Ministria e Infrastrukturës pamundësoi qasjen në kontratën e autostradës

08/07/2014

Reagim lidhur me shkeljen e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës

Instituti GAP shpreh shqetësim lidhur me atë se si Ministria e Infrastrukturës mundohet të mashtroj opinionin publik, se kontrata në mes të Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Bechtel&Enka është kontratë transparente.

Pas kërkesës së GAP për qasje në kontratën e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit (Autostrada “Arbën Xhaferi”), Ministria e Infrastrukturës u përgjigj se qasja në kontratë do të lejohet gjatë ditës së martë - 8 korrik 2014, duke njoftuar se kontrata është dokument publik dhe i qasshëm nga ana e publikut.

Por, mënyra se si MI ka ofruar qasje në këtë dokument, është në kundërshtim me Ligjin nr.03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike. Sipas nenit 11, paragrafi 1, të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, thuhet se: “Kur lejohet qasja në dokument publik kërkuesi ka të drejtë të zgjedh nëse do të kontrollojë origjinalin apo kopjen, ose për të pranuar një kopje të dokumentit në çfarëdo forme apo formati në dispozicion sipas zgjedhjes së tij.”

Në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, MI ofroi vetëm shikimin e dokumentit, duke mos lejuar as marrjen e kopjes fizike të tij, por as fotografimin e përmbajtjes së dokumentit. 

Sot, në ora 9.00, ashtu siç u njoftuam përmes postës elektronike nga MI, përfaqësuesit e GAP u paraqitën në objektet e MI, për të marrë kopjen fizike të kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”. MI kishte caktuar dy rojtarë, që të ruajnë disa kopje fizike të kontratës, por duke mos lejuar marrjen apo fotografimin e përmbajtjes së tyre. Madje, rojtarët e MI, nuk jepnin përgjigje se përse nuk mundemi të marrim me vete dhe ta analizojmë përmbajtjen e kontratës? Edhe pas prezencës së vetë ministrit Fehmi Mujota, nuk u lejua marrja e kopjes së kontratës jashtë objektit të MI. Kontrata e ofruar ishte vetëm në gjuhën angleze dhe jo në gjuhët zyrtare të Kosovës. 

Në këtë formë, MI e vazhdon praktikën e jo transparencës, duke ndjekur shembullin e MTPT kur nuk u lejua qasja në kontratën e Autostradës Morinë-Besi (Autostrada “Ibrahim Rugova”). Ju rikujtojmë se edhe me rastin e kontratës për autostradën “Ibrahim Rugova”, MTPT kishte lejuar qasje në kontratë brenda objektit të ministrisë. 

Andaj, përpjekja e MI për tu paraqitur kësaj radhe si më transparente, është vetëm një farsë dhe asgjë më shumë.

Instituti GAP kundërshton vazhdimin e praktikës së jo transparencës në shpenzimin e parasë publike. GAP edhe më 2010 ka dërguar dy herë kërkesë për qasje në kontratën e autostradës “Ibrahim Rugova”, duke mos marrë asnjëherë përgjigje. Madje, rasti i mos lejimit të qasjes në kontratën e autostradës “Ibrahim Rugova” është dërguar në gjykatë, rast i cili ende nuk është zgjidhur. 

GAP kërkon që sa më parë MI të bëj publike kontratën e nënshkruar me konsorciumin Bechtel&Enka për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Prishtinë,
08 Korrik 2014