mjaft i lartë, ku mbi gjysma e ujit të prodhuar humb në rrjet. Humbjet e ujit ndodhin kryesisht për shkak të gjendjes së dobët të rrjeteve të ujësjellësit, por edhe për shkak të keqpërdorimeve nga kyçjet e paligjshme. Progresi i bërë ndër vite në uljen e humbjeve është i vogël. Në vitin 2023, disa nga Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU-të) kishin nivel më të lartë të humbjeve të ujit se në vitin 2022. 

Ngjashëm, edhe numri i prishjeve në rrjetet e ujësjellësve në Kosovë është i lartë. Ka rajone ku numri i prishjeve të gypave në vit për 100 kilometra gjatësi arrin në mbi 300 prishje. Sipas standardeve ndërkombëtare, një situatë me mbi 50 prishje të gypave në vit në 100 kilometra gjatësi, kërkon intervenim urgjent dhe rehabilitim të rrjetit. 

Investimet kapitale të KRU-ve përfshihen në tarifat e miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU). Pra, në tarifën që paguajnë qytetarët për ujin e shpenzuar, një pjesë e saj është e destinuar që KRU-të të kryejnë investime për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit. Nga analizimi investimeve kapitale të KRU-ve, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjen se investimet kanë ndikim në uljen e humbjeve, të cilat në periudhën 2019-2021 janë ulur nëpër rajone të ndryshme nga dy deri në gjashtë pikë përqindje. 

Problematike mbetet niveli i ulët i investimeve të realizuara nga KRU-të, veçmas karshi planifikimeve të bëra. Për këto arsye, qytetarët nuk marrin shërbime të mira të furnizimit me ujë, por, edhe vetë KRU-të inkasojnë më pak të hyra. 

Në vitin 2022, sipas të dhënave të ARRU-së, shkalla e realizimit të investimeve kapitale nga KRU-të nga gjithsej të hyrat vetjake dhe grantet në shumë prej 49.4 milionë euro ishte vetëm 2.8 milionë euro apo 5.7%. Nga këto, pesë milionë euro ishin planifikuar si investime nga KRU-të me të hyrat vetjake, ku shkalla e realizimit të tyre ishte 46.2% apo më pak se gjysma sesa ishin lejuar si investime. Ndërkaq, rreth 44.3 milionë euro investime ishin paraparë të realizohen përmes granteve nga donatorët, por shkalla e realizimit ishte vetëm 467 mijë euro apo 1.1%.

Problemet rreth realizimit të projekteve kapitale nga KRU-të janë të numërta. Sipas gjetjeve të ZKA-së, ka raste kur KRU-të nuk u përmbahen planeve të tyre të biznesit dhe i ndërrojnë projektet e planifikuara me disa projekte të tjera ad-hoc. Po ashtu, KRU-të kanë projekte të miratuara e të cilat nuk i kanë filluar asnjëherë. Pra, planifikimi i investimeve kapitale nuk bëhet me kujdes dhe në kohë. Shumica prej KRU-ve nuk kanë as Plane Afatgjata të Investimeve Kapitale, që do t’u mundësonin prioritizim të duhur të projekteve karshi objektivave afatgjate. Ngjashëm, ka vonesa të mëdha nga operatorët ekonomikë në kryerjen e punëve, deri në tre apo katër vjet shtesë, e ndaj të cilëve KRU-të shpesh nuk ndërmarrin ndonjë masë apo ndëshkim për mosrespektim të kontratave. 

Ndërkaq, ARRU del të mos i zbatojë në mënyrë rigoroze kriteret rreth përzgjedhjes së investimeve kapitale nga KRU-të gjatë procesit të përcaktimit të tarifave. ZKA gjen në raportet e saj se investimet kapitale të dorëzuara nga KRU-të, në raste të numërta nuk kanë arsyeshmëri të mjaftueshme dhe çfarë është tejet e rëndësishme, nuk përmbajnë studime adekuate të fizibilitetit apo kostove dhe benefiteve, që do të tregonin se cili pritet të jetë ndikimi i atyre investimeve në uljen e humbjeve të ujit. Peshë e fajit në mosprioritizimin e investimeve kapitale bie edhe mbi bordet e KRU-ve, të cilat kanë role vendimmarrëse në këto ndërmarrje. 

Po ashtu, te ndarja e investimeve kapitale vërehet një raport i zhdrejtë në mes të investimeve për zgjerim të rrjetit dhe mirëmbajtjes së tij, ku rreth 75% e buxhetit alokohet te pjesa e zgjerimit të rrjetit. Ky priotizim lë në plan më dytësor çështjen e trajtimit të humbjeve të ujit. 

Pjesa e monitorimit të investimeve kapitale për trajtimin e humbjeve është një nga pikat që nuk bëhet në formën e duhur nga të gjithë akterët e thirrur për ta bërë atë, duke përfshirë KRU-të, ARRU-në dhe Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, të cilat sipas ZKA-së nuk kryejnë monitorimin e projekteve konform obligimeve të tyre. Mungesën e monitorimit të duhur, ZKA e identifikon si një nga shkaktarët më me peshë në mos realizimin e duhur të investimeve kapitale. 

Nga viti 2022, konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe INDEP është duke bërë monitorimin e mbledhjeve të bordeve të disa ndërmarrjeve publike, duke përfshirë KRU-të, duke analizuar dhe shpalosur ngecjet lidhur me planifikimet strategjike dhe realizimin e planeve të bizneseve të ndërmarrjeve dhe duke dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes në këtë sektor.

(Ky publikim është pjesë e nismës "Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).