Me anë të këtij vendimi Qeveria e Kosovës rrit shpenzimet për paga dhe meditje për afro 93 milion euro

" />

Qeveria rrit pagat e të gjithë shërbyesve publik për 25%

31/03/2014

Me anë të këtij vendimi Qeveria e Kosovës rrit shpenzimet për paga dhe meditje për afro 93 milion euro

Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars 2014, Qeveria e Kosovës ka vendosur që duke filluar nga muaji prill i këtij viti të rriten pagat për të gjithë kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga Buxheti i Republikës së Kosovës në nivelin 25% të pagës bazë. Me anë të këtij vendimi Qeveria e Kosovës rrit shpenzimet për paga dhe meditje për afro 93 milion euro, ndërsa kjo kategori e shpenzimeve rrjedhëse do të përbën rreth 33% të shpenzimeve totale shtetërore. Nëse e krahasojmë këtë shifër me shtetet fqinjë shohim se Kosova shpenzon dyfish përqindje më të lartë të buxhetit për paga dhe mëditje se Maqedonia.

Instituti GAP në parim përkrah rritjen e pagave si mjet për rritjen e efektivitetit të administratës publike mirëpo thekson së një vendim i tillë është dukur më shumë si improvizim sesa një gjë e planifikuar mirë. Së pari, një rritje e tillë e shpenzimeve për paga dhe meditje nuk ishte planifikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2014-2016 të përpiluar nga Ministria e Financave. Së dyti, vetëm dy muaj pas aprovimit të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, më anë të vendimit 07/172 Qeveria kërkon uljen e shpenzimeve në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe komunali për 15% nga të gjitha organizatat buxhetore. Së treti, në Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, 45 nga 93 milionë eurot e ndara për rritjen e pagave ishin ndarë si linjë buxhetore e Ministrisë së Financave me emërtimin "Kontigjenca për Paga", ndërsa shpenzimi i tyre rregullohej me Nenin 12 të këtij Ligji  për "Shpenzimet e paparashikuara dhe rezervat". Së katërti, nuk është dhënë ndonjë arsyetim lidhur me logjikën ekonomike të rritjes së pagave prej 25%. Nëse marrim rritjen e BPV-së për kokë banori si indikatorë për matje të produktivitet në ekonomi, atëherë shohim se nga parashikimet e bëra nga vetë Ministria e Financave nuk pritet të ketë rritje më të madhe së 2.5%. Nëse pagat rriten në mënyrë jo të barabartë më rritjen e produktivitetit, atëherë ne do të kemi një ekonomi më pak konkurruese në tregun global. Në bazë të kalkulimeve të FMN-së, duke përdorur të dhënat e vitit 2010, Kosova ishte më pak e konkurrushme se Serbia, Shqipëria, Kroacia dhe Romania.  

Instituti GAP ka argumentuar edhe më parë se kemi administratë të ngarkuar të cilën duhet zvogëluar në përputhje me udhëzimet administrativë të përpiluar nga vet qeveria. 

Në anën tjetër, pasi deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës e kritikuan ashpër vendimin e Kryeministrit për rritjen e pagave pikërisht para zgjedhjeve të përgjithshme dhe pasi disa nga ta kërkuan publikisht që paga e tyre të mos rritet, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës, me vendimin 03/177, përjashtoi nga ngritja e pagës kategoritë në vazhdim: zyrtarët e lartë publik me mandat politik (presidentin, kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarin e kuvendit, deputetët, këshilltarët politik si dhe shërbimi i jashtëm i Kosovës). Ky improvizim kishte shkaktuar një anomali tjetër p.sh. tashmë në disa komuna nëpunësit civil kanë pagë më të madhe se drejtorët të cilët bartin përgjegjësi më të mëdha mirëpo për shkak se janë të emëruar politik nuk mund të përfitojnë nga rritja e pagave.  

Së fundmi, një vendim për ngritjen e pagave Kryeministri ThaÇi e kishte marrë edhe në nëntor 2010 kur si Kryeministër në dorëheqje "nënshkroi" vendimin për rritjen e pagave për disa kategori të sektorit publik. Më shumë rreth kësaj shih analizën e Instituti GAP në http://gapmonitor.org/?id=2&n=111.