Miratohet Strategjia e 20-të me radhë

30/08/2009

Sipas Planit Zhvillimor Strategjik të ESK, nevojitet punësimi i 66 punonjësve të rinj në këtë institucion, rritja e pagave të personelit dhe trajnimi i tyre, miratimi i legjislacionit adekuat për funksionimin e ESK, rritja e numrit të publikimeve dhe anketimeve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një Strategji. Në mbledhjen e 77-të, e mbajtur më 10 gusht, Qeveria e Kosovës ka miratuar Planin Zhvillimor Strategjik të Entit Statistikor të Kosovës për periudhën 2009-2013.

Enti Statistikor i Kosovës është institucion i themeluar për herë të parë në vitin 1948.

Pas një periudhe të gjatë mosfunksionimi, ESK fillon punën në gusht të vitit 1999, por zyrtarisht funksionalizohet në korrik të vitit 2001, kur aprovohet Rregullorja e UNMIK-ut 2001/17 për Themelimin e Entit Statistikor të Kosovës. Kjo Rregullore është e tejkaluar, pasi që, sipas saj, ky Ent bashkë-kryesohet nga një ndërkombëtar dhe një vendor dhe i raporton PSSP-së.

Në Kuvendin e Kosovës ndodhet Drafti i Ligjit për Statistikat Zyrtare të Kosovës, por i cili ende nuk është miratuar.  

Në bazë të Planit Zhvillimor të ESK, janë përcaktuar synimet dhe prioritetet statistikore kryesore, të identifikuara nga të gjithë akterët që përfshihen në fushën e statistikave.

Ndër prioritetet kryesore të përshkruara në këtë Strategji - është rritja e produkteve të Entit Statistikor të Kosovës konform kërkesave të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ngritja e kapaciteteve të resurseve humane.

Në këtë Plan Strategjik identifikohen pengesat dhe mangësitë që ESK ballafaqohet në misionin e saj. Fondet e pamjaftueshme dhe sigurimi i më shumë resurseve për plotësimin e nevojave ekzistuese për informacione, janë ndër problemet e shumta që ballafaqohet ky institucion.

Me Strategji, janë përcaktuar objektivat kryesore që ESK duhet t'i ndjekë në katër vjetët e ardhshme, e që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së informacioneve statistikore, zgjerimin e orfrimit të statistikave me qëllim të mbulimit të nevojave të shfrytëzuesve, zhvillimin dhe promovimin e sistemit të gjerë statistikor në Kosovë - që përfshin statistikat zyrtare që prodhohen në Ministritë e tjera të Qeverisë, Bankës Qendrore dhe institucioneve tjera, harmonizimin e metodologjive dhe standardeve të ESK-së me atë të BE-së, rritjen maksimale të përfitimit nga implementimi dhe shfrytëzimi i teknologjisë informative, si dhe shfrytëzimin sa më efikas të mostrave dhe regjistrave në praktikën statistikore.

Zyrtarët e ESK ankohen se Qeveria refuzon vazhdimisht rritjen e buxhetit për ESK-në.

Buxheti për këtë institucion është reduktuar për 60 për qind, që nga viti 2005, e në të njëjtën kohë vëllimi i punëve është rritur. Do të duhej të ndodhte e kundërta, nëse ESK mëton t'i përmbushë objektivat që i ka parashtruar në këtë Plan.

ESK kërkon që në periudhën katërvjeÇare, stafi i ESK të rritet edhe për 66 punonjës, kurse personeli aktual të trajnohet me qëllim që të mund të jetë në nivel të detyrës.

Zbatimi i strategjisë do të kërkojë mjete shtesë buxhetore, për pagat e 66 punonjësve të rinj, si dhe për mbulimin e aktiviteteve që janë paraparë në Strategji.