Ndryshimi i politikave për import dhe qarkullim të veturave, si hap për përmirësimin e kualitetit të ajrit

13/12/2016

Në një raport analitik të publikuar nga Instituti GAP në tetor të 2015, Instituti GAP ka argumentuar për ndërlidhjen ndërmjet vendimeve të qeverisë së Kosovës për importin e veturave dhe rritjen e vjetërsisë së veturave në qarkullim në Kosovë.

Me heqjen e kufizimit të veturave nga tetë në 13 vite, e pastaj heqjen e tërësishme të këtij kufizimi, vjetërsia mesatare e veturave në qarkullim në rrugët e Kosovës është rritur nga 13 vite në 18 vite.

v

Veturat e vjetra e ndotin ambientin më shumë se ato të rejat, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave ndotëse, por edhe përmes efekteve tjera, si zhurma me intensitet më të lartë, krijimi më i madh i mbeturinave.

Sipas analizës së GAP, dy faktorë kryesorë ndikojnë që mosha e veturës të shkaktojë rritje të sasisë së ndotjes: së pari, veturat e vjetra mesatarisht kanë kaluar distancë më të madhe, rrjedhimisht motori dhe pajisjet për kontrollimin e gazrave (konvertorët katalitik) janë konsumuar; dhe, së dyti, zhvillimi i teknologjisë së prodhimit të veturave ka sjellë vetura më efikase si për nga konsumimi i karburanteve, po ashtu edhe për nga emetimi i ndotësve.

2

Përveç kësaj, qendrat e kontrollit teknik të automjeteve nuk bëjnë kontrollin e lirimit të gazrave, ashtu siç parashihet me udhëzim administrativ.

Instituti GAP rekomandon Qeverisë së Kosovës që në afat sa më të shpejtë të mundshëm të zëvendësojë politikën e importit të automjeteve nga ajo aktualja e cila bazohet në të hyrat doganore sipas vjetërsisë, në atë të importit të automjeteve bazuar në “Euro standardet”.

Qendrat e kontrollimit teknik duhet të bëjnë matjen e shkarkimit të gazrave në bazë të Euro standardeve, duke u siguruar që autobusët dhe taksitë të përmbushin standardin Euro 3, Strategjia për Cilësinë e Ajrit. Për më tepër, strategjia parasheh që automjetet që nuk i plotësojnë standardin Euro 1 (më vonë Euro 2) duhet të paguajnë më shumë se ato me Euro 3 dhe Euro 4.

Javën e kaluar, edhe Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bëri thirrje që të largohen nga përdorimi veturat e vjetra dhe ato pa katalizator.