Raporti për Kosovën 2016 i Komisionit Evropian dhe konfirmimi i çështjeve të ngritura nga Instituti GAP rreth buxhetit dhe reformës së administratës publike

30/11/2016

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2016 i cili në përmbajtje është i bazuar edhe në inputet e organizatave të shoqërisë civile. Instituti GAP ka kontribuar me shkrim dhe në takimet e Komisionit Evropian në disa fusha të politikave përfshirë buxhetin, zhvillimin ekonomikë dhe reformën e administratës publike.

Në fillim të vitit 2016, Instituti GAP, GLPS dhe INDEP kanë reaguar publikisht lidhur me emërimet politike dhe shkeljet në Ligjin për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike gjatë emërimit të anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike. Ndikimin politikë në NP e ka konfirmuar edhe raporti (faqe 37).

Në përputhje me kërkesën e Instituti GAP që Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës të ndryshohet për të shmangur ndikimin politik, raporti ka konfirmuar mangësitë procedurale gjatë emërimit të anëtarëve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Në mars të vitit 2016, GAP ka publikuar një analizë dhe ka dërguar komentet tek Komisioni Evropianë, lidhur me mungesën e lidhjes në mes subvencioneve në bujqësi me rritjes së produktivitetit në këtë sektor. Raporti ka reflektuar këtë të gjetur të GAP-it (faqe 37).

Në maj të vitit 2016, Instituti GAP ka dërguar me shkrim sygjerimet lidhur me Strategjinë për Menaxhmin e Financave Publike. GAP ka kërkuar që të forcohen kapacitetet e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të rritet cilësia e mbikëqyrjes parlamentare e buxhetit. Nevoja për rritje të kapaciteteve është identifikuar edhe nga raporti (faqe 35). Gjithashtu, GAP ka sugjeruar edhe krijimin e këshillit të pavarur fiskal që është rekomanduar edhe në këtë raport.

Në komentet me shkrim, GAP ka adresuar nevojën për rritjen e transparencës dhe implementimin e planeve të fizibilitetit për projektet kapitale të nivelit qendror. Mungesa e transparencës në projektet kapitale dhe lidhjes së ndarjeve buxhetore me politika është cekur edhe në raport (faqe 36).

Sa i përket reformës së administratës publike, raporti në disa pjesë konfirmon të gjeturat dhe rekomandimet e Institutit GAP. Raporti njeh faktin që nuk ka një sistem të pagave në administratën publike sipas parimit punë e njejtë me pagë të njejtë dhe që koeficientë të ndryshëm (dhe shtesa) apikohen nëpër pozita të njejta. Po ashtu, raporti thekson fragmentarizimin e administratës publike si pasojë e krijimit të një numri të madh të agjencive në kuadër të Kuvendit (mbi 30) dhe Qeverisë (46) dhe numrin e madh të ministrive (19 ministri dhe dy ministra pa portofol). Fragmentarizimi i administratës publike ka bërë që mos te ketë linja të qarta të llogaridhënies. GAP ka bërë hulumtime dhe ka shkruar analiza të politikave mbi këtë fragmentarizim të administratës publike dhe mungesës së llogaridhënies dhe të gjeturat i janë prezentuar edhe Komisionit Evropian. Raporti njeh edhe çështjen e mos aplikimit të Ligjit për shërbimin civil në disa prej agjencive të pavarura të Kuvendit të cilin fakt GAP e ka ngritur së fundi në raportin hulumtues të bërë enkas për Ministrinë e Administratës Publike lidhur me institucionet dhe agjencitë e pavarura të fokusuar në katër elementë: marrëdhënia e punës, pagat, organizimi i brendshëm dhe llogaridhënia.