Miratohet Projektligji për Organizimin Sindikal në Kosovë

30/08/2009

Nuk është hera e parë që ky Projektligj miratohet në Qeverinë e Kosovës. Për herë të parë, një format i këtij Projektligji ishte miratuar në Qeveri në vitin 2007 dhe i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin në vitin 2007, me arsyetimin se së pari do të duhej të miratohej Ligji i Punës, i cili, po ashtu, ndodhej në Kuvend asokohe. 

Në mbledhjen e 79-të, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Organizimin Sindikal në Kosovë.

Miratimi i dytë i Projektligjit për Organizimin Sindikal u bë në mbledhjen e 79-të të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 27 gusht 2009.  

Ky Ligj rregullon dhe përcakton të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve për themelimin dhe organizimin e lirë dhe vullnetar në organizata sindikale, me qëllim të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave ekonomike, sociale dhe profesionale të punëtorëve nga puna dhe marrëdhënia e punës.

është bërë zakon që në shumicën e ligjeve të Kosovës të përmendet edhe fakti se Projektligji nuk i rregullon Çështjet e personelit ndërkombëtar në Kosovë dhe Ambasadave të huaja. Gjithashtu, ky Ligj nuk aplikohet edhe për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, zjarrëfikësit, shërbimet emergjente spitalore. Por, Projektligji vlen për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Punëtorët mund të angazhohen në organizim sindikal, si ata që punojnë në sektorin publik, ashtu edhe ata që janë të angazhuar në sektorin privat.

Sindikatat e punëtorëve formohen me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe askush nuk mund të ndëshkohet si pasojë e angazhimit të tij në sindikatë.

Punëtori nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një sindikate.

Me rastin e anëtarësimit, punëtorët duhet të mbushin një formular, ku japin të dhënat e tyre personale.

Organizatat sindikale duhet të regjistrohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nëse kanë së paku 25 anëtarë. Pos organizatave sindikale, në MPMS mund të regjistrohen edhe federatat sindikale (së paku dy organizata sindikale) ose konfederatat sindikale (së paku dy federata sindikale).

Organizimi sindikal aktualisht është i rregulluar me Rregulloren e UNMIK-ut 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë (Neni 5).

Miratimi i Ligjit për organizim sindikal ka qenë një nga kërkesat e vazhdueshme të sindikatave të punëtorëve.