Përfundon saga e Udhëzimit Administrativ për importin e produkteve të mishit

28/08/2009

Qeveria anulon Udhëzimet Administrative për importin e mishit, duke i kënaqur kështu kërkesat e përpunuesve të mishit. Por, nuk jep shpjegime nëse UA 18/2005 është konform Ligjit për Ushqimin dhe kërkesave të Bashkimit Evropian, pasi që ndryshimi i këtij udhëzimi ishte iniciuar duke u bazuar në këto dy arsyetime. Vendimi për anulimin e Udhëzimit është nënshkruar nga Zëvendëskryeministri Hajredin KuÇi, kurse 11 vendimet tjera të marra në po të njëjtën mbledhje janë nënshkruar nga Kryeministri.

 

Udhëzimi Administrativ 18/2005 për Kontrollin Veterinar të Importimit, Kalimit Tranzit të Produkteve Ushqimore dhe Jo-ushqimore me Origjinë Shtazore të Kafshëve të Gjalla dhe të Materialit për Mbarështimin e Kafshëve, është një nga Udhëzimet Administrative (UA) më të amendamentuara dhe më të përfolura.

Në prill të këtij viti, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Ushqimin dhe pas kërkesës së Agjencionit të Veterinës dhe Ushqimit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të fillohet procedura për amendamentimin e Udhëzimit Administrativ 18/2005 dhe përshtatjen e tij me Ligjin për Ushqimin (shih GAP Monitor 4). Një muaj më vonë, Qeveria e Kosovës miratoi Udhëzimin Administrativ 07/2009 për ndryshimin dhe plotësimin e UA 18/2008.

Me UA 07/2009, ndër të tjera, parashihej që të shpallej një konkurs ndërkombëtar për importimin e mishit në Kosovë, nga i cili përjashtoheshin kompanitë vendore (shih GAP Monitor 5).

Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit e Kosovës (AVUK), e kishte shpallur tenderin ndërkombëtar për import të mishit më 17 qershor. Në këtë tender, thuhej se kompania e cila do të jetë fituese duhej që për tri vjetët e fundit të kishte minimum 8 milionë Euro të hyra financiare. Pas kësaj, përpunuesit e mishit kërkuan shfuqizimin e këtij Udhëzimi Administrativ dhe reagimet e tyre i shprehën edhe përmes protestave para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Mishtarët kishin shprehur shqetësimin e tyre se me angazhimin e kompanive ndërkombëtare për import të mishit, në Kosovë do të mbylleshin 100 kompani dhe do të mbeteshin pa punë mbi 4 mijë njerëz.

Përkundër protestave, Kryeministri i Kosovës, më 5 korrik, deklaroi se Qeveria nuk do ta bëjë ndryshimin e këtij Udhëzimi Administrativ, sepse ai është konform kërkesave të BE-së dhe Menaxhimit të Integruar të Kufijve.

Më 6 korrik 2009, Qeveria e Kosovës miraton UA 08/2009, e cila amendamenton UA 07/2009 dhe eliminon pikat kontestuese në këtë Udhëzim Administrativ. Mirëpo, pas dy amendamentimeve të bëra, më 27 gusht 2009 Qeveria e Kosovës merr vendim për anulimin e UA 08/2009 dhe UA 07/2009, duke e lënë UA 18/2008 në formën e tij fillestare. Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës i jep fund debateve për këtë udhëzim administrativ, duke harruar vendimet e saja të mëhershme se ndryshimi i udhëzimit administrativ bëhet për arsye të përshtatjes së tij me Ligjin për Ushqimin dhe me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Vlen të përmendet se nga 12 vendimet e marra në mbledhjen e 79-të të Qeverisë së Kosovës, 11 prej tyre janë nënshkruar nga Kryeministri Hashim ThaÇi, kurse vendimi për anulimin e Udhëzimit Administrativ për importin e mishit është nënshkruar nga Zëvendëskryeministri Hajredin KuÇi. Sipas Rregullores së Punës së Qeverisë së Kosovës, përveÇ Kryeministrit, edhe Zëvendëskryeministrat dhe Ministrat e caktuar nga Kryeministri mund t'i nënshkruajnë vendimet e Qeverisë.