OpEd: Zvogëlimi i Qeverisë: a u dhanë efektet e pritura?

23/08/2024

Në fillim të vitit 2020, Qeveria e Kosovës, e përbërë nga koalicioni VV-LDK, ndërmori një hap të rëndësishëm për ristrukturimin e Qeverisë, duke e zvogëluar numrin e ministrive nga 21 në 15. Ndonëse, të dyja këto parti kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore uljen e numrit të ministrive në 12 sosh. Përmes kësaj nisme synohej të garantohej një efikasitet më i madh, të përmirësohej koordinimi ndërministror dhe të ulej kostoja buxhetore e operimit të Qeverisë. Por, zvogëlimi i qeverisë nuk u bë duke iu referuar ndonjë plani, studimi apo konsultimi paraprak. Ristrukturimi përfshiu Ministrinë e Integrimit Evropian, Ministrinë e Diasporës, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilat nuk funksionojnë më si ministri të veçanta. Një përllogaritje e mëhershme e Institutit GAP tregonte se me uljen e numrit të ministrive nga 21 në 15, në një mandat do të kurseheshin rreth 13 milionë euro.

Nga aspekti buxhetor, në vitin 2022, i cili është viti i fundit para hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të Pagave që ndikoi në rritje të pagave në sektorin publik, siç edhe pritej, vërehet një rënie e kostos së stafit tek kabinetet e ministrave krahasuar me vitin 2019. Mirëpo, ka raste kur edhe pas bashkimit të dy ministrive në një, shpenzimet e administratës së ndonjë ministrie në vitin 2022 ishin më të larta se në vitin 2019, sikurse tek Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo ndërlidhet edhe me një nga sfidat kryesore që doli pas zvogëlimit të qeverisë, e cila kishte të bënte me menaxhimin e personelit ekzistues. Shkrirja e ministrive krijoi një situatë ku zyrat e ministrive të bashkuara u mbingarkuan me staf, ku veçmas tek niveli i mesëm drejtues ekzistonin nga dy udhëheqës/e për një pozitë. Ky nivel përbëhet nga udhëheqësit e departamenteve ose divizioneve për informim, prokurim, auditim, burime njerëzore, etj. Për shembull, tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), për pozitën e Drejtorit/es të Auditimit të Brendshëm dhe Zyrtarit/es Kryesor/e Financiar/e (ZKF), me vendim të Ministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm ishte caktuar nga një person përgjegjës në kuadër të ministrisë. Ndërsa, të punësuarit tjerë me akt-emërime ekuivalente, edhe pse u ishin marrë autorizimet që lidhen me detyrën, nuk ishin ri-sistemuar. Kësaj ministrie i janë dashur rreth katër vjet që ta hartojë rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës. 

Ndër problemet e tjera të hasura pas ristrukturimit ishte edhe mosvazhdimësia e politikave publike të ministrive të shkrira. Për shembull, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ishte shkrirë në Ministrinë e Infrastrukturës, nuk ofron më informacion të detajuar për çështjet e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në uebfaqen e saj zyrtare. Konkretisht, gjatë periudhës nga janari 2022 deri në fund të vitit 2023, MMPHI-ja ka publikuar në rubrikën “Lajmet” 168 njoftime për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. Nga to, vetëm tri njoftime lidhen me fushën e mjedisit: njëra lidhet me vendimin e qeverisë për përdorimin e qeseve të plastikës dhe dy aktivitete të tjera kanë të bëjnë me shënimin e Ditës së Tokës. Thuajse të gjitha aktivitetet e tjera të paraqitura kanë të bëjnë me çështje infrastrukturore dhe të komunikacionit. Ajo që mungon në tërësi janë dokumentet, proceset apo aktivitetet që kanë të bëjnë me planifikim hapësinor. E njëjta situatë vlen edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku çështjet e diasporës nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur. Po ashtu, tek Ministria e Punëve të Brendshme, sipas faqes zyrtare të kësaj ministrie, dokumentet strategjike të ish-Ministrisë së Administratës Publike mungojnë, madje nuk janë të listuara as ligjet dhe aktet nënligjore që e rregullojnë administratën publike. E njëjta gjendje vlen edhe për publikimin e strategjive kombëtare apo sektoriale në fushën e administratës publike. 

Në tetor të vitit 2022, Kosova e miratoi Ligjin për Qeverinë. Para miratimit të tij, në kohën sa ende ishte si projektligj, Instituti GAP kishte rekomanduar që ligji ta obligojë qeverinë që para se të themelojë një ministri të re, të hartojë një memorandum shpjegues për arsyet dhe përfitimet që mund t’i sjellë shoqërisë themelimi i një ministrie të re; të bëjë një vlerësim të ndikimit financiar, duke përfshirë në mënyrë të detajuar numrin e zëvendësministrave, këshilltarëve politikë dhe stafit tjetër të kabinetit, numrin e shërbyesve civil, kostot e pagave dhe shpenzimet tjera, hapësira e punës ku do të operojë e relacionin me ministritë tjera. Një gjë e tillë nuk është reflektuar në ligjin e miratuar dhe kjo zbrazëti ligjore e bën të mundur që edhe ristrukturimet e ardhshme të qeverisë të jenë të paqëndrueshme dhe të ndikuara politikisht.

Po ashtu, ndonëse nisma për zvogëlimin e Qeverisë së Kosovës ishte mirë e argumentuar, bashkimi i disa ministrive ishte i panatyrshëm duke përfshirë këtu ministritë e mëdha, sikurse Ministrinë e Administratës Publike me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndonëse të njëjtat kishin fushëveprime thuajse tërësisht të ndryshme. Që nga viti 2014, Instituti GAP ka avokuar për një qeveri më të vogël, respektivisht me 13 ministri. Në atë kohë, një nga propozimet e GAP-it ishte që Ministria e Administratës Publike (MAP) të mbetej si ministri më vete, por të njëjtës t’i bashkohej Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, shumë nga funksionet e kësaj të fundit më herët veçse kishin qenë pjesë e MAP-së. Nëse para shkrirjes e bashkimit të ministrive do të mbaheshin konsultime publike me shoqërinë civile dhe me akterë të tjerë të cilët i kanë trajtuar këto çështje në raporte të ndryshme të tyre, ky proces do të ishte më i lehtë dhe më i përshtatshëm.   

Zvogëlimi i qeverisë është i pamjaftueshëm në vetvete për të siguruar një qeveri më efikase dhe transparente, në rast se ministritë nuk hartojnë edhe strategji të qarta për të gjitha fushat që mbulojnë, duke siguruar vazhdimësinë dhe përfaqësimin e duhur të politikave publike. Po ashtu, ministritë duhet të kenë një zbatim efektiv të rregulloreve të reja për sistematizimin e vendeve të punës, në mënyrë që të shmanget dukuria, ku në praktikë ekzistojnë nga dy drejtorë, udhëheqës divizionesh apo zyrtarë kryesorë financiarë për një pozitë.

(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).