Kriza Financiare Globale - ndikimet për Kosovën

29/10/2008

Instituti për Studime të Avancuara GAP organizoi tryezë të rrumbullakët për të diskutuar ndikimet eventuale në ekonominë e Kosovës nga kriza financiare globale.

Debatin e drejtoi Shpend Ahmeti – drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ku të ftuar ishin përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, Trustit të Kursimeve Pensionale, bankave komerciale që operojnë në Kosovë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, etj. Përfundimet e tryezës ishin se vala e parë dhe e dytë e krizës financiare globale nuk e ka prekur Kosovën, për shkak të ekspozimit të ulët të ekonomisë kosovare në tregjet globale dhe i vetmi institucion që është prekur nga kjo krizë është Trusti i Kursimeve Pensionale. Gjithashtu, edhe një herë u përforcua bindja se bankat vendore nuk janë prekur nga kriza financiare. Kosova do të ndjejë krizën financiare në formë indirekte, pasi që remitencat që marrim nga bashkëatdhetarët tanë do të jenë gjithnjë e më të pakta, pasi që vendet ku jetojnë dhe punojnë mërgimtarët kosovarë janë prekur nga kriza financiare, sidomos sektori i ndërtimtarisë dhe industria e automobilave; gjithashtu, donacionet ndërkombëtare të premtuara nga vendet e huaja për Kosovën mund të vonohen për shkak të kësaj krize.