Ligji për Ujitjen e Tokave Bujqësore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 23 mars 2005, kurse ka hyrë në fuqi më 25 nëntor 2005 pas shpalljes nga PSSP. Pesë vite pas miratimit të këtij ligji, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ujitjen e Tokave Bujqësore. Ligji për Ujitjen e Tokave bujqësore ka për qëllim vënien e bazës ligjore për themelimin dhe funksionimin e subjekteve për ujitjen e tokës ose mbrojtjen e saj nga ujërat e tepërta. Ndryshimet kanë të bëjnë më shumë me riformulim të neneve, përmirësim dhe zëvendësim të fjalëve të caktuara dhe shtim të disa paragrafëve dhe neneve. Me një nen të ri, neni 6, ligji i jep përgjegjësi komunave në këtë fushë. Sipas memorandumit shpjegues që i është bashkangjitur projektligjit, Ministria e Bujqësisë shprehet se këto ndryshime janë të nevojshme për faktin se ka ndryshuar situata politiko-ekonomike në vend dhe ligji në formatin e kaluar ka qenë i pa zbatueshëm. Hyrja në fuqi e ligjit të ri me ndryshime nuk parasheh kosto shtesë buxhetore.