Pyetja Parlamentare e Motivuar nga Analiza e GAP për Monopolin e Homologimit

09/12/2016

Në prill të vitit 2016, Instituti GAP publikoi analizën “Monopoli i Homologimit”, në të cilën vihen në pah shkeljet kushtetuese dhe ligjore të ish-Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomit (tani Ministria e Infrastrukturës), kur më 2009 kontraktuan një kompani private për të kryer shërbimet e homologimit dhe i dhanë ekskluzivitet dhjetë vjeçar.

Më 20 tetor 2016, deputeti Abdyl Ymeri (PDK) parashtroi pyetje parlamentare për përgjigje me gojë nga ana e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës z.Lutfi Zharku. 

Në pyetjen e parashtruar nga deputeti Ymeri ndër të tjera thuhet:

“...në një analizë dhe hulumtim të Institutit GAP, shihet qartë se kemi një varg shkeljesh ligjore dhe këtu kemi monopol të pastër, që në formën tjetër i dëmton qytetarët se nuk kanë zgjidhje tjetër, e po ashtu nuk kemi liberalizim të tregut në këtë segment...” 

Deputeti Ymeri kërkon nga ministri Zharku të dijë se çfarë hapash ka ndërmarrë si ministër që të zgjidh problemin e monopolit. Pyetja e deputetit Ymeri ende nuk ka marrë përgjigje nga z.Zharku.

Më herët, bazuar në analizën e GAP, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar hetimet për marrëveshjen në mes të Ministrisë dhe kompanisë private “EuroLab”.