Invalidët e luftës së UÇK-së lirohen nga detyrimet doganore

30/08/2009

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 14 korrik, i ka dhënë leje Ministrit të MEF-it që të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Lirimet nga Detyrimet Doganore.

Po të njëjtën ditë, Ministri i MEF-it nënshkruan këtë udhëzim.

Udhëzimi mban numrin 01/2009. Ai bazohet në Aneksin A të Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës nr. 03/L-109.

Sipas këtij vendimi, të drejtën e lirimit nga detyrimet importuese doganore do ta gëzojnë edhe invalidët e luftës së UÇK-së, të cilët kanë statusin e invalidit të luftës të njohur nga Institucionet e Republikës së Kosovës.

Që të zbatohen këto lirime, duhet të përmbushen disa kushte, si: 1. Invalidi i luftës (personi i hendikepuar), të dëshmojë për statusin e tij të invalidit të luftës; 2. Mallrat e deklaruara për lirim janë për përdorim personal dhe për nevoja të tyre; dhe 3. Automjetet, ose mjetet e tjera bartëse, janë përshtatur për nevoja të tyre.

Lirimi nga detyrimet importuese doganore u lejohet invalidëve të luftës së UÇK-së  me qëllim të risocializimit të tyre në jetën e përditshme shoqërore.

Këto lirime nga detyrimet importuese doganore do të bëhen një herë në pesë vjet.

Mallrat e liruara nga detyrimet importuese doganore, sipas Nenit 76 deri 81, do t'i nënshtrohen kontrollit pas-zhdoganues nga Dogana, për t'u vërtetuar se malli është duke u shfrytëzuar për qëllimin e të cilit është liruar.

Automjeti i liruar nga detyrimet importuese doganore duhet që në vërejtje të Lejes së Qarkullimit ta ketë mbishkrimin: 1. Automjet për invalid, dhe 2. Nuk mund të huazohet, të shitet ose tjetërsohet në Çfarëdo mënyre.