Në mbledhjen e 113-të, mbajtur më 8 mars 2010, Qeveria e Kosovës miratoi Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe përcaktimin e procedurave, për delegimin e përgjegjësive për Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) tek komunat e Republikës së Kosovës. Ky udhëzim administrativ vjen si rrjedhojë e Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar në muajin janar 2009, në mes të MPMS, MAPL, MEF dhe komunave për delegimin e përgjegjësive për Skemën e Ndihmave Sociale në nivelin komunal; si dhe pas miratimit të Ligjit të ri për Skemën e Ndihmës Sociale.
Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, që është dhe i pari që lëshohet nga kryeministri për këtë vit, tani e tutje MPMS do të jetë përgjegjëse për planifikimin e buxhetit vjetor për funksionimin e Skemës së Ndihmave Sociale (SNS) dhe nevojave të jashtëzakonshme, ndërkaq komunat do të jenë përgjegjëse për menaxhimin e stafit dhe aseteve eksistuese të Qendrave për Punë Sociale (QPS) që kanë të bëjnë me funksionimin e SNS-së.
Në kuadër të këtij Udhëzimi Administrativ janë ndarë edhe përgjegjësitë në mes të nivelit qendror dhe atij lokal. Obligimet që dalin nga ky Udhëzim Administrativ për MPMS dhe që ngarkohet përgjegjës për funksionimin e SNS-së janë hartimi i infrastrukturës juridike dhe politikave, përgatitja e planeve strategjike për zhvillimin dhe funksionimin e SNS-së etj. Ndërkaq sa i përket obligimeve të komunave në raport me funksionimin e SNS-së janë menaxhimi i ndërtesës ekzistuese të QPS-ve, përgatitja e planit vjetor lidhur me organizimin dhe menaxhimin e ofrimit të shërbimeve të ndihmave sociale bazuar në SNS etj.