Edhe më tutje ndahen mjete për mbulimin e shpenzimeve të procesit zgjedhor

26/03/2010

Në mbledhjen e 114-të mbajtur më 14 mars 2010, Qeveria ka ndarë edhe 230,972 Euro për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 184,772.00 Euro në kategorinë e mallrave e shërbimeve dhe 46,200.00 Euro në kategorinë e pagave dhe mëditjeve. Këto mjete janë ndarë për mbulimin e shpenzimeve të procesit zgjedhor në Gjilan, Istog dhe Partesh.

 

Që nga muaji gusht 2009, Qeveria e Kosovës ka marrë 7 vendime rreth KQZ-së, duke llogaritur edhe këtë të marrë në muajin mars 2010. Në mbledhjen e 78 të mbajtur më 13 gusht 2009 është marrë vendimi 02/78 me të cilin që 70 punonjës të KQZ-së të marrim paga shtesë prej 200 Euro në muaj për punën e tyre jashtë orarit. Këta 70 punonjës do të paguhen për punën e tyre jashtë orarit, për një periudhë gjashtë muajshe, 1 korrik deri 31 dhjetor 2009. Më 27 gusht 2009 me vendimin 11/79, Qeveria cakton pagën e Kryetares së KQZ-së në shumë prej 1.000 Euro, kurse anëtarit të KQZ 800 Euro. Më 18 shtator Qeveria merr vendim që zgjedhjet të mbahen në 36 komune dhe me 25 shtator 2009 në mbledhjen e 83-të Qeveria aprovon Plan Buxhetin për vitin 2009 të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), në shumë prej 197,384 Eurosh. Kurse në mbledhjen e 95 më 26 nëntor, Qeveria merr vendim që anëtarët e KZAP të marrin paga në mënyrë retroaktive që nga 1 janari 2009 dhe nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga e kryetarit të KZAP të jetë 1000 euro, kurse e anëtarëve të KZAP 800 euro. Më 30 dhjetor Qeveria merr vendim me të cilin i lejon KQZ-së që për shkak të afatit të shkurtër të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe materialit senzitiv të mos aplikoj procedura të hapura të prokurorimit.