Miratohet Projektligji për Statistikat Zyrtare

27/09/2010

Regjistrimi i popullsisë, i cili parashihet që të mbahet më 2011, dhe zbatimi i Ligjit për Statistikat Zyrtare, pritet që të eliminoj një vakum në statistikat zyrtare, problem i cili e ka ndjekur Kosovën në këto dhjetë vite.

Më 15 shtator 2010, në mbledhjen e 145 të Qeverisë është miratuar Projektligji për Statistikat Zyrtare. Ky projektligj ka qenë miratuar edhe në prill 2008, me vendimin e Qeverisë 06/15, mirëpo ishte tërhequr nga miratimi në Kuvendin e Kosovës me arsyetimin se projektligji bart një kosto të lartë financiare.

Tani pas më shumë se dy vitesh, Qeveria ka miratuar sërish Projektligjin për Statistikat Zyrtare. Qëllimi i këtij Ligji është të përcaktojë parimet themelore dhe të krijojë bazën ligjore për organizimin, prodhimin dhe publikimin e statistikave zyrtare të Kosovës. Punët e statistikave zyrtare i kryejnë bartësit e caktuar të statistikave zyrtare: Agjencia e  Statistikave të Kosovës (ASK), Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe financave, Organet e tjera të autorizuara të Agjencisë së Statistikave të Kosovës  të caktuara me Program.

ASK-ja është përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe mbajtjen e këtyre regjistrave statistikorë: regjistrin e popullsisë, regjistrin e ekonomive familjare, regjistrin e shtëpive dhe të banesave, regjistrin e bizneseve, regjistrin e njësive hapësinore, regjistrin e ekonomive bujqësore. Bartësit e statistikave zyrtare janë të detyruar ta hartojnë dhe ta bëjnë publike kalendarin e shpalljes së të dhënave statistikore, i cili përmban datën e shpalljes së të dhënave statistikore. Këtë duhet ta bëjnë më së paku tre muaj, para periudhës me të cilën ka të bëjë Plani Vjetor përkatës.

Çdo person i obliguar me ligj, që refuzon të ofrojë të dhëna statistikore, që ofron të dhëna jo të sakta, apo nuk respekton afatin e dorëzimit të të dhënave, do të dënohet me gjobë në shumën prej 500 € deri 5000 €. Ky ligj shfuqizon Rregulloren nr.2001/14 për Themelimin e Entit Statistikor të Kosovës (UNMIK/REG/2001/14, 2 korrik 2001). Emërtimi nga Enti i Statistikës së Kosovës në Agjenci të Statistikave të Kosovës hynë në fuqi tre muaj pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, i përcaktuar të bëhet më 1 prill deri më 15 prill 2011.