Shpenzimet e reprezentacionit për vitin 2017

17/10/2018

Miliona euro të buxhetit të Kosovës vazhdojnë të shpenzohen për dreka e darka zyrtare. Ndonëse në disa raste këto shpenzime janë të nevojshme, ndjehet nevoja e ushtrimit të një kontrolli më të shtuar institucional me qëllim të reduktimit të shpenzimeve të panevojshme.

Me qëllim që të mos dëmtohet buxheti i vendit, të ruhen interesat ekonomike dhe të arrihet një menaxhim më efikas i mjeteve financiare, caktohen limitet e shpenzimeve për reprezentacion përmes këtij udhëzimi administrativ. Sipas nenit 5 të udhëzimit, shpenzimet e reprezentacionit për kryeministrin dhe zëvendës kryeministrat janë të pakufizuara. Ndërsa, shpenzimet për ministrat kufizohen deri në 500 euro në muaj, zëvendës ministrat deri në 200 euro në muaj, këshilltarët politikë  deri në 100 euro në muaj, shefat e kabinetit të ministrave deri në 50 euro në muaj e kështu me radhë. Pos tjerash, këto shpenzime nuk lejohet të përdoren për qëllime individuale, vetëm shtetërore.

Sipas Raportit vjetor financiar 2017 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2017 buxheti i Kosovës ka shpenzuar gjthsej 2.9 milionë euro për dreka zyrtare brenda dhe jashtë vendit. Krahasuar me vitin e kaluar shpenzimet e tilla janë rritur për 3% apo 79 mijë euro.

Figura 1: Shpenzimet e reprezentacionit

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Intituti GAP ka kërkuar të dhëna të detajuara të shpenzimeve të reprezentacionit për vitin 2017 nga ministritë dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM).  

Edhe pse ligjërisht këto të dhëna do duhej të ishin publike, kësaj kërkese kanë refuzuar t’i përgjigjen: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa Ministria e Drejtësisë publikon shpenzimet në baza javore në uebfaqen zyrtare, ku përfshihen edhe ato të reprezentacionit,  nuk ishin lehtë të qasshme dhe të lexueshme për qëllim të hulumtimit tonë. Pra, Ligji për Qasje në Dokumente Publike edhe më tutje vazhdon të mos respektohet.

Numri i përgjigjeve të pranuara është i njejtë me vitin e kaluar, por, këtë vit kemi pranuar përgjigje nga ZKM dhe 12 ministri. Megjithatë, ZKM nuk i ka ofruar shpenzimet personale të të dy kryeministrave Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj dhe nuk ka pranuar të ofrojë detaje për secilin anëtar të kabinetit. Ministria e Punëve të Brendshme ka ofruar të dhëna të përgjithshme të shpenzimeve pa i specifikuar saktë shpenzimet e secilit. Ngjashëm ka vepruar edhe Ministria e Punës dhe Mirëqeniës Sociale. Nga të dhënat e marra nga Zyra e Kryeministrit dhe 12 Ministri për vitin 2017 janë shpenzuar gjithsej rreth 334,618.39 euro për reprezentacion.

Figura 2: Shpezimet e reprezenacionit 2017 sipas kabineteve të ministrive

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Zyra e Kryeministrit prinë me shpenzime. Kabineti i kryeministrit Isa Mustafa ka shpenzuar gjithsej 81,414.20 euro në dreka e darka gjatë mandatit të tij (janar - shtator 2017). Ndërsa kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj ka shpenzuar 39,884.85 euro (tetor - dhjetor 2017). Ndërsa, dymbëdhjetë ministritë së bashku kanë shpenzuar gjithsej 168,214.21 euro. Nga to, më së shumti ka shpenzuar Ministria e Integrimit Evropian me gjithsej 24,997 euro. Pas saj radhitet Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 524 euro më pak. Ministri i së cilës, Arsim Bajrami, ka shpenzuar më së shumti për reprezentacion me gjithsej 9,164.56 euro. Pas tij radhiten Mimoza Ahmetaj, Dhurata Hoxha, Kujtim Shala dhe Ferat Shala.

Tejkalim të shpenzimeve ka pasur nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Arsim Bajrami dhe Ministrja e Integrimit Evropian - Mimoza Ahmetaj.

Figura 3: Shpenzimet e ministrave

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Zëvendësministrat mund të shpenzojnë deri 200 euro në muaj ose 2,400 euro gjatë tërë vitit. Kjo na bënë të ditur se zëvendësministrja Anila Statovci ka tejkaluar shpenzimet për 6,907.66 euro si dhe është e vetmja prej zëvendësministreve që tejkalon shpenzimet.

Figura 4: Shpenzimet e zëvendësministrave  


Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Figura 5: Shpenzimet e reprezentacionit për vitin 2017 sipas pozitave

Burimi: Grafi i përpiluar nga Instituti GAP. Të dhënat e pranuara nga institucionet përkatëse.

 

Ndërsa tejkalim të shpenzimeve sa i përket kësaj kategorie nuk ka pasur nga: këshilltarët politikë, shefat e kabinetit dhe drejtorët.

Në këtë link: https://bit.ly/2Nx6PGe, janë paraqitur në formë vizuale shpenzimet e reprezentacionit për Zyrën e Kryeministrit dhe 12 ministri gjatë vitit 2017 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.