OpEd:Kur e përkohshmja bëhet normë

23/08/2023

Sfidat e qeverisjes me “ushtrues detyre” dhe vonesat në emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike e rregullatorët e pavarur

Sa zgjat e përkohshmja? Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, e përkohshmja nënkupton “për pak kohë”, “jo e përhershme”. Por, për Qeverinë e Kosovës “përkohësisht” zgjat nga disa muaj deri në tre vjet e më tepër. Kur ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit qeverisës të kësaj qeverie, ende shumë pozita kryesore në shërbimin civil, në ndërmarrje publike e agjenci të pavarura funksionojnë me ushtrues detyre.

“CorrWatch”, koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në institucionet publike, më 10 korrik 2023 publikoi një pasqyrë të pozitave të sekretarëve të përgjithshëm në kuadër të ekzekutivit, të cilët janë ende si ushtrues detyre. Sipas “CorrWatch”, dhjetë nga pesëmbëdhjetë ministritë dhe Zyra e Kryeministrit funksionojnë me ushtrues detyre të pozitave të sekretarëve të përgjithshëm. Disa ministri janë me ushtrues detyre të sekretarit/es që nga shkurti i vitit 2020, pra, për më shumë se tre vjet. Pozita e sekretarit/es të përgjithshëm/me është pozita më e rëndësishme e shërbimit civil. Edhe pozita e sekretarit/es të Kuvendit të Kosovës funksionon me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet.

Përveç në pozitat e sekretarëve të përgjithshëm, edhe disa institucione ekzekutive funksionojnë për një kohë të gjatë me ushtrues detyre. Një ndër to është edhe Agjencia e Statistikave e Kosovës, si agjenci ekzekutive në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Me ushtrues detyre funksionon edhe Administrata Tatimore e Kosovës, një ndër institucionet më të rëndësishme shtetërore. Njësoj funksionojnë me ushtrues detyre edhe dhjetëra departamente dhe agjenci ekzekutive në kuadër të ministrive të tjera, si në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, etj.

Përveç funksionimit me ushtrues detyre në pozitat kryesore të shërbimit civil, Qeveria dhe Kuvendi, në shumë raste, janë vonuar në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura, rregullatorëve dhe ndërmarrjeve publike.

Në qershor 2023, konsorciumi “CorrWatch” publikoi një pasqyrë të anëtarësisë së bordeve të agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike. Për shembull, një ndër institucionet më të rëndësishme shtetërore i cili menaxhon me kursimet pensionale të qytetarëve, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës, ishte pa bord nga 28 shkurt 2023 deri më 14 korrik 2023. Njësoj, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) funksionon me ushtrues detyre të postit të guvernatorit nga data 28 mars 2023. Kuvendi ka zgjedhur guvernatorin e ri të BQK-së në seancën e 13 korrikut, por që ende nuk është bërë dekretimi nga presidentja, për faktin se opozita ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të gjitha vendimet që janë marrë gjatë asaj seance, duke përfshirë procesin e votimit të guvernatorit.

Njësoj, shumë ndërmarrje publike nuk i kanë bordet e plotësuara me të gjithë anëtarët, duke vështirësuar kështu vendimmarrjen. E në rastet kur plotësohen pozitat kryesore në këto institucione, gjithnjë e më shumë emërimet po bëhen në kundërshtim me normat në fuqi dhe emërime partiake në pozitat që do të duhej të bazoheshin në profesionalizëm. “CorrWatch” ka reaguar në shumë raste, duke i kërkuar Qeverisë që të anulojë vendimet joligjore, si në rastin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, emërimin e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Pastrimi”, etj. Më mirë nuk kanë vepruar as komunat, si aksionarë të ndërmarrjeve lokale apo rajonale, siç është rasti i përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të “Termokosit”.

Lënia e institucioneve të rëndësishme shtetërore për kohë të gjatë vetëm me ushtrues detyre ka efekte të shumta negative. Ushtruesit e detyrës nuk mund të ushtrojnë rolin e tyre me autoritetin që do të mund ta kishin po të ishin të zgjedhur në atë pozitë. Në anën tjetër, vazhdimi afatgjatë me ushtrues detyre dërgon pasiguri tek pjesa tjetër e stafit. Ushtruesit e detyrës mund t’u nënshtrohen më lehtë ndërhyrjeve politike. Po ashtu, vendosja afatgjatë e ushtruesve të detyrës favorizon pa të drejtë disa kandidatë kundrejt të tjerëve në rastin kur hapet konkursi për atë pozitë.

Duke vënë në pah këtë dukuri të emërimeve të përkohshme, përmes raporteve tematike, reagimeve publike dhe publikimit të infografikave, “CorrWatch” synon që t’i shtyjë Qeverinë dhe Kuvendin që të veprojnë sa më shpejt në plotësimin e përhershëm të pozitave të mbetura si ushtrues detyre dhe këtë ta bëjnë në mënyrë sa më profesionale, duke shmangur emërimet partiake dhe ato që nuk plotësojnë kriteret profesionale e ligjore.

(Ky publikim është pjesë e nismës "Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).