Për më tepër, pasojat e keqplanifikimit nuk ndikojnë vetëm në buxhetin dhe zhvillimin ekonomik të NP-ve, por kanë ndikim edhe në buxhetin e shtetit. Duke mos planifikuar mirë prokurimet, sidomos te pjesa e investimeve, NP-të ofrojnë shërbime më të dobëta për qytetarët e vendit dhe kësisoj mbledhin edhe më pak të hyra. Për rrjedhojë, gati të gjitha NP-të marrin subvencione substanciale direkt nga buxheti i shtetit.
Nëse analizojmë dy NP-të të cilat kishin planifikuar të shpenzonin rreth 90 milionë euro, ose 73 për qind të gjithsej vlerës së planifikuar të ndërmarrjeve që janë subjekt i kësaj analize, atëherë shohim se të dyja kanë pasur hendek të thellë mes planifikimit dhe realizimit të prokurimit, si për nga vlera, ashtu edhe për nga numri i projekteve investive. E para, ndërmarrja “KRU Hidroregjioni” kishte planifikuar që të prokuronte ndërtimin e digës në vitin 2022, në vlerë prej 12 milionë eurove, por të dhënat e KRPP-së tregojnë se nuk ka pasur asnjë prokurim në atë aspekt. Në anën tjetër, Telekomi kishte planifikuar rreth 30 milionë euro kontrata për blerje të pajisjeve dhe kontraktim të shërbimeve për të avancuar rrjetin e telefonisë mobile, por kishte shpenzuar më pak se gjysmën e kësaj shume në këtë drejtim.
Pasojat e keqplanifikimit janë të dukshme e të ndjeshme edhe për publikun. Keqplanifikimi sjell humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike dhe proceset e prokurimit publik sa i përket nivelit të shërbimeve ose produkteve që ata marrin nga NP-të, kurse tek operatorët ekonomikë një mundësi për manipulim ose vonesë të punëve. Kjo në fakt rrezikon seriozisht integritetin dhe transparencën e sistemit të prokurimit publik.
Për të përmirësuar këtë situatë, është e nevojshme që ndërmarrjet publike të përmirësojnë planifikimin e tyre të prokurimit, të respektojnë afatet ligjore dhe të sigurojnë një qasje të drejtë dhe transparente në të gjithë procesin e tenderimit. Njësia për Politika dhe Monitorim të NP-ve, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e NP-ve qendrore dhe rajonale, duhet të ketë rol proaktiv në trajnimin e zyrtarëve kryesorë financiarë të NP-ve si dhe departamenteve të tyre të prokurimit në mënyrë që planifikimet të jenë më efikase.
(Ky publikim është pjesë e nismës "Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).